E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr urime nga të rinjtë e FRPD me rastin e ditëlindjes së tij

Kryeministri Berisha: Për mua, vitet e ditëlindjes janë vetëm numra

Kryeministri Berisha mori sot, një urim nga të rinjtë e Forumit të Partisë Demokratike, me rastin e ditëlindjes së tij.

I ndodhur në punimet e këtij Forumi, të rinjtë i dhuruan kryeministrit një pikturë dhe një buqetë me lule, së bashku me urimin për jetë të gjatë dhe punë të suksesshme në drejtimin e vendit.

Duke falënderuar të rinjtë e pranishëm, kryeministri tha se ditëlindjet janë për njeriun  ditë meditimi, reflektimi, por më shumë ditë mirënjohjesh për Zotin, familjarët, miqtë, të dashurit, kolegët, pa të cilët  njeriu e ka të pamundur arritjen e suksesit.

Duke i ftuar të rinjtë të besojnë tek forca dhe energjia  që ata mbartin në vetvete, kryeministri tha me humor, se vitet e ditëlindjes, për të janë vetëm numra. “Energjitë tuaja janë shumë më të mëdha nga ato që ju e mendoni, prandaj përpiquni ti përdorni në interesin tuaj më të mirë, në interesin më të mirë të shoqërisë. Kurse për mua, për tu kthyer përsëri tek ditëlindjet, vitet për mua janë vetëm numra."

Në përgjigje të urimit për ditëlindjen, Kryeministri u shpreh:

“Festa më e bukur e të gjitha ditëlindjeve të mia është kjo, që po kaloj sot me ju. Ditëlindjet janë ditë meditimi, ditë reflektimi dhe në çdo këndvështrim që ti analizosh ato janë më shumti ditë mirënjohjesh. Njeriu më së pari falënderon Zotin që më dha mundësinë të kap stacionin në të cilin ndodhem atë ditë, falenderon shumë familjen që e ka rrethuar, në një det ndjenjash më njerëzore sakrificash, ndihmash, dashurie, pa të cilat asnjeri nuk do të mund të ishte ai që është, falënderon të gjithë bashkëpunëtorët e tij që ka patur gjatë jetës dhe që ka, me të cilët ka ndarë përpjekjen e madhe ,me të cilët ka arritur objektivat që ka përcaktuar dhe pa të cilët ato objektiva nuk mund të arriheshin, nuk mund të realizoheshin.

Por pse e theksova që është shumë  e veçantë fillimi i ditës me ju, është shumë i veçantë sepse nderimi për mua personalisht, por jo vetëm për mua, cështe e vërteta, por për të gjithë shqiptarët, të cilët kanë qenë në një moshë 15-20 vjeçare apo më të madhe në vitet 90, me rininë lidhet ditëlindja  e dytë, ditëlindja e lirisë. Është rinia ajo që i bëri të lirë shqiptarët dhe për ju, që nuk keni atë memorie të asaj kohe dhe jeni fatlum që nuk e keni, duhet tu them vetëm një gjë: Po të mendoj të kthehem në rininë time dhe tuaj, unë ju garantoj ju, se ajo që ju mësoni në një javë, informacioni që ju merrni në një javë, sot është më i madh se sa ai që merrnim ne, me stërmundime të mëdha, në 5 vite të marra së bashku , sepse ju jeni të lirë.

Maksimumi i informacionit për ne, ishte radio ose televizioni më vonë. Informacioni përbën një instrument, një levë të fuqishme për të adresuar raportin e njeriut me të vërtetën. Nuk ka raport më të rëndësishëm për njeriun e qytetëruar sesa raporti i tij me të vërtetën. Ju keni shumë avantazhe me informacionin e madh që merrni. Ju notoni në një univers informacioni të gjithanshëm politik, ekonomik, shwndetsot, social, kulturor. Mosha  e internetit ka bërë sot, një transformim të paimagjinueshëm. E kam treguar shumë herë, po e tregoj edhe njëherë sot këtu. Kemi qenë në komitet shkencor evropian në vitet 86-90 dhe shkoja disa herë në vit në mbledhjet e tij. Në ato kohë nuk kishte internet dhe në Shqipëri kompjuterat ishin ekzotike, shumë të rralla. Amerikanët kishin vendosur një sistem në një universitet gjerman, ku dixhitalizonin 3 mijë tituj revistash shkencore. Në institucione të ndryshme ishin terminalet ku mund të klikoje dhe të kërkoje punimin që duhej. Kjo ishte e sistemit headline, pra po të kërkoje një fjalë nga ky tekst, të nxirrte artikullin e plotë. Çdo herë që kisha kohë të lirë jashtë takimeve dhe mbledhjeve të punës, unë e kaloja tek ky terminal dhe shkarkoja shumë artikuj.

Ky ishte një avantazh dhe një privilegj shumë i madh që unë kisha. Ndërsa sot, ka një botë e cila i përgjigjet  trurit tuaj, mendjes suaj, në mënyrën me efektive. Këtu qëndron dhe forca juaj. Dhe një gjë duhet ta dini që jeni shumë më të fortë se sa çmendoni. Energjitë tuaja janë shumë më të mëdha nga ato që ju e mendoni, prandaj përpiquni ti përdorni në interesin tuaj më të mirë , në interesin më të mirë të shoqërisë,.

Kurse për mua, për tu kthyer përsëri tek ditëlindjet, vitet janë vetëm numra.


15/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›