Kryeministri Berisha inauguron shkollën e mesme profesionale “Salih Çeka” në qytetin e Elbasanit

Në vijim të turit të inaugurimeve të shkollave të reja në mbarë vendin, Kryeministri Berisha mori pjesë sot në përurimin e shkollës së mesme profesionale “Salih Çeka” në qytetin e Elbasanit. Shkolla, e cila sjell një risi në sistemin arsimor profesional të vendit, përbën një investim prej 1 milion e 200 mije euro, financuar me fonde të BE. Me një kapacitet prej 1000 nxënësish shkolla ofron mundësinë e arsimimit nëpërmjet programeve bashkëkohore, në një sërë degësh si atë të hoteleri-turizëm, informatikë, ndërtim, hidraulikë, konfeksione, mobileri, etj.
Kryeministri Berisha i shoqëruar në këtë vizitë, nga ambasadori i delegacionit të BE, zoti Ettore Sequi, nënkryetari i parlamentit, zoti Ardian Turku, Ministri i Arsimit zoti Myqerem Tafai, kryetari i Bashkisë së Elbasanit zoti Qazim Sejdiu, etj, u takua me stafin pedagogjik të shkollës, si dhe me nxënës e prindër të mbledhur me këtë rast. Ai vizitoi kabinetet dhe klasat e ndryshme dhe pa nga afër projekte të realizuara nga vetë nxënësit në bashkëpunim me mësuesit, në degë të caktuara.
Kryeministri u ndal dhe bisedoi me nxënës të degës hoteleri-turizëm, të cilët ofruan gatime të ndryshme të zonës, të bëra nga vetë ata, si pjesë e programit mësimor. Duke i përgëzuar për punën e bërë, kryeministri tha se është e rëndësishme që tradita e gatimeve tradicionale elbasanase tu përcillet brezave që vijnë si një vlerë që duhet ruajtur dhe trashëguar.
Më pas, Kryeministri Berisha iu drejtua me një përshëndetje të gjithë të pranishmëve, ku falënderoi dhe shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian delegacionit të BE dhe ambasadorit Sequi, si dhe të gjithë taksapaguesve të BE për dhuratën që i bënë jo vetëm qytetit të Elbasanit, por të gjithë sistemit arsimor në vene.
Duke e cilësuar, si një prej shkollave më moderne të vendit, kryeministri tha se kjo shkollë profesionale përbën një hap të madh në përshtatje me kërkesat e tregut në qarkun e Elbasanit dhe në mbarë Shqipërinë. Kryeministri vuri në dukje se ky vit shënon një rritje prej 23 % të përfshirjes së nxënësve në arsimin profesional duke theksuar se shkollimi i fëmijëve në shkollat profesionale është një mundësi shumë më e madhe dhe një përgatitje shumë më e mirë për të ardhmen e tyre.
Me mesazhin se çdo hap drejt dijes, është hap drejt dritës, drejt së ardhmes,drejt begatisë dhe zhvillimit, kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij u shpreh:
"Të dashur nxënës dhe nxënëse, mësues dhe mësues të shkollës që mban emrin e njërit prej burrave më mendjendritur të kombit shqiptar Salih Çeka.
Së pari, dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë e madhe që ndaj së bashku me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj shkolle dhe me ç’rast unë dua të shpreh mirënjohjen time më të thelle ndaj Komisionit Evropian, delegacionit të BE dhe ambasadorit Sequi, taksapaguesve të BE për të këtë dhuratë të mrekullueshme që i kanë bërë qytetit të Elbasanit dhe sistemit arsimor të vendit në tërësi, ndërtimin e njërës prej shkollave më moderne të vendit. Duhet të falënderoj përzemërsisht gjithashtu Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, zotin Qazim Sejdiu, i cili me shkallë të lartë përgjegjësie i është përgjigjur nevojave të qytetit për arsim profesional dhe ka bërë të gjitha shpronësimet e nevojshme për të garantuar truallin dhe ndërtimin e kësaj shkolle, të falënderoj kompaninë dhe punëtoret që kanë realizuar më mënyrë të shkëlqyer këtë projekt. Shkolla është një shkollë e një rëndësire të veçantë për Elbasanin dhe vendin. Ajo ka një kapacitet për 1000 nxënës dhe është një investim prej 1 milion e 200 mijë eurosh dhe bazohet në zhvillimin e shumë projekteve, disa prej të cilave unë pata rastin ti vizitoj dhe u mrekullova me krijimet e nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle në ndërtim, në hidraulikë, në programin, në informatikë dhe në fusha të tjera.
