E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha nis takimet me grupet e interesit, akademikë dhe profesionistë mbi tema të zhvillimit afatgjatë dhe integrimit evropian të vendit

Me nismën e kryeministrit e kryeministrit Berisha, u organizua sot Workshopi “Shqipëria 2022, Mundësitë dhe Sfidat për rritje ekonomike afatgjatë”, i cili shënon nisjen e  një serie aktivitetesh bashkëbisedimi me grupet e interesit, akademikët dhe profesionistët mbi tema të zhvillimit afatgjatë dhe integrimit evropian të vendit.

Me synimin që nëpërmjet një dialogu të përbashkët të ndërtohet vizioni për 10 vjeçarin në vijim, Kryeministri ftoi përfaqësuesit e botës akademike, të profesionistëve të biznesit dhe të shoqërisë që të japin opinionet dhe sugjerimet e tyre mbi çështjet ekonomike, mundësitë realiste për zhvillim ekonomik, vështirësitë, rreziqet, si dhe politikat dhe instrumentet për të mundësuar një rritje ekonomike të lartë, përfshirëse dhe të qëndrueshme.  

Takimi i zhvilluar në formën e një bashkëbisedimi u fokusua në temën e rritjes ekonomike, parë në këndvështrimin e lidhjes së saj me disa sektorë të rëndësishëm si infrastruktura, energjia  e rinovueshme, investimet e huaja direkte, ICT, punësimi, etj.  Të pranishmit dhanë mendimet  e tyre, sipas fushave të caktuara, si dhe shkëmbyen idetë për të përmirësuar rrugët dhe format drejt një ekonomie në rritje dhe në zhvillim.

Në nisje të aktivitetit, kryeministri iu drejtua me një fjalë të pranishmëve, të cilët i vlerësoi për punën e shkëlqyer  të bërë në katedrat dhe departamentet e shkollave të larta të vendit, për kërkimet shkencore të realizuara prej tyre, etj.

Duke vlerësuar rritjen ekonomike si gjeneratorin kryesor të punësimit, mirëqenies dhe zhvillimit të vendit, kryeministri u shpreh se mendimet dhe opinionet e pjesëmarrësve në këtë aktivitet kanë një vlerë të veçantë si në programin aktual të qeverisë, ashtu dhe në programin e ardhshëm të saj.

Kryeministri theksoi se është e rëndësishme që modeli i suksesshëm i ekonomisë shqiptare të përmirësohet dhe të konsolidohet më tej, në vitet që vijnë  në mënyrë që rritja ekonomike të mbetet e vijueshme. Në këtë kontekst, Kryeministri renditi një sërë reformash të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat kanë qenë vendimtare në përcaktimin e suksesit të ekonomisë shqiptare dhe kërkoi që mendimi intelektual i profesionistëve të kësaj fushe të jetë gjithmonë një konsulencë e pranishme në nismat e qeverisë.

Më pas, kryeministri dëgjoi prezantimin e ideve dhe opinioneve prej të pranishmëve, si dhe iu përgjigj interesit të tyre lidhur me tematikën e Workshop.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dua të shfrytëzoj kë rast për tu falënderuar shumë për përgjigjen ndaj ftesës dhe për të shprehur vlerësimin tim të madh për punën e shkëlqyer që bëni në katedrat e departamentet e shkollave të larta të vendit, të universiteteve, kërkimet shkencore tuaja dhe gjithashtu tu informoj ju se me këtë takim ne hapim siparin e  një konsulte të gjerë me grupe të shoqërisë shqiptare, por dua të theksoj se çështja që trajtojmë ne sot është më e rëndësishmja, është në kuptimin hierarkik, çështja e parë, ose kryeçështja e programit të qeverisë dhe programit të ardhshëm.

Gjithashtu nuk ka dyshim mendimet dhe idetë tuaja janë të një vlere të veçantë për programin aktual dhe të ardhshëm të qeverisë. Rritja ekonomike është gjeneratori kryesor i punësimit, i mirëqenies, i zhvillimit, i të ardhurave.

