E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret përfaqësuesit e një grupi anglez që punon fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane

Kryeministri Berisha priti sot përfaqësuesit e një grupi anglez që punon fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane, duke përfshirë edhe riciklimin dhe duke eliminuar Landfillin. Në përbërje të këtij grupi janë kompania EHS Global Solutions, kompania Bollegraaf, kompania Lubo Systems dhe kompania Enpur, të cilat përfaqësoheshin nga drejtori ekzekutiv i EHS Global Solutions z. Bill Findlay dhe drejtori i projekteve z. Steve Gerry.

Gjatë takimit, ata i thanë Kryeministrit se vendimi i grupit të kompanive për tu shtrirë edhe në Shqipëri ka ardhur si pasojë e tërheqjes së vëmendjes nga rezultatet e Shqipërisë në vitet e fundit në drejtim të lehtësimit të bërjes biznes dhe krijimit të një atmosfere shumë tërheqëse për investitorët e huaj.

Teknologjia që ata prezantuan siguron përpunimin e mbetjeve urbane, mbetjeve mjekësore, si dhe gomave jashtëpërdorimit të automjeteve duke eliminuar grumbullimin e mbetjeve në Landfille dhe duke siguruar riciklimin dhe prodhimin e energjisë pas përpunimit. Ky grup ka impiante të mëdha përpunimi në Angli, Amerikë, Meksikë dhe po përgatit projekt-propozime për rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë. Zgjidhjet e tyre janë ambientaliste dhe efiçente.

Kryeministri Berisha i falënderoi ata për interesin e shprehur dhe projekt-idenë e paraqitur, si dhe i garantoi që ky propozim do të shqyrtohet dhe vlerësohet nga qeveria e tij me përparësi konform ligjeve në fuqi.

Më tej, Kryeministri u shpreh se problemi i përpunimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane dhe spitalore është në qendër të interesit të qeverisë së tij, sepse është i lidhur ngushtë me higjienën, turizmin dhe ambientin. Kryeministri u shpreh se në bashkëpunim me pushtetin lokal po punohet për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë dhe efiçente.


23/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›