Të dashur nxënës dhe nxënëse të shkollës Salih Çeka,
Ne inaugurojmë sot një shkollë të re profesionale dhe bëjmë një hap të madh me këtë shkollë në përshtatje me kërkesat e tregut në qarkun e Elbasanit dhe në mbarë Shqipërinë. Këto vite kanë qenë vitet ndër më transformueset në historinë vendit, për sa i përket arsimit. Qeveria, kjo mazhorancë në mandatet e saj ka përfaqësuar më shumë se çdo gjë tjetër shkollimin e vajzave dhe djemve të vendit në standardet më të mira, në standardet evropiane. Në këtë kontekst janë ndërtuar dhe rindërtuar në një hark të shkurtër kohor 6 vjeçar, 1300 shkolla, nga të cilat ndërtim nga e para rreth 300 , ndërsa atë tjerat të rindërtuara dhe modernizuara. Në këtë kontekst është shtrirë interneti në të gjitha shkollat e vendit dhe po ecim me shpejtësi drejt shtrirjes së tij në çdo klasë. Ne po bëjmë gjithçka për të përshtatur arsimin tonë me tregun .
Në qoftë se ka qenë një fushë, në të cilën ne kemi qenë shumë mbrapa ishte arsimi profesional, jetik ky, në mënyrë që shkolla ti përgjigjet kërkesave të tregut, por ndihem i qetësuar sepse këtë vit ka patur një hop të madh, ka një rritje prej 23 %, krahasuar me vitin e kaluar, të regjistrimit të nxënësve në shkollat profesionale. Elbasani qëndron në krye të vendit, pasi këtë vit në këtë qytet rritja e nxënësve në shkollat profesionale është 35 %, krahasuar me vitin e mëparshëm dhe kjo në radhë të parë në sajë të mençurisë së nënave dhe baballarëve, të këtij qyteti dhe rrethi, të cilët kanë kuptuar se shkollimi i fëmijëve në shkollat profesionale është një mundësi shumë më e madhe, një përgatitje shumë më e mirë e hershme në jetë për ata. Mësuesja e informatikës më informoi mua tani se disa nga maturantët e degës së informatikës, me punimet e tyre, me programet e tyre kanë filluar të krijojnë të ardhura për të blerë një lap-top, ose për të plotësuar kërkesat e tyre personale. Kjo rritje e madhe prej 35 % e nxënësve, vjen si përgjigje e shkëlqyer e projekteve të mëdha që Elbasani do të njohë në vitet që do të vijnë.
Të dashur nxënëse dhe nxënës, mësuese dhe mësues,
Vitin e ardhshëm në qarkun e Elbasanit fillon realizimi, zbatimi i njërës prej projekteve energjetike më të mëdha të Evropës, Kaskadës së Devollit, e cila është një investim prej 1 miliard euro dhe ku do të punësohen prej mijëra e mijëra, punëtorë, inxhiniere, teknikë, ndaj dhe është e rëndësishme që ne ti përgjigjemi ritmeve të tregut. Me këtë rast duhet të falënderoj qeverinë e Zvicrës dhe qeverinë e Republikës Federale gjermane për angazhimin e tyre në mënyrë që shkollat tona profesionale të modernizohen çdo ditë e më shumë.