Sot në kohën e krizës më të thellë që bota perëndimore, Evropa, ka njohur që nga vitet ‘30 të shekullit që shkoi, natyrisht rritja ekonomike shndërrohet në diçka pothuajse të amëshuar , në kuptimin që rënia e saj , mungesa e saj ka realisht pasoja ekonomike dhe sociale, pothuaj katastrofale në një seri vendesh. Kriza që përjeton sot, më së shumti bota perëndimore është një krizë multidimensionale, euro është vetëm një nga aspektet  e saj, por faktorë të tjerë strukturorë shumë të rëndësishëm dhe jo të lehtë për përgjigje imediate qëndrojnë në themel të saj. Globalizmi, kjo orë fatlume për shoqërinë njerëzore pasi ridimensionoi, i dha kapitalizmit, sistem i iniciativës së lirë, përmasa që kurrë nuk i ka patur më parë, duke futur në skenë gjigandë si Kina , India dhe vende të tjera të botës, ka patur në mënyrë të pashmangshme direkte pasoja serioze në botën perëndimore dhe ka sjelle sot nocionin e rëndomtë se jetojmë në një kohë postperëndimore. Sot rëndom flitet se Evropa apo perëndimi pësoi deindustrializimin. Sot energjia  e tregut, vrulli i tij po shkon gjithnjë e më shumë drejt kontinentit më të madh të planetit që është Azia. Shqipëria, nuk po them molekulë, por kjo pikë uji në oqeanin global, në këto vite ia doli të ruajë rritje ekonomike. Shqipëria, ia doli të ruajë në 4 vitet e fundit një rritje ekonomike 4 herë më të madhe sesa mesatarja  e rritjes ekonomike të rajonit, ndonëse i ndjeu pasojat  e krizës. Shqipëria nuk ra në recension, modeli i saj ekonomik funksionin, por ky model ka nevojë në vitet që vijnë për një përmirësim të mëtejshëm në mënyrë që ne të mbetemi vend me rritje ekonomike. Ambicia ime ka qenë gjithmonë për një rritje dyshifrore dhe kur ne kapëm në vitin 2008 rritjen 8.2 % mendoja se po kapnim qiellin, por kriza pati ndikimet e veta. Rritja ekonomike u përgjysmua, por përsëri mbeti. Shqipëria mbeti si një ishull në raport me vendet e tjera për rritjen ekonomike. Shqipëria ka një borxh publik rreth 60 % , por borxhi i Shqipërisë është tërësisht i kontratuar në përputhje me ligjin e artë të ekonomisë, i cili në vitet ‘60 këshillonte “borxhe vetëm për investime”, dhe ne kemi marrë borxh vetëm për investime . Dhe kjo ka bërë që në rast se vende të tjera të kishin një borxh publik, 3-4 vjet më parë, 2 deri në 3 herë më të ulët se sa Shqipëria,  kanë patur 2 apo trefishim të borxhit, ndërsa Shqipëria ka patur lëvizje të tij me 1 deri në 2 %.

Një seri faktorësh kanë ndikuar në mbajtjen e rritjes ekonomike në Shqipëri, këta faktorë janë para së gjithash reformat ekonomike, liria ekonomike. Institucionet më serioze që përllogarisin këtë liri kanë thënë se Shqipëria vrapon në raport me zgjerimin e lirisë ekonomike. Ajo zbriti nga pozicioni i 34 që mbante disa vite më parë , në pozicionin e 12 sot . Shqipëria është e vendosur në një pozicion shumë të lakmueshëm në raport me lirinë fiskale. Natyrisht ndikim të padiskutueshëm kanë patur investimet në infrastrukturë, përmirësim  madh i klimës të investimeve të huaja direkte, ndikim kanë patur vendosja e taksës së sheshtë, rënia po largimi i një sërë pengesash burokratike për biznesin, po  Shqipëria ende është larg një vendi ideal për biznesin, ndaj dhe unë jam jam sot këtu për tu ftuar ju të jepni mendimet tuaja. Unë jam i hapur për çdo pyetje, por më shumë jam i interesuar për mendimet tuaja , se çfarë duhet të bëjmë ne për të ruajtur rritjen ekonomike, si gjenerator kryesor i punësimit dhe zhvillimit të vendit. Ku duhet të ndërhyjmë ne, çfarë shihni ju në modelin ekzistues që duhet përmirësuar dhe ndryshuar. Dhe ne në qoftë se në disa linja kryesore kemi operuar me guxim dhe vendosmëri jam i bindur se ky model ka nevojë për ndërhyrje të shumta të tjera për tu konsoliduar më tej. Kjo ekonomi dhe kjo rritje nuk është në monokulturë, pra është një rritje me diversifikim të ekonomisë. Së dyti ideja se Shqipëria nuk është aq e lidhur me diktatin e orës globale është naive. Dhe kjo sepse ekonomia e vogël e Shqipërisë është e detyruar të jetë hiperglobale. Imagjinoni u një vend që nuk ka një bankë të vetën, i ka të gjitha të gjitha bankat të vendeve të sistemit të Euros, një vend që importon importe jashtëzakonisht të larta në % të gjitha nga BE. Pra Shqipëria është e detyruar dhe ndjek tik-takun e kësaj ore. Shqipëria ka avantazhet e saj sepse ka një ekonomi reale në zhvillim. Ekonomia shqiptare nuk u bazua dhe nuk është e bazuar kryesisht në shërbime, qofshin ato financiare apo të tjera.

