Kryeministri Berisha inauguron rrugën e komunës Petrelë
Shqipëria u bë një nga vendet, ku jetohet më mirë, sepse në këtë vend u shumëfishuan potencialet ekonomike të qytetarëve shqiptarë.
Sot, vendi i tyre i fton ata [djemtë e vajzat e larguara në vitet ‘90] të kthehen, sepse është një vend ku jetohet mirë dhe janë hedhur baza të shëndosha, të fuqishme që, vitet që vijnë, zhvillimet të jenë shumë më të shpejta.
Në emër tuaj, i bëj thirrje opozitës, të heqë dorë nga nihilizmi
Kryeministri Berisha inauguroi dje pasdite rrugën e komunës Petrelë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 100 milion lekë. Rruga, e ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, të çon gjithashtu në kalanë e Petrelës, një ndër kalatë më të vjetra e panoramike të vendit.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që falë edhe rrugës së re kjo komunë dhe kalaja si simbol i saj bëhet më lehtë e arritshme jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vizitorët e huaj.
Kryeministri theksoi se gjatë 5 viteve të qeverisjes së kësaj mazhorance, në komunën e Petrelës janë investuar 850 milion lekë, ose 28 herë më shumë se në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme të marra së bashku.
Kryeministri siguroi banorët se qeveria do të mbështesë pushtetin lokal në të gjitha projektet, të cilat do të përmirësojnë edhe më tej jetën e tyre, si dhe do ta bëjnë Petrelën, një vend gjithnjë e më të mirë, për të jetuar dhe për t’u vizituar nga turistë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“së pari, ju përshëndes me përzemërsi dhe shpreh kënaqësinë time të madhe se inaugurojmë sot një nga rrugët më të bukura, më turistike të vendit, rrugën që sjell vizitorët në këtë komunë dhe në kalanë tuaj. Një vit më parë, në këtë shesh, ne premtuam ndërtimin e rrugës. Ne donin që rruga të ishte në lartësinë e parametrave që meritonit, në lartësinë e bukurisë së komunës suaj dhe të kështjellës historike të saj. Sot, ne inaugurojmë ndryshimin, inaugurojmë një rrugë, e cila ka parametrat më të mirë të transportit. Unë kam vizituar shumë kështjella në vende të ndryshme dhe ju garantoj se kam shkuar tek ato, natyrisht me rrugë të mira, por tek asnjëra me rrugë më të mirë se kjo që inauguruam sot.
Unë dua të falënderoj komunën dhe firmën e ndërtimit për punën që kanë bërë në këtë rrugë me vlerë rreth 100 milion lekë, me ndriçim dhe të gjitha sistemimet e tjera të nevojshme, duke punuar me dashuri të madhe dhe me respekt për ju dhe për Petrelën.
Në komunën tuaj janë investuar gjatë këtyre viteve të qeverisë së kësaj mazhorance, 850 milion lekë, 28 herë më shumë se 8 vite të tjera, të marra së bashku. Janë ndërtuar 33 kilometra rrugë, 3 sisteme ujitjeje dhe kanalizime, 2 shkolla 9 vjeçare dhe 3 qendra shëndetësore. Janë subvencionuar një numër i madh fermerësh për mbjelljen e ullinjve. Subvencionet e fermerëve janë 22 herë më të larta, sesa 5 vite më parë.
Unë besoj se të gjithë ata, të cilët nuk kanë frikë që të shohin të vërtetën në sy, apo ata, të cilëve fanatizmi politik nuk ua errëson sytë për të parë të vërtetën, e kanë sot të qartë si drita e diellit se këto investime e kanë bërë Petrelën një vend shumë më të mirë për të jetuar. Sikundër dua të deklaroj se investime të mëdha kanë marrë shumica dërrmuese e komunave të vendit dhe kjo qeveri ka investuar në infrastrukturë, ka ndërtuar dhe rindërtuar deri tani mbi 6 mijë kilometra rrugë, në mbarë vendin.
Qëllimi ynë më madhor është ndryshimi për mirë i jetës së qytetarëve shqiptarë. Ju jeni informuar se si një prej organeve më serioze i mediave botërore, pas një studimi, në të cilin ka angazhuar nobelistë dhe ekonomistë ndër më të mëdhenjtë, bëri listën e 100 vendeve të planetit, ku jetohet më mirë. Shqipëria, që vetëm 10 vite më parë renditej e 3-ta në botë me shkallën më të lartë të varfërisë dhe mjerimit, në klasifikimin e ri renditet e 57 në botë, për jetesën më të mirë. Kjo arritje historike për qytetarët shqiptarë, pjesa dërrmuese e të cilëve përjetuan ferrin e vërtetë të diktaturës komuniste, përjetuan varfërinë ekstreme, shtypjen më të egër, shndërrimi i vendit të tyre në një nga 57 vendet, ku jetohet më mirë në planet është padyshim arritja më e madhe e jetës së tyre.
