Kryeministri Berisha: Treguesit në fusha të ndryshme dëshmojnë se Shqipëria, ka bërë progres të admirueshëm në tre, katër vitet e fundit

- Janë një seri treguesish me të cilat Shqipëria renditet mes 20 vendeve të para të botës.
- Shqipëria ka një tregues që e pozicionon atë në vendin e 8 në botë dhe ky është treguesi i të drejtës ligjore, referencës që i behet ligjit në këtë vend, në vendimet që merren.
- Ka një tregues tjetër jashtëzakonisht domethënës që e rendit Shqipërinë në vendin e 9 botë dhe kjo është barra e rregullimeve shtetërore, pra ne jemi ndër 10 vendet me barrën më të vogël të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi dhe në tërësi.
Kryeministri Berisha foli sot gjerësisht në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për treguesin e ri global të kompetitivitetit të publikuar një javë më parë nga forumi ekonomik global.
Kryeministri tha se ky tregues krahas me treguesit e zhvillimit social që boton UNDP përbëjnë treguesit me kryesorë, më themelorë të kuotimit, të vlerësimit, të zhvillimit dhe progresit të zhvillimit të vendeve të botës.
Duke bërë një përmbledhje të historikut të këtij treguesi, Kryeministri shpjegoi se treguesi i ri global i kompetitivitetit llogaritet duke vlerësuar veprimtarinë e secilës prej fushave që mbulojnë ministritë përkatëse. “Treguesi i ri i kompetetivitetit global llogaritet duke vlerësuar të gjithë veprimtaritë që ju mbuloni, zotërinj ministra. Ka 12 shtylla dhe është deri tani treguesi që bazohet në një univers treguesish të tjerë. Aty janë të gjithë treguesit e agjencive që ju mbuloni, natyrisht të pacituara, por fushat janë të palëvizshme.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri kërkoi nga secila prej ministrive që bazuar në të dhënat e treguesve për vendin tonë të bëjnë një analizë të detajuar të punës së tyre. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne në dritën e kësaj analize të analizojmë punën tonë. Secila ministri, secila agjenci sot nuk ka një tregues më kompleks dhe më të përafërt me realitetin se sa ky. Natyrisht në analizën sipas sektorëve, ju do të gjeni dhe është normale, të dhëna, të cilat janë tejkaluar dhe kjo është në meritën e reformave, por do të gjeni të tjera ndaj të cilave duhet të mbahen qëndrimet më agresive për ti ndryshuar.” tha kryeministri.
Duke theksuar se progresi i Shqipërisë gjatë këtyre tre, katër viteve te fundit është i admirueshëm, kryeministri bëri të ditur se në një seri treguesish Shqipëria renditet mes 20 vendeve të para të botës. “Shqipëria lë prapa vende të zhvilluara përsa i përket disa sëmundjeve si tuberkulozi, Sida dhe disa sëmundje të tjera , të cilat me shpërthimet e tyre janë një problem madhor edhe për vende të zhvilluara. Shqipëria ka një tregues që e pozicionon atë, në vendin e 8 në botë dhe ky ëhsët treguesi I të drejtës ligjore, referencës që i behet ligjit në këtë vend, në vendimet që merren. Por ka një tregues tjetër jashtëzakonisht domethënës që e rendit Shqipërinë në vendin e 9 botë dhe kjo është barra e rregullimeve shtetërore, pra ne jemi ndër 10 vendet me barrën më të vogël të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi dhe në tërësi.” u shpreh kryeministri.
* * *
Kryeministri u ndal ndër të tjera në mbledhjen e sotme edhe në vendimet mbi kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit të studimeve “Master i Shkencave dhe “Master Professional” . Duke folur për këto vendime, kryeministri u shpreh se në në universitetin e vendit regjistrohen për master professional 15 mijë student, duke shënuar në këtë mënyrë një tregues shumë të mirë dhe inkurajues.
“Dhe ajo që është shumë inkurajuese është se 20 % e tyre janë në shkencat e ICT të teknologjisë së informacionit dhe shkenca të lidhura me to . Edhe kjo është dëshmi e një përpjekje të madhe të sistemit tonë arsimor për tu përshtatur me tregun dhe kërkesat e tij, për të krijuar burimet e domosdoshme njerëzore për Shqipërinë dixhitale” u shpreh kryeministri.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Kryefjala e kësaj mbledhje do të jetë treguesi global i ri i kompetitivitetit, i publikuar një javë më parë nga forumi ekonomik global. Ky tregues krahas me treguesit e zhvillimit social që boton UNDP përbëjnë treguesit me kryesorë, më themelorë të kuotimit, të vlerësimit, të zhvillimit dhe progresit të zhvillimit të vendeve të botës.