Ekonomia shqiptare është e bazuar në prodhim. Fakti që ia del në kulmin e kësaj krize, në  vitin 2009 që të dyfishojë eksportet është dëshmia më e qartë e saj. Unë nuk do të vazhdoj më tutje , por si ekonomistë në tërësi ju që jeni do tu citoj ju Robert Lukas një ekonomist të njohur, i cili thotë se çështja e rritje ekonomike është aq pasionante sa që njëherë po të flasësh për të nuk mund të mendosh për gjë tjetër. Është e vërtetë dhe në këto 20 vjet nuk kam menduar ndonjëherë për ndonjë gjë më shumë se sa për rritjen ekonomike dhe ju ftoj ju të jepni mendimet tuaja. Ky është fillimi i një dialogu me ju dh e ju garantoj se do të ndjekim me shumë interes mendimet dhe opinionet tuaja për një rritje ekonomike të vendit.

* * *

Të ftuarit që morën fjalën më pas vlerësuan këtë iniciativë të kryeministrit dhe mundësinë për të komunikuar drejtëpërsëdrejti me të dhe për tu ballafaquar, nëpërmjet ideve për cështje të rëndësishme të zhvillimit të vendit.

Përsa i përket opinioneve të paraqitura lidhur me  raportin midis sektorit publik dhe atij privat në degët kryesore strategjike të ekonomisë, forcimit të enteve rregullatorë në sektorë të tillë, strategjikë siç janë karburantet, energjia elektrike, sektori i sigurimeve, etj, si dhe lidhur me sistemin banker,  Kryeministri Berisha u shpreh:

“Forcimi i enteve rregullatorë është absolutisht i domosdoshëm dhe në këtë drejtim në rast se ju vështroni sektorët një tendencë e qartë pozitive ekziston. Enti rregullator i telekomunikacionit me qëndrimet e tij ligjore ka bërë të mundur që sot tregu të ndormalizohet, në disa aspekte , aspektet  e tjera janë në proces sesi të konsolidohen më tej.

Jam plotësisht dakord me shqetësimin e shprehur këtu për sistemin bankar. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Një nga sukseset më të mëdha të këtij procesi ka qenë sistemin bankar i cili erdhi nga vendet me tërësi të eurozonës, pra vendet me një sistem baniar nga më të kosnsoliduario. Nuk mund të  mohohet që ky sistem bankar sot në Shqipëri për shkak të krizës  se euros përjeton vështirësi reale, për shkak të euros së sëmurë dhe do të donim shumë që të merrte veten, sepse u themelua mbi një lloj gjysëm utopie dhe jo në përputhje me parimet bazë financiare të tregut bankar, kjo monedhe do të vazhdojë për  kohë me problemet e veta, natyrisht do të zgjidhë . problemi ëhstë se sistemi ynë bankar  në tërësinë e tij, me ndonjë   përjashtim në tërësinë  e tij i bazuar mbi euron, ne banka që vijnë nga zona euros.