Nxënës dhe nxënëse, mësues dhe mësues të shkollës së mesme profesionale Salih Çeka,
Për ne arsimi është dhe do të mbetet kryefjala e programit, kryefjala e axhendës sonë, sepse ne besojmë se çdo hap drejt dijes është hap drejt dritës, është hap drejt së ardhmes, është hap drejt begatisë, drejt zhvillimit. Gjithçka për ne kalon nga dyert dhe bangat e shkollës. Në një kohë të shkurtër 6 vjeçare, ne kemi realizuar disa nga treguesit më themelorë të vendeve të zhvilluara. Në Shqipëri, 92 % e nxënësve që mbarojnë shkollat 9 vjeçare, ulen në shkollat e mesme, kurse në Elbasan, kjo shifër është 94 %. Në Shqipëri, 71 % e maturantëve ulen në bankat e universiteteve. Vetëm ne qytetin tuaj ne kemi investuar rreth 8 milion dollarë për universitet e vendit. Në shkollat e vendit kemi investuar rreth 1 miliard lekë. Sigurisht këto tregues janë shumë inkurajues, por tani na mbetet të rendim po kaq me shpejtësi drejtë cilësisë, të bëjmë gjithçka për të kapur nivelet më të larta të cilësisë së vendeve të zhvilluara.
Në reformën tonë të arsimit kemi vendosur dhe do të mbajmë gjithnjë mësuesit dhe mësueset tuaj, mësueset dhe mësuesit e mbarë Shqipërisë, sepse ata janë misionarët e mëdhenj, të cilët do zhvillojnë çdo vit e çdo muaj më shumë arsimin dhe dijen në Shqipëri. Ndaj dhe ne, në një hark kohor 6 vjeçar kemi realizuar rritjen e rrogave të tyre me 120 % . Në vitin 2005 mësuesi i shkollës 9 vjeçare merrte një rrogë prej 227 mijë lekë, sot merr një rrogë prej 505 mijë lekë. Në vitin 2005 mësuesi i shkollës së mesme merrte një rrogë prej 279 mijë lekë, ndërsa sot, mësuesi i shkollës së mesme merr një rrogë prej 590 mijë lekë. Në vitin 2005 diferenca e rrogës mes kryeministrit dhe mësuesit ishte çnjerëzore. Kryeministri merrte rroga sa 9 arsimtarë, ndërsa sot ai merr një rrogë sa 4,5 rroga arsimtarësh dhe unë jam sot këtu për tu zotuar se gjatë mandatit të ardhshëm kjo diferencë do të ulet gjithnjë e më shumë se pse do të rrisim rrogat e mësuesve.
Ambasadori i BE informoi qytetarët e Elbasanit se nesër në këtë qytet do të inaugurohet një objekt tjetër i rëndësishëm për Elbasanin dhe mbarë Shqipërinë dhe ky do të jetë institucioni i paraburgimit, jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ruajtur standardet e lirive dhe të drejtave të njeriut, të atyre qytetarëve, të cilët duhet të përballen me drejtësinë, por përgjigjja më e shkëlqyer e atij problemi është të hapim shkolla që të mbyllim në të ardhmen burgje dhe paraburgime. Rruga e edukimit është rruga më e shkëlqyer që ne, që qytetarët tanë të punojnë, të ndërtojnë me mundin dhe djersën e tyre për veten dhe familjen. Shkollimi është nja nga mekanizmat më kryesorë për të nxitur arsimin dhe luftuar varfërinë. Të shkolluarit dhe veçanërisht ata me arsim profesional kanë shanse dy apo tre herë më të larta për tu punësuar, se sa ata që nuk kanë këtë shkollim apo nuk kanë shkollimin e duhur. Ndaj dhe në këtë kontekst ne do të bëjmë gjithçka për të krijuar vendet e punës. Elbasani ndodhet para një evenimenti historik. Pranverën që vjen inaugurohet rruga e cila bashkon Elbasanin me Tiranën, shndërron këtë rajon, në një nga rajonet më të fuqishme të tregut ne Shqipëri dhe në Rajon. Një nga rajonet që do të njohë zhvillimet më të shpejta ekonomike dhe të gjithanshme.
Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju siguroj se qeveria do të bëjë gjithçka për shkollimin tuaj më të mirë, për punësimin tuaj, do të bëjë gjithçka që Elbasani dhe Shqipëria të ketë perspektivën e sigurtë evropiane.
01/10/2012