Indeksi i ri global i kompetitivitetit, ka një histori jo të gjatë, janë qarqet akademike ato të cilat e kanë elaboruar atë fillimisht si indeksi i kompetetivitetit të rritjes, në të njëjtin vit, i pari ishte i Jefrey Saks, Michael Porter, indeksi i kompetitivitetit të biznesit, më vonë treguesi i kompettivitetit global dhe më së fundi treguesi i ri i kompettivitetit global i cili llogaritet duke vlerësuar të gjithë veprimtaritë që ju mbuloni zotërinj ministra. Ka 12 shtylla, është deri tani treguesi që bazohet në një univers treguesish të tjerë. Aty janë të gjithë treguesit e agjencive që ju mbuloni, natyrisht të pacituara, por fushat janë të palëvizshme.
Po ndalem këtu sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne në dritën e kësaj analize të analizojmë punën tonë. Secila ministri, secila agjenci sot nuk ka një tregues më kompleks dhe më të përafërt me realitetin se sa ky. Natyrisht në analizën e tij sipas sektorëve ju do të gjeni dhe është normale, të dhëna, të cilat janë tejkaluar dhe kjo është në meritën e reformave, por do të gjeni të tjera, ndaj të cilave duhet të mbahen qëndrimet më agresive për ti ndryshuar.
Progresi i Shqipërisë gjatë këtyre tre katër viteve te fundit është i admirueshëm. Pra nga pozicioni i 109 që ishte tani është tek pozicioni i 78. Pra, nga vjet deri sivjet ka ngjitur 10 shkallë dhe ngjitja e shkallëve këtu është jo e lehtë, pra është një ngjitje me vështirësi serioze, e cila realizohet mbi të gjitha nëpërmjet zbatimit të reformave. Por përveç kësaj ngjitje të admirueshme që ka bërë Shqipëria që nga viti në vit ngjit më shumë se 10 shkallë, ka edhe disa të dhëna të tjera të cilat janë me të vërtetë shumë domethënëse. Janë një seri treguesish me të cilat Shqipëria renditet mes 20 vendeve të para të botës. Kështu Shqipëria lë prapa vende të zhvilluara për sa i përket disa sëmundjeve si tuberkulozi, Sida dhe disa sëmundje të tjera , të cilat me shpërthimet e tyre janë një problem madhor edhe për vende të zhvilluara.
Shqipëria ka një tregues që e pozicionon atë në vendin e 8 në botë dhe ky është treguesi i të drejtës ligjore, referencës që i behet ligjit në këtë vend, në vendimet që merren. Por, ka një tregues tjetër jashtëzakonisht domethënës që e rendit Shqipërinë në vendin e 9 botë dhe kjo është barra e rregullimeve shtetërore, pra ne jemi ndër 10 vendet me barrën më të vogël të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi dhe në tërësi. Kjo përbën një arritje shumë të madhe, një nga arritjet më të mëdha. Në raportin qeveri-shoqëri, qeveri -biznes, qeveri - ekonomi, nuk ka asgjë më shpresëdhënëse se sa ky tregues.
Ne, jo vetëm jemi një qeveri e vogël por të gjithë përpjekjet tona për të zhdukur ndërhyrjet e pavend të burokracisë, pengesat burokratike janë thellësisht rezultative dhe e rendisin Shqipërinë në 10 -tëshen e parë në botë. Të mos harrojmë edhe njëherë dua të theksoj se “Qeveria është problemi” thoshte Presidenti Regan dhe ju nuk më keni dëgjuar kurrë të them opozita është problemi se pse unë që nga vitet 90 e deri më sot mbaj të stamposur në mendjen time këtë postulat të Ronald Regan, i cili më ka ndihmuar mua të qeveris, jo vetëm kur kam qenë në maxhorancë, por edhe kur kam qenë në opozitë. Në qoftë se ne e mbajmë këtë parasysh, ne ruajmë si yll polar sensin e realizimit dhe luftojmë me burokracinë tonë. Nuk e kam fjalën këtu për individët, por ne luftojmë me procedurat burokratike për ti bërë ato sa më pak të mundimshme për qytetarët . Dhe çdo zyrtar duhet ta ketë këtë parasysh. Ju do të ndiqni nesër shtypin e kontrolluar që do të shkruajë se Berisha pranoi vetë se ai është problemi. Por unë dua tu rikujtoj se Berisha theksoi se duke patur parasysh këtë postulat, ai ka qeverisur edhe kur ka qenë në opozitë, prandaj nuk u bie mirë ta përmendin.