Dy janë përgjigjet shumë të rëndësishme që do të japim:

Së pari, diversifikimi i sistemit bankar. Duhet të bëjmë gjithçka për të inkurajuar bankat nga vendet e ndryshme. Zvicra  është një nga këto vende, Turqia, SHBA . Eshtë inpereative dhe po mendohet gjithnjë e më shumë çka më parë nuk ishte menduar ndonjëherë, krijimin e një banke shqiptare të zhvillimit. Kriza financiare është krizë financiare, do të jetë jo afat shkurtër dhe gjithnjë e më shumë duhet menduar krijimi i një banke shqiptare zhvillimi, natyrisht me destinacion në sektorë të caktuar. Unë jam plotësisht dakord me ju, leksionet e krizës  janë të mëdha dhe një nga leksionet më kryesore të kësaj krize është se nuk duhet hequr kurrë dorë nga prodhimi sa më i madh i komoditeteve. Prodhimi bujqësor bazuar në metodat shkencore të dhjetëfishojë si në asnjë sektor tjetër prodhimin dhe kjo përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Ne mendojmë se pa ndërtuar një infrastrukturë bazë aty ku jetojnë fermerët, nuk mund të behet fjalë për nxitje të prodhimit të tyre. Orenja është një nga zonat që prodhon gështenjat më të mira të Shqipërisë, por gështenjat e tyre mbeten me një  konsum rudimental, sepse nuk arrijnë dot në TIranë, nuk arrijnë dot në Elbasan paçka se nuk është më shumë se 40-50 km distancë nga Mali i Dajtit, ndaj dhe ne do të përqendrohemi fuqishëm në bujqësi. Pas përfundimit të projektit të infrastrukturës rurale, projekti i vitit që vjen do të jetë një vaditje e standardeve më të mira, do të jetë një mbështetje. Nuk ka kund në Europë tokë me pjellore se toka Shqiptare, në mënyrë absolute dhe  është një nga mekanizmat për të përmirësuar balancin tregtar. Ky balanc është i rëndësishëm për konsolidimin e ekonomisë.Jam dakord me çështjen e financimit.

Si të dalim, si të mobilizojmë kapitalin  e fjetur? Një nismë rudimetare ka filluar për angazhimin e qytetarit për blerjen e bonove të thesarit , por ne do të studiojmë edhe mënyra të tjera. Paraja në gjumë është para pa vlerë. Duhet të bëjmë gjithçka që të inkurajojmë qytetarët që ti investojnë ato, duhet të bëjmë gjithçka për të konsoliduar kompanitë e sigurimeve dhe në një kohë të afër fondet e pensioneve, ekonomia ka nevojë jetike për oksigjen dhe ky është financimi. Jam dakord me thellimin e mëtejshëm të lehtësimit të barrës fiskale. Kriza në të vërtetë ka një nga faktorët më kryesore, sistemin fiskal progresist të trashëguar, ky është sistemi Marksit, sistemi progresist u konsolidua në doktrinën e Marksit , për fat të keq nuk është kuptuar ky është një nga shkaqet e kësaj katastrofe, sepse nxit informalitetin me përmasat më gjigante. Aty ku ka informalitet, liria  e tregut është në vuajtje, kushti më themelor për të konsoliduar lirinë e  tregut nuk është niveli i taksës, jo, është lufta efiçentë kundër informalitetit . Ndaj dhe ne do ti studiojmë bashkë me ekipin  e ministrisë së financave se çfarë ndërhyrjesh të tjera duhet të bëjmë për të lehtësuar barrën fiskale mbi sipërmarrësit shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë. Besoj se çështja më kryesore. Por çfarë do të kërkoja unë nga ju. Një problem themelor në këtë krizë ka dalë ngurtësia e tregut të punës. Asgjë nuk është e lidhur me shumë me konkurrencën sesa fleksibiliteti i tregut të punës. Kjo përben një kusht themelor të një zhvillimi prespektiv. Gjermania qëndron në krye për shumë mekanizma dhe absolutisht me themelor është tregu i saj fleksibel i punës , reformat që bëri ajo për tregun e punës dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për ti dhënë vendit tregun e punës më fleksibel. Njerëzit duan punë, punën e krijon rritja ekonomike, liria ekonomike.

