Kryeministri Berisha inauguron rrugën Fushë Krujë -Krujë-Sarisalltik, me vlerë 343 milion lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë paraditen e së shtunës, në inaugurimin e rrugës Fushë Krujë -Krujë- Sarisalltik, e njohur si rruga e Malit të Krujës, e cila të con në vendin e shenjtë të Sarisalltikut, me gjatësi 9 kilometra, gjerësi 6 deri në 8 metra dhe vlerë investimi 343 milion lekë.
Rruga e Sarisalltëkut, e cila i shtohet rrjetit modern infrastrukturor të vendit, është e njohur për pelegrinazhin e pandërprerë të mijëra besimtaërve e turistëve që vizitojnë këtë vend të shenjtë. Kjo rrugë turistike ëhstë gjithashtu një portë drejt monumenteve të rralla natyrore të zonës.
Gjatë viteve të fundit në rrethin e Krujës janë ndërtuar 121 km rrugë dhe segmente rrugore, 11 ujësjellësa, 13 shkolla, si dhe 21 qendra shëndetsore e ambulanca. Gjithashtu, janë restauruar Pazari karakteristik, kalldrëmi për në Kështjellën historike, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve.
Pas ceremonisë së inagurimit të rrugës kryeministri Berisha vizitoi teqen në vendin e shenjtë në Sarisalltik ku u kryen edhe ritet fetare. Më pas, kryeministri vizitoi Selinë e Kryegjyshatës në Krujë,simbol i besimtarëve bektashinj, ku u takua me përfaquesit e komunitetit bektashian të Krujës, të cilët i uruan kryeministrit ditëlindjen.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, shpreh sot gëzimin e madh, kënaqësinë time që inaugurojmë këtë rrugë, në majën, e cila sjell këtu në ballkonin e Skënderbeut, në majën e malit të Krujës, në vendin e shenjtë të Sarisalltikut , ndaj dhe le tu dërgojmë ne një përshëndetje vëllazërore të gjithë shqiptarëve nga ballkoni i Skënderbeut, ti garantoj se vitet në vazhdim kjo qeveri do të bëjë gjithcka që ti shndërrojë malet në zonat turistike më tërheqëse të vendit, që malet e ketij vendi, nga vende mundimi dhe skamje të shndërrohen në vende dëfrimi dhe mëkëmbje, të bëhentë njohura dhe në mbarë botën. Kam shumë kënaqësi që kjo rrugë inaugurohet dhe i sjell qytetarët e Krujës , i sjell qytetarët e mbarë Shqipërisë në vendin e shenjtë të Sarisalltikut, shenjtorit që e nisi shekuj më parë Haxhi Bektash Valiu dhe erdhi të mprehet këtu, në majën e malit të Krujës, u shndërrua në orën e qytetit, ndihmoi Skënderbeun në të gjitha betejat që fitoi dhe mbeti këtu i pavdekshëm .
Qytetarë të Krujës,
Jam këtu gjithashtu për tu angazhuar se shumë shpejt do të ndëtojmë rrugën tjetër për Qafë –Shtamë, një nga zonat turistike më të bukura të Shqipërisë. Kemi përfunduar projektin e rrugës Krujë –Tiranë dhe po i bëjmë retushimet e fundit.
Zoti Kryeytar i Bashkisë, Kruja ujë 24 orë, në mënyrë që ky qytet i mahnitëshëm, i bukur, ky qytet ku rreh zemra e madhe e historisë sonë kombëtare të ketë gjithcka që ka një qytet i standardeve evropiane. Kruja është krenari e kombit , është kryeqytetit i përjetshëm historik i shqiptarëve.
Turistët që vizitojnë Krujën, vizitojnë muzeun e Skënderbeut dhe muzeun e mrekullueshëm etnografik të qytetit tuaj , vizitojnë kështjellën, rrugën e pazarit, shijojnë gatimet, ushqimet dhe prodhimet tuaja. Që të gjithë kur kthejnë kokën nga maja e malit do të donin të gjendeshin në majën e saj. Ja që tani mund të vijnë me lehtësi në njërën prej rrugëve më të bukura dhe më panoramike të vendit.
Zoti Kryetar, ju falenderoj shumë për urimin që më bëtë dhe më duhet tu rrëfëj këtu të dashur qytetarë dhe qytetare të Krujës se pasioni im për majat daton në fëmininë time të hershme. Për ata që rriten në Alpe, ngjitja në majë është heroizimi i tyre i parë fëminor, mirëpo mua pasioni për majat nuk mu shua kurrë , ndaj dhe kam kënaqësinë më të madhe që sot festoj ditëlindjen time në ballkonin e Skënderbeut, në majën e malit të Krujës.
Zoti ju bekoftë ju, Krujën dhe mbarë Shqipërine.
15/10/2011