Petrela, Tirana, mbarë Shqipëria u bënë një komunë e mirë, një qytet i mirë dhe një vend i mirë për qytetarët dhe jetesën e tyre. Në bazë të kësaj arritjeje qëndron shpirti juaj punëtor dhe i sakrificës, për vete e familjet tuaja, qëndron djersa dhe mundi i qindra e mijëra djemve dhe vajzave të këtij kombi, të cilët u larguan për kafshatën e gojës, por që u shndërruan në një mbështetje të fuqishme për familjet e tyre. Në themel dhe në bazë të kësaj arritje qëndrojnë politikat e kësaj qeverie, të cilat vendosën qytetarin në epiqendër të të gjitha përpjekjeve të saj. Shqipëria u bë një nga vendet e mira, ku mund të jetohet, sepse në këtë vend, në një kohë rekord u asfaltuan mbi 6 mijë kilometra rrugë.
Shqipëria u bë një nga vendet, ku jetohet më mirë, sepse në këtë vend u shumëfishuan potencialet ekonomike të qytetarëve shqiptarë, reformat e thella bënë të mundur të shumëfishohen investimet publike dhe private në të katër anët e vendit, bënë të mundur që pasuritë e mëdha të shndërrohen në vlera për qytetarët shqiptarë. Shqipëria u bë një vend, ndër më të mirët për të jetuar, sepse në këto 5 vite, ne vendosëm në epiqendër të përpjekjeve tona, sistemin arsimor, shkollimin më të mirë të djemve dhe vajzave të Shqipërisë në universitetet tona. Në harkun kohor 5 vjeçar, si në asnjë vend tjetër, numri i studentëve është trefishuar. Sistemi shëndetësor njohu reforma të thella. Shqipëria u bë një vend më i mirë për të jetuar, sepse ne dyfishuam rrogat e shumicës së punonjësve të administratës, dyfishuam pensionet në fshat, dyfishuam ndihmën ekonomike.
Mendoni vetëm një moment të kthehemi së bashku në vitet 90. Eksodet biblike të të rinjve shqiptarë dhe asnjë prej tyre nuk u largua pse nuk donte dhe nuk kishte dashuri dhe mall për shtëpinë, familjen dhe vendin e tij, por që të gjithë u vërsulën në det nga skamja dhe mjerimi.
Sot, vendi i tyre i fton ata të kthehen, sepse është një vend ku jetohet mirë, sepse këtë vit, vendi i tyre merr më shumë vizitorë e turistë, sesa çka popullatë, sepse janë hedhur baza të shëndosha, të fuqishme që, vitet që vijnë, zhvillimet të jenë shumë më të shpejta.
Qytetarë dhe qytetare të Petrelës, të dashur vëllezër dhe motra,
Krahas këtij realiteti të qartë si drita e diellit, ekziston edhe Shqipëria tjetër, Shqipëria që shihet nga kullat e Fidelit, nga ku, ajo duket e zezë sterrë. Prandaj ju bëj thirrje që t’i ftoni deputetët e opozitës në këto, kafenetë tuaja të mrekullueshme, të vijnë të prekin realitetin, të dalin nga kullat e Fidelit e të shohin se Shqipëri është krejt tjetër, se Shqipëria po ndryshon përditë dhe po bëhet gjithnjë e mirë për të jetuar.
Në emër tuaj, i bëj thirrje opozitës, të heqë dorë nga nihilizmi. Nihilizmi i ka rrënjët e veta në fundamentalizmin komunist, totalitar, trashëgimi e keqe e Partisë Socialiste. Nuk mund të faktoj se kjo parti është e reformuar, duke mohuar nga mëngjesi deri në darkë gjithçka pozitive që zhvillohet në këtë vend.
Unë nuk them se nuk ka të meta, nuk them se nuk ka vështirësi serioze. Jam i vetëdijshëm se ka njerëz që vuajnë, por që këto janë të gjitha në pakësim të shpejtë. Jam i vetëdijshëm se ka ende qytetarë në mjerim, por unë i garantoj se brenda këtij mandati, në këtë vend nuk do të ketë qytetarë shqiptarë që të qajë me lotët e ftohta të mjerimit, çdo ditë.
Ndaj do ta mbyll fjalën time duke ju siguruar ju, kryetarin tuaj të komunës se do ta mbështesim në të gjitha projektet, me të cilat do të përmirësojë edhe më tej jetën tuaj, do ta bëjë Petrelën, një vend gjithnjë e më të mirë për të jetuar ju, fëmijët tuaj dhe për t’u vizituar nga turistë nga mbarë bota. Faleminderit.”
24/08/2010