Në përgjigje të interesimit të pjesëmarrësve rreth çështjeve të  arsimit, tregut të punës, procesin e politikëbërjes dhe të transparencës fiskale, burimet natyrore dhe riciklimin e tyre, rritjet ekonomike në lidhje me mjedisin dhe rëndësia e elektronikës, internetit në zhvillimin ekonomik, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të gjithë  ata që shprehen këto pikëpamje, bie plotësisht dakord  se arsimi është dhe mbetet pa mëdyshje me cilësitë e tij dhe faktorët e tjerë, faktori me përcaktues i zhvillimit i shpejtësisë së zhvillimit, i cilësitë së zhvillimit. Mendoj se këto vite ne kemi pasur një përqendrim serioz në drejtim të arsimit, natyrisht ne nuk jemi afër atyre objektivave madhore që duhet të realizonim, por cilësia në arsim nuk ka asnjë lloj mënyre tjetër për tu realizuar përveç se lirisë akademike dhe garës brenda tij.  Ne në vitin 2005 kemi pasur një nga treguesit më të dobët të numrit të studentëve për frymë. Kemi patur 12 studentë për 1 mijë banore, sot jemi mbi mesataren evropiane, kemi mbi 50 studentë për 1 mijë banorë. Sot kemi një nga shkallët më të larta të rekrutimit të atyre që mbarojnë shkollat e mesme në shkolla të larta. Por sot ne kemi probleme madhore me cilësinë, me përshtatjen e arsimit ndaj tregut dhe dalim tek fleksibiliteti i tregut të punës, kemi probleme madhore me nxitjen dhe inkurajimin e kërkimit shkencor. Nuk mund të ketë jetë akademike, nuk mund të ketë  universitet pa veprimtari intensive kërkimore shkencore, të orientuar drejt tregut dhe në funksion të tij, të zgjidhjes së problematikave kombëtare ndërkombëtare sipas rastit.  Ndaj dhe në këtë aspekt qeveria duke qene e përkushtuar ndaj arsimit publik është prapa në mbështetjen që ajo duhet ti japë arsimit privat. Me bindjen më të thellë e them këtë. Qeveria ka bërë një gjë shumë të madhe që është përpjekur ta nxisë. Sot kemi 32 mijë studentë në arsimin e lartë privat. Nga 10400 pedagogë  dhe asistentë që kemi në mbarë vendin, 4200 janë në sektorin privat. Nuk them se këtu është realizuar objektivi i atyre që i kanë themeluar, por ka prej këtyre universiteteve private që e fillojnë  orën e parë me anglisht dhe e përfundojnë me anglisht. Kjo është çështje epërsie. Për të gjithë ne që i besojmë arsimit të lartë, ne e dimë që teksti është themelor, me tekstet e kohës së sotme janë të shkruara në anglisht. Në qoftë se ne duam të shënojmë një hap të madh cilësor para, ne duhet të vendosim tekstet në shërbim të studentëve tanë. Ndaj dhe për të nxitur arsimin privat ne do të miratojmë ligjin për stimujt e këtij arsimi. Nuk mund ta konsiderojmë më tutje ne, njërin të nënës dhe tjetrin të njerkës. Shqiptarë janë ata që shkojnë në arsimin publik dhe shqiptarë janë dhe ata që shkojnë në arsimin privat. Nxitja e garës mes njërit dhe tjetrit do të ketë shtytje të fuqishme drejt cilësisë. Ne jemi shumë prapa me përshtatjen e arsimit profesional me tregun. Ky vit shënon një hap shumë të rëndësishëm, sepse jemi ndeshur edhe me konceptin e familjarëve, të cilët nuk donin ti nisnin nxënësit në shkollat profesionale. Sivjet ka një zhvillim pozitiv për rekrutimin e nxënësve në shkollat profesionale, i cili rezulton të jetë i barabartë me të gjitha vitet e tjera. Këtu ju përket ju me programet tuaja të bëni çdo gjë për tu përshtatur me tregun.

Çështje themelore për zhvillimit të një vendi është përpjekja  e madhe për një pjesëmarrje sa më të barabartë gjinore. Me këdo që bisedon ekonomist, dijetar për ato vende në të cilat gratë nuk kanë kontribut tjetër përveç kontributit në punë shtëpiake absolutisht ajo përllogaritet si një faktor zhvillimi të pasigurt , të paqëndrueshme si një faktor që pengon zhvillimin. Sidomos sot, pas testeve që faktojnë se gratë tejkalojnë burrat në intelekt, ndaj duhet bërë gjithçka edhe më shumë për një pjesëmarrje të tyre në vendimmarrje, në tregun e punës. Pa kontributin e tyre, padiskutim që rritja ekonomike dhe zhvillimi do të jetë definitar.