Ka një tregues tjetër edhe ky frymëzues, ku Shqipëria pozicionohet e 9 në botë. Shqipëria hyn në 10-tëshen e parë për sa i përket fillimit të biznesit. Shqipëria ka qenë dhe ruan pozicionin e saj e 15 në botë në mbrojtjen e investimeve në tërësi. Politika jonë e rritjes së pagave ka dhënë dhe ajo rezultatin e vet. Ka rregulluar atë raport që ekziston midis produktivitetit dhe mirëqenies, midis produktivitetit dhe pagave. Produktiviteti është dhe s’është prosperitet. Kjo është një nga të dhënat më kryesore të studimeve mbi të. Është në detyrën e reformave që ndërmerr qeveria që atë ta sh ndërrojë në prosperitet. Ku e gjen veten Shqipëria në botë, në këtë përpjekje për të harmonizuar pagat dhe produktivitetin? Në vendin e 17 në botë. Në qoftë se ky tregues do të llogaritej 7 vjet më parë Shqipëria ndodhej ndër më të fundit sepse pagat mbeten në nivelet më të ulëta dhe pensionet gjithashtu. Pra politika agresive që ne kemi ndjekur për rritjen e pagave e dëshmon këtë qeveri në grupin e 20 qeverive më të mira, në përpjekjen e saj për të lidhur në raport të drejt prodhimin me begatinë. Dhe këtu duhet ta kemi që qartë se më shumë se asgjë nuk lidh më ngushtë se kuleta apo kontoja, ndaj dhe ne do të vazhdojmë më tej, politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, politikë jashtëzakonisht e rëndësishme me shumë vështirësi dhe shumë e përgjegjshme. Në epiqendër qytetari dhe mirëqenia e tij dhe ky tregues dëshmon në mënyrën më të qartë zemrën e dhimbsur të kësaj qeverie, dëshmon fytyrën sociale të reformave tona. Ne jemi ndër më të paktat qeveri që ka rritur me 3 % të GDP faturën sociale nga 6% që e kemi gjetur ne. Pra janë 9 % shpenzimet që ne bëjmë për të gjithë spektrin social. Të mos harrojmë se në 8 vite, nga 97-2005 janë vendosur të marra së bashku, gjithsej 13 miliard lekë për rritjen e pensioneve. Nga viti 2006 deri më sot, pra në rreth 5 vite janë vendosur mbi 50 miliard lekë për rritjen e pensioneve. Kjo është e vërteta. Cilido që dëshiron, le të shkojë dhe të marrë statistikën. Po kështu fondi i rrogave, po kështu ndihma ekonomike, pra ne kemi bërë gjithçka që produktiviteti i këtij vendi të shndërrohet në mirësi, në mirëqenie, për çdo qytetar shqiptar dhe ne i përmbahemi kësaj politike.
Janë përmirësuar në frymën e modelit tonë ekonomike dhe shumë tregues të tjerë siç janë marrëdhëniet punëdhënës- punonjës. Shqipëria për këto marrëdhënie renditet e 21-ta në botë. Të mos harrojmë se grupi i OECD përbëhet nga 28 vende. Të mos harrojmë se në një mori nga këta tregues, ne lamë pas një numër të madh të këtyre vendeve më të zhvilluara të botës. Në përdorimin e celularëve, renditemi të 18-t në botë. Madje tani janë bërë dhe me tre katër celularë në xhep sa që shpesh të ndodh të kujtosh se je në një park me zogj kur dëgjon zilet e ndryshme që iu dalin nga xhepat.
Shtrirja dhe efekti i taksave. Ne kemi një vend të lakmueshëm. Ne renditemi të 24 në botë. Numri i procedurave të fillimit të biznesit renditemi të 23 në botë. Shkalla e orientimit të klientëve renditemi të 23, po kështu në kontrollin e shpërndarjes së brendshme qëndrojmë mirë dhe do ta përmirësojmë, por jemi në vendin e 23 në botë.
