Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të ndërtimit linjës së transmetimit 400 kV Shqipëri – Mali i Zi
Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të ndërtimit linjës së transmetimit 400 kV Shqipëri – Mali i Zi
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të ndërtimit linjës së transmetimit 400 kV Shqipëri – Mali i Zi. Ky projekt me vlerë 43 milionë euro, e financuar nga qeveria gjermane nëpërmjet bankës KfW, konsiston në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV midis nënstacioneve Tirana2 (Shqipëri) dhe Podgoricë (Mali i Zi). Linja ka një gjatësi të përgjithshme prej 155 km nga të cilat 125.5 km në territorin e Shqipërisë. Linja 400 kV Tirana2 – Podgoricë është pjesë e linjës 400 kV Elbasan – Tiranë – Podgoricë, që ka bërë të mundur mbylljen nëpërmjet territorit tonë të një rrjeti unazor 400 kV të rajonit të Ballkanit, dhe do të sjelli një impakt të madh në rritjen e mundësisë teknike të shkëmbimit të energjisë elektrike midis sistemit tonë dhe vendeve fqinje dhe një impakt në rajon .
Në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Zëvendës kryeministri I Malit të Zi Vujica Lazevic, Ministri Federal për bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim Dirk Niebel, ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë Carola Holtkemper Muller , Ministri i Ekonomisë ,Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço si dhe përfaqësues të tjerë të bankës KfW dhe OST.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryeministri u shpreh:
E nderuar zonja Kryetare e Parlamentit.
I nderuar zoti Zëvendës/kryeministër i Republikës së Malit të Zi, Lazevic
I nderuar zoti Ministër Federal I Bashkëpunimit Ekonomik , Niebel
Zonja Ambasadore e Republikës Federale Gjermane Carola Holtkemper Muller
Të nderuar anëtarë të delegacionit gjerman, përfaqësues të institucioneve financiare të Republikës federale
Të nderuar qeveritarë vendor
Të dashur qytetarë dhe qytetare
Banorë të Koplikut
Sot është një ditë e madhe për mbarë Shqipërinë por edhe për rajonin sepse sot, ne inaugurojmë këtu finalizimin e projektit të parë madhor rajonal, në fushën më sensitive, më të rëndësishme për zhvillimin në tërësi të vendit, por edhe të rajonit, siç është fusha e energjisë.
Linja e ndërlidhjes Tirana2- Podgoricë dhe segmenti i saj Tiranë-Elbasan, i japin tregut të energjisë, si një treg lider, një dimension të ri brenda vendit dhe rajonit.
Ndaj dhe unë shfrytëzoj këtë rast për t’ju shprehur ju zoti ministër Niebel, qeverisë tuaj dhe Kancelares Angela Merkel, taksapaguesve të kombit tuaj, mirënjohjen më të thellë, për këtë ndihmë dhe kontribut bujar për vendin tim dhe për rajonin.
Gjithashtu, unë gjej rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë, juve dhe vendit tuaj të madh, për një ndihmë të jashtëzakonshme, që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve. Ne shqiptarët kemi pasur privilegjin e madh, të jemi të parët, të jemi në krye të listës, për ndihmën bujare dhe mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë dhe kombit mik gjerman.
Në 20 vite Shqipërisë, në forma të ndryshme dhe në të gjitha fushat, i janë lëvruar rreth 1 miliard euro , të cilat janë shndërruar në qindra dhe qindra projekte në mbarë vendin. Projekte në të gjitha fushat, por dua të theksoj se projektet në fushën e energjisë dhe projekti në fushën e ujërave, janë dy më kryesoret dhe të një rëndësie përcaktuese për zhvillimin e vendit. Ne kemi pasur një histori unike në Europë, për sa i përket efekteve më shkatërrimtare që diktatura pati në ndonjë vend.
Por në këto 20 vite, falë mundit, djersës dhe përkushtimit të madh të shqiptarëve, ndihmës bujare të Republikës Federale Gjermane dhe vendeve të tjera mike dhe partnere, Shqipëria është sot 20 vite dritë larg asaj periudhe. Shqiptarët punojnë me përkushtim të madh në realizmin e projektit të tyre ëndërr, Shqipëria vend i zhvilluar.
Shqipëria vend i zhvilluar ka të gjitha mundësitë dhe potencialet për tu bërë. Natyrisht sot potencialet e saj, potencialet energjitike janë të jashtëzakonshme.
Ky vend, më madhori në Europë, është i bekuar, sepse është një nga vendet më të pasura me ujera në rajon, është një Norvegji e vogël në Ballkan dhe me këto financime të institucioneve financiare të Republikës Federale Gjermane, ne po ndërtojmë një rrjet në mbarë vendin, po krijojmë lidhjet e reja të fuqishme rajonale, kjo është lidhja me Malin e Zi. Së shpejti do të fillojë punimet për linjën me Kosovën, Tiranë-Prishtinë dhe më pas Tiranë-Shkup, unaza e jugut dhe disa rindërtime të tjera për rrjetin energjitike, e bëjnë Shqipërinë me një sistem energjitike, për të mbështetur plotësisht rritjen dhe zhvillimin e shpejtë , por janë dhe një bazë e shkëlqyer për realizmin e një projekti të veçantë. Shqipëria superfuqi e vogël energjitike në Rajon.
Ne kemi një potencial ujor rreth 20 miliard kilovat orë për tu shfrytëzuar, kemi platformat e erës, ndër më të fuqishmet në Europë. Jemi një ndër vendet me ditë me diell më të shumta në kontinent. Në të gjitha këto fusha ne jemi të bindur në suksesin e ardhshëm, sepse kemi mbështetjen e fuqishme të Republikës Federale Gjermane në të gjitha këto projekte.
Ndaj dhe shfrytëzoj rastin tu falenderoj me shumë mirënjohje, por të shpreh edhe kënaqësinë time zoti ministër, se në çdo rreth të këtij vendi që ju të shkoni, në çdo bashki që ju të vizitoni aty do të gjeni projektet e realizuara me paratë e taksapaguesve të vendit tuaj si një sukses i vërtetë, si një mbështetje e madhe e këtij vendi, në procesin e arritjes së standardeve Europiane dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian
Faleminderit.
05/08/2011