Duke marrë parasysh testet se gratë tejkaluan burrat në intelekt unë jam i bindur se rritja që do të vijë nga muskujt, prapë do të mbetet pronësi e burrave dhe ajo e mendjes gradualisht do spostohet drejt grave.

Reforma territoriale veçanërisht krijimi i rajoneve është konditë jetike si për zhvillimin dhe përdorimin më të mirë të të gjitha burimeve të brendshme, ashtu edhe për bashkëpunimin pasi kemi të bëjmë me Europën e kombeve, por nga ana tjetër është Europa  e rajoneve  dhe në këtë mënyrë rajonet, kanë të drejtën e komunikimit direkt në Bruksel për projektet zhvillimore. Uroj dhe shpresoj që opozita të lodhet në një moment të caktuar dhe ta votojë këtë reformë, sepse kjo është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptare dhe ajo mbetet pa asnjë mëdyshje qëllimi ynë madhor.

Jam plotësisht dakord me shqetësimet tuaja për transparencën e autoriteteve fiskale dhe transparenca në çdo gjë është jetike, por në sistemin fiskal ajo ka rëndësinë më themelore, sepse ka të bëjë me çështjen e lirisë së tregut, ne kemi një sistem dixhital dhe po vendosim tani një sistem të ri dixhital, ndër më të avancuarit, i cili jam i bindur se do të rrisë në mënyrë të ndjeshme përformacën e këtij sistemi. Çështja që shtroni ju për pronësinë intelektuale është çështje madhore nuk ka më keq dhe për fat të keq ligji këtu nuk gjen zbatimin e duhur, sepse janë me qindra intelektualë, të cilët nuk mund të gëzojnë atë që ju takon nga kontributi, vepra, shpikja, muzika e tyre. Ndaj dhe kjo agjenci që ekziston  në një ministri do të shkojë drejt konsolidimit të saj.

Një statistikë do ti jap zotërisë që shtroi problemi e kasave fiskale. Është e vërtet që ato nuk kanë arritur performancën që duhet, por xhirot për 8 mujorin e vitit 2011, me kasa ishte 109 miliard, xhirot për 8 mujorin e vitit 2012 me kasa është 223 miliard. Ka një trend pozitiv kaq mund të themi dhe duhet për mirësuar më tej.

Është problem madhor çështja e mirë menaxhimit të burimeve. Shqipëria është një nga vendet më të pasura me burimet natyrore. Shqipëria është një nga vendet me ujërat me pasuri të mëdha ujore, minerale, bimësh aromatike, por të garantoj që pushteti lokal është i përfshirë në të gjitha proceset vendimmarrëse të qeverisë, përsa i përket burimeve natyrore lokale. Jam plotësisht dakord se duhet të përmirësohet bashkëpunimi lokal dhe bashkëpunimi me anë të reformave të mëtejshme. Burimet natyrore janë një fat dhe asete me vlerë të jashtëzakonshme për shqiptarët.

Problemi, sesa shfrytëzohen këto burime dhe këto politika zhvillimi në përputhje të plotë me qëndrueshmërinë e  zhvillimit, nuk ka politikë zhvillimi e cila nuk kalon si kusht ekuanon nëpërmjet respektimit dhe zhvillimit të mjedisit, ky është një nga leksionet themelore. Ne i përmbahemi këtij principi megjithë thyerjet që ka, ne bëjmë gjithçka që rezervat tona ujore të shfrytëzohen, duke respektuar kuotën ekologjike të domosdoshme për të ruajtur ekosistemin e burimeve. Ne bëjmë gjithçka por nuk mund të them se nuk janë marrë vendime që kanë dëmtuar mjedisin duke e ditur se e dëmtojnë, ka pasur raste të rralla dhe vetëm për forca madhore, por të garantoj se në tërësinë e  tyre nuk merren.

Jemi këtu të nisim një rikonceptim të të gjithë alternativës sonë ekonomike për vitet që vijnë. Ky model ka meritën e madhe se i qëndroi krizës, sepse u bazua në reforma shumë serioze. Ky model duhet të garantojë rritje edhe me të madhe ekonomike dhe duhet ti qëndrojë krizës.

