Ministri Pollo në festën e Kulmakut: Rrugët rurale, prioritet i qeverisë
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo, i shoqëruar nga Prefekti i Qarkut të Beratit, z. Bujar Hoxhaj, ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në malin e Tomorrit për festën e Abaz Aliut, një festë kjo tradicionale për të gjithë besimtarët bektashinj, e cila mbledh për pelegrinazh të përvitshëm në malin e Tomorrit besimtarë nga të gjithë qytetet e Shqipërisë, por edhe me gjerë, nga trojet shqiptare, Amerika, Evropa etj.
Në teqenë e Kulmakut z. Pollo u prit nga Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i cili i shprehu ministrit Pollo konsideratën e tij për investimet e qeverisë në çdo skaj të vendit, çka e ka bërë, sipas tij, më të lehtë rrugën e pelegrinëve për në këto vende të shenjta.
Ministri Pollo nga ana e tij shprehu vlerësimin e tij të madh për këtë festë, që, sipas tij, është një festë që nuk i takon vetëm bektashinjve, por të gjithë shqiptarëve anembanë vendit. Më tej z. Pollo në fjalën e tij tha: “Ne sot vërtetë jemi përfaqësues të qeverisë, por rituali i festës më të madhe që kanë bektashinjtë e Shqipërisë dhe përtej na ka sjellë sot këtu përulësisht, njëlloj si ju, dhe është momenti që, krahas faljes, krahas besimit, krahas respektit për të parët, të kujtojmë edhe një traditë, si tradita bektashiane, që është e pashlyeshme në historinë e hershme, por edhe në historinë moderne: frymën e hapur, vemendjen për njeriun, respektin per besimet e tjera por edhe mënyrën sesi kjo traditë dy shekuj më parë u kthye në një vatër të fuqishme, apo më të fuqishmen e frymës kombëtare që çoi në bërjen e kombit shqiptar.”
“Ditët kur ne kujtojmë Abaz Aliun – vijoi më tej z. Pollo në fjalën e tij, - është e drejtë të kujtojmë gjithë ata aktivistë të kësaj fryme, të kësaj fjale, të cilët kanë sakrifikuar deri jetën e tyre për diçka më të lartë: për një besim që karakterizohet në radhë të parë nga dashuria për tjetrin, për të afërmin, dashuria për njeriun, njëlloj si për burrin ashtu edhe për gruan.” Në fund të fjalës së tij z. Pollo tha se ne jemi përfaqësues të botës laike, por detyrat tona janë të tjera, kështu që kujdesin e shpirtrave ia besojmë barinjve të grigjës.
“Por është detyrimi ynë që po e ndjekim, që edhe rrugët për të ardhur këtu, të bëhen ashtu siç janë bërë rrugët në të gjithë Shqipërinë, dhe të jemi të bindur që ato rrugë do të realizohen, si ajo që vjen nga Pronoviku, ashtu si edhe ajo që vjen nga Gjerbësi, në mënyrë që kjo festë ku mblidhen besimtarë jo vetëm nga Skrapari dhe Qarku i Beratit, nga gjithë Shqipëria, por edhe nga përtej kufirit, të jetë e tillë, që të vijnë, të rrinë, të festojnë, të gëzojnë, të besojnë dhe të luten, të marrin mirësinë, mbarësinë dhe bekimin e Abaz Aliut dhe për t’u kthyer nga kanë ardhur, e të vijnë sërish pas një viti.” – përfundoi fjalën e tij ministri Pollo.
Festa e ditëve të Tomorrit fillon për çdo vit në 18 gusht dhe zgjat deri në 25 gusht, kur është edhe dita përfundimtare zyrtare e kësaj feste.
23/08/2010