I garantoj shqiptarët se sa të qeveris, një nga drejtimet më themelore të kësaj qeverie do të jetë një shpërndarje sa më e ndershme dhe kontrolli i kësaj shpërndarje. Renditemi në arsimin e lartë, për trajnimin e stafit, në pozicionin e 32. Dalëngadalë po kapim vendet e OECD . Për cilësinë e matematikës dhe shkencave jemi në pozicionin e 42. Për cilësinë e sistemit arsimor, në tërësi jemi në pozicionin e 45, po disa të dhëna tregojnë se ka progres. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme një përpjekje e madhe që ne duhet të bëjmë për shkencën e matematikës, se ne e kemi dhunti leximin për të mos thënë dhe poezitë. Nuk ka popull që të ketë poetë dhe shkrimtarë popullorë më shumë se ne. Problemi është se na duhen matematicienë popullorë. Ne kemi bërë përpjekje, por është shumë e rëndësishme që të mbështesim talentet në matematikë. Ata janë jo të paktë ,dhe duhet ti mbështesim në mënyrë të diferencuar. Duhet të përgatisim të gjithë kuadrin tonë mbështetës për fëmijët që kanë talent dhe dhunti më shumë matematikën. Unë përgëzoj ministrinë për aplikimin e bursave për ta, por të shihen edhe përkujdesje të tjera shtesë, në mënyrë që të mund të ekuilibrojmë raportin midis të parës dhe të dytës. E para është e domosdoshme është shumë e dobishme për formimin kulturor të fëmijëve, por e dyta është jetike, përcaktuese për formimin e tyre shkencor.
Në transparencën e politikave ne pozicionohemi në vendit e 43 , ndaj dhe duhet urgjentisht të kompletohet e- government në të gjitha nivelet. Sot ka një mekanizëm kryesor për transparencën dhe kjo është mosha digjitale.
- Efikasiteti i bordeve të firmave, - në këtë tregues jemi mirë , renditemi në vendin e 27, hymë në grupin e vendeve të zhvilluara . Edhe ky është një tregues shumë i rëndësishëm. Tregon për aftësitë e bordeve të bizneseve shqiptare.
Ju garantoj që ka një punë shumë të madhe për të bërë. Nuk është problem për spaleta. Kjo bëhet para së gjithash dhe mbi të gjitha se këto janë shtyllat e zhvillimit. Ne kemi një projekt themelor dhe ky është projekti “Shqipëria, vend i zhvilluar.” Që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar duhet që çdo agjenci e këtij vendi, çdo ministri e këtij vendi, të shndërrojë në një program pune të gjithë problematikën e shtyllës respective dhe ta krahasojë këtë me vendet e zhvilluara. Mos të shohë në 30 vende e poshtë. Duhen marrë treguesit vetëm nga vendet e OECD. Sa u afrohemi dhe çfarë po bëjmë? Çfarë duhet të bëjmë që tu afrohemi, cilat janë by-passet e mundshme për të fituar kohën e humbur, cilat janë rrugët më të shkurtra për të arritur rezultatin e duhur. Në treguesit e zhvillimit social, jemi edhe 10 vende më mirë. Jemi 10 vende më mirë sepse sërish zemra e dhimbsur, aty ka peshën specifike më të madhe dhe ne jemi të dalluar për këtë , për politikat sociale. Pra, zotërinj ministra, do të merrni materialin dhe do të nxirrni shtyllën që i takon secilit. Do të uleni mbi treguesit dhe do të bëni programin e shtytjes përpara me reforma të arritjeve të këtyre treguesve. Ky tregues përfshin në vetvete të gjithë filozofinë e nje vendi të zhvilluar. Ky tregues bazohet në në tërësi reformash që duhet të ndërmarrim ne, që janë jetike për shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar, për integrimin e Shqipërisë në BE.
Sot, këtu kemi një seri çështjesh ne rendin e ditës, ndër të cilat do të veçoja Masterin Shkencor dhe Profesional. Në universitetin e vendit regjistrohen për master professional 15 mijë studentë. Kjo përbën një arritje, një tregues shumë të mirë dhe inkurajues. Dhe ajo që është shumë inkurajuese është se 20 % e tyre janë në shkencat e ICT të teknologjisë së informacionit dhe shkenca të lidhura me to . Edhe kjo është dëshmi e një përpjekje të madhe të sistemit tonë arsimor për tu përshtatur me tregun dhe kërkesat e tij, për të krijuar burimet e domosdoshme njerëzore për Shqipërinë dixhitale.
14/09/2011