“Shqipëria dixhitale” është një nga projekte më kryesore. Indeksi i penetrimit të internetti në vitin 2005 ka qenë 4.6% një nga nivelet më të ulta në botë, i telefonisë celulare ka qene 38 % një nga nivelet më të ulta. Sot indeksi i penetrimit të internetit është mbi 60% dhe janë 125 projektet në këtë fushë. Sot penetrimi i telefonisë celulare është 186 %. Por a ka probleme serioze për tu zgjidhur? Penetrimi është njëri aspekt dhe shtrirja një aspekt tjetër.  Probleme të lidhura me tendencat monopolistike ndoshta dhe jo me një dialog më të gjerë, por arritjet në këtë fushë janë të dhjetëfishta në krahasim me ato që ishin më parë. Sistemi i interosperativitetit dhe të tjera do të bëjnë gjithnjë  e me dispozita të dhënat e këtij vendi për qytetarët shqiptarë. Problem mbettë çmimi i internetit gjeja e fundit që më shkon ndërmend është ndërhyrja në çmim por do të ketë, sepse enti shqiptar do të shpërndaje internet. Ne nuk mund të pajtohemi me çmime që të këpusin xhepin. Shumë shpejt brenda 2-3 muajve do të ketë një situatë të re.

Zoti Abazi shtroni një problem serioz çështjen e financimit për shkencën. Është një çështje themelore për jetën akademike dhe universitet e vendit. Të garantoj që buxheti përcakton një shumë të caktuar dhe unë nuk jam në gjendje të them se si shpërndahet ajo, sepse në qoftë se ka institucione sot, me autonomi financiare më të madhe janë universitetet. Por krahas kësaj vendi ka një agjenci të kërkimeve shkencore dhe inovacionit, e cila funksionon mbi bazën e vlerësimit të projekteve që paraqiten.

Jam i vetëdijshëm se ka ekzistuar një qëndrim jashtëzakonisht burokratik ndaj kërkimit shkencor, pasi kishte një centralizëm të papranueshëm nga Ministria e Arsimit. Di shumë mirë që ky centralizëm nuk ekziston më dhe kjo është funksion i dekanateve dhe rektorateve për miratimin e projekteve që paraqiten për inkurajimin e tyre. Qeveria ka një politikë mbështetje si të kërkimit shkencor, ashtu dhe të pajisjes së universiteteve me laboratorët më të mira. Lidhur me 40 doktoratat nuk ka asnjë imponim, jeni ju zotëri, janë departamentet, katedrat, ato që kanë të drejtë të thonë nuk mund ti drejtojmë, nuk mund ti udhëheqim, nuk kemi kapacitet e mjaftueshme. Shtroni një problem se masivizimi ul cilësinë. Ju duhet të dini një gjë se 5-6 vjet më parë perqindja shkollore në universitetet e këtij vendi ishte ndër më të ulëtat, ishte 3.4 %, ndërkohë kur SHBA-të  ekanë 32 %, Gadishujt Skandinave e kanë 25%. Natyrisht shqiptarët si kombi më kohëhumbur, për arsyet e njohura nuk mund të mos rendë me shpejtësinë më të madhe për ta zëvendësuar këtë kohë. Natyrisht në këtë mes ka probleme cilësie, por vetë procesi i zhvillimit shkon drejt përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë, duke  e patur atë si qëllim madhor. Nuk mund të pritet fondi i ekselencës, i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë plotësisht atij përcaktimi dhe do të bëjmë çmos ti tërheqim gjithnjë e më shumë  celebritete shqiptare nga fusha të ndryshme dhe në Shqipëri.

Përsa i përket çështjes së partneritetit publik, privat mund të them se ai nuk ka marrë dimensionet që ai duhet të marrë dhe që është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe unë mendoj se këtu kemi një potencial të madh. Në fushën e energjisë ai ka zhvillimet më të mëdha , por në fusha të tjera është rudimentar. Është e drejtë ideja që qeveria duhet të gjejë format e angazhimit direkt publik krahas faktorit privat. Po e  studiojmë, por duke qenë se buxheti ka qenë me një përqendrim të jashtëzakonshëm në infrastrukturën rrogore dhe arsimore, por kjo duhet të bëhet patjetër.

Zotëria që pyeti për fasonet se kur hiqet TVSH, po i them se ligji kalon javën e ardhshme në qeveri, por hiqet më 1 janar. Taksa në mes të vitit nuk lëvizet. Ky është një rregull. TVSH, vërtetë është premtuar. Para tre ditësh kam patur në zyrë , ministrin e financave dhe zv/ministrin dhe unë i kam kërkuar që të bëjmë punën. Natyrisht ajo do të hyjë në fuqi më 1 janar. Natyrisht janë marrë një seri masash të tjera, të cilat kanë mbështetur fuqishëm sektorin e fasonit, veçanërisht heqja e tarifës 10 % për materialet  e importuara ka qënë një sakrificë buxhetore jo e vogël , por ne jemi shumë të kënaqur. Po shohim mundësinë  e stimujve të tjerë. Është i vetmi sektor në të cilin ne jemi përpjekur të hymë direkt në tregun e punës, por këtu ne parashikojmë që ndërhyrjen më të madhe ta bëjë biznesi vetë. Zoti Jaka e ngriti këtë problem, por zotëri, sigurisht shkolla bën gjithçka, por sado që bën shkolla për tregun e punës, nuk mundet ti përgjigjet në çdo skaj dhe në çdo moment. Është sipërmarrja private ajo e cila paguan punëtorët të jenë në kurse të vazhdueshme kualifikimi. Ne po e studiojmë shumë seriozisht këtë sistem. Natyrisht, kjo kërkon një dialog me ju, me sipërmarrjen, kërkon edhe mbështetjen e qeverisë për një praktikë të tillë, e cila provohet si një nga praktikat më të mira.

Jam plotësisht dakord me zotin Kurti për sa i përket kromit. Para 6 muajsh ishte në Bulqizë kryeinxhinieri i ndërmarrjes më të madhe të mineraleve në botë dhe më tha në zyrë se sërish Bulqiza megjithëse është shfrytëzuar për dekada, ruan një nga depozitat më të mëdha të kromit në botë. Shteti është i vogël karshi këtij gjigandi depozite dhe qëllimi ynë është të ecim drejt këtyre kompanive të mëdha. Ne kemi marrë një ekspertizë shumë të mirë, një nga ekspertizat ndoshta më të mira që ekzistojnë sot për minierat dhe sugjerimi i tyre është që të bëjmë përpjekje graduale drejt kompanive të mëdha që garantojnë standardet. Fondi i Zhvillimit ka bërë punë shumë të mirë, ndaj dhe ideja e një banke shqiptare të zhvillimit, për ta thelluar edhe më tej këtë punë. Unë besoj se lidhur me disa kërkesa konkrete jemi shumë të hapur të shqyrtojmë dhe të aplikojmë sa herë të jetë e mundur parimin e kontratës së tokës për një euro. Të paraqitet projekti dhe do të shqyrtohet me përparësi nga zoti Haxhinasto, ministria e ekonomisë, pa asnjë lloj hezitimi. Para disa ditësh diskutuam se çfarë masash të tjera lehtësuese të marrim për ndërtuesit e HEC-ve. Ne  e konsiderojmë atë një nga prioritetet kryesore. Zoti Zhilla, është e vërtetë që investimet mund të diversifikohen më mirë, por rastësia bëri që të citosh disa fusha në të cilat po investohet së fundi. Ne po bëjmë gjithçka për të diversifikuar investimet. Në fusha të caktuara ne përdorim edhe disa mekanizma të zbutjes së kredive, mekanizma modeste, por që ne nuk hezitojmë ndaj përdorimit të tyre.

Duke ju falënderuar për të gjitha mendimet e çmuara që ju shprehët, ju garantoj se ato do të shqyrtohen me interesin më të madh, por le ta quajmë këtë si një ëorkshop të parë dhe unë jam jashtëzakonisht i interesuar për të patur mendimin akademik të vendit si një burim idesh, pikëpamjesh , frymëzimi, për alternativën ekonomike të qeverisë, e cila synon natyrisht në përmirësimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të modelit ekonomik ekzistues, model që i rezistoi krizës më të rëndë që Evropa ka njohur që nga vitet 30.

Dhe njëherë ju falënderoj shumë për këtë takim.


27/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›