Kryeministri Berisha inauguron ujësjellësin dhe rrugë kryesore të fshatit Gjokaj, investime me vlerë 79 milionë lekë
- Kryeministri u shpreh se, ashtu sikurse u premtua në fushatën elektorale, po realizojmë pikë për pikë premtimin tonë për liberalizimin e vizave
- Kryeministri u shpreh se liberalizimi i vizave dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë çështje kombëtare mbipartiake dhe shumë herë më të mëdha se sa interesat vetjake të një apo një grupi liderësh. Këto momente, - u shpreh Kryeministri, - duhet të bashkojnë çdo shqiptar
- Kryeministri u shpreh se çdo vit qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet e qytetarëve shqiptarë, e domosdoshme kjo për t’u ndier qytetarë evropianë
Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të ujësjellësit të fshatit Gjokaj, investim me vlerë 39 milionë lekë, si dhe rrugës kryesore të këtij fshati, me gjatësi 3.5 kilometra dhe vlerë 40 milionë lekë.
Në këtë aktivitet Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Transporteve z. Sokol Olldashi, prefekti i Tiranës z. Keltis Kruja, drejtues të pushtetit vendor të Bashkisë së Vorës, etj.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Zoti ministër i Punëve Publike dhe Transporteve,
Zoti prefekt i Tiranës,
Zoti kryetar i Bashkisë së Vorës,
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Gjokajt,
Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që ndaj sot me ju gëzimin për inaugurimin e ujësjellësit të fshatit tuaj, i cili i jep përgjigje përfundimtare një problemi që ju ka munduar prej dy dekadash, furnizimit me ujë të pijshëm. Gjithashtu, shpreh kënaqësinë që inauguruam tjetër një investim, rrugën kryesore të fshatit tuaj me gjatësi 3.5 kilometra dhe me vlerë 40 milionë lekë.
Këto dy ngjarje të rëndësishme për Gjokajn dhe bashkinë e Vorës ndodhën vetëm dy ditë pasi në Bruksel 27 ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë marrë vendimin më të rëndësishëm, në tërë historinë tonë, për sa i përket Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata vendosën në unanimitet të çelin derën për Shqipërinë, për integrimin e plotë të saj, si vend anëtar në Bashkimin evropian. Kjo ngjarje historike është besim i madh tek ne, por është edhe detyrim i madh për ne. Ndaj, përgjigja jonë do të jetë që në çdo fshat, në çdo qytet, kudo që jetojnë qytetarët shqiptarë, ne do të bëjmë çdo përpjekje për të bërë sa më evropiane jetën e tyre. Jeta e qytetarëve shqiptarë bëhet evropiane atëherë kur ata të kenë rrugë të asfaltuara, të kenë ujë dhe kanalizime, të kenë shkolla dhe shërbim shëndetësor të njëjtë me qytetarët evropian, të marrin investime dhe të kenë punësim. Sigurisht, jeta e tyre bëhet evropiane kur ata të lëvizin të lirë në mbarë Evropën si qytetarë të këtij kontinenti.
Kam kënaqësinë t’ju pohoj ju se tre ditët e fundit, po në Bruksel, janë marrë vendimet më të rëndësishme për lëvizjen tuaj të lirë, pa viza, në mbarë Evropën. Ashtu sikurse ju premtuam, se gjatë vitit të parë të mandatit tonë të dytë ne do të heqim vizat për shqiptarët, ne po realizojmë pikë për pikë premtimin tonë. Ne këtë e realizojnë si një detyrim ndaj jush, si interesi juaj më i mirë, sepse lëvizje pa viza do të thotë mundësi të jashtëzakonshme shkollimi dhe punësimi për shqiptarët. Lëvizje pa viza do të thotë bashkim familjar; do të thotë vajtje e ardhje e lirë për qindra e mijëra emigrantë, për vajza e djem shqiptarë që kanë emigruar në vendet përreth për të siguruar një jetë më të mirë për familjet e tyre. Lëvizje pa viza do të thotë që fëmijët tuaj të mund të përzgjedhin shkollën dhe universitetin që duan për të vazhduar në Evropë; do të thotë punësim dinjitoz, sezonal ose i vazhdueshëm. Pra, me heqjen e vizave secili qytetar shqiptar fiton një status të ri dinjitoz, një status të vërtetë evropian.
Zoti kryetar i Bashkisë,
Jam këtu edhe për t’u zotuar se qeveria do të financojë çdo projekt në këtë bashki, në mënyrë që të përfundojmë sa më shpejtë urbanizimin e plotë të Bashkisë së Vorës. Ky urbanizim ndryshon Vorën dhe mbarë Shqipërinë, por edhe lehtëson jetën e çdo qytetari të bashkisë tuaj.
Vëllezër dhe motra,
Siç e shihni, kohërat e vështira po i lëmë pas. Nuk mund të them se ne e kemi bulevard me lule, por ju siguroj se rrugën drejt prosperitetit, begatisë, mirëqenies dhe begatimit do t’a kemi dhjetëra herë më të lehtë seç e kemi pasur në të shkuarën tonë. Të gjitha këto u bënë të mundura me mbështetjen tuaj; u bënë të mundura duke shndërruar besimin tuaj në rrugë, në ujësjellës e kanalizime, në shkolla, në luftë kundër kriminalitetit dhe kundër korrupsionit. Këto u bënë të mundura duke u faktuar partnerëve tanë në Evropë dhe në botë seriozitetin dhe përkushtimin tonë në rrugën e lirisë dhe të demokracisë. Veçanërisht, këto u bënë të mundura nga zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilat pjesëmarrja juaj ishte më e lartë se në çdo proces tjetër zgjedhor dhe votuat më të lirë se kurrë. Me këto zgjedhje edhe ne i faktuam Evropës dhe botës se në vlerat themelore kemi të njëjtin përkushtim me kombet e zhvilluara dhe të qytetëruara.
Këto zgjedhje bënë që, pa asnjë hezitim, të firmoset kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Këto zgjedhje bënë që të bihet dakort që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit që vjen të vendoset për heqjen e vizave. Këto zgjedhje i kanë dhënë dinjitet të madh çdo shqiptari, por në vend të që festojmë bashkërisht këto vendime të mëdha për projektin ëndërr të çdo shqiptari, për fat të keq, një grup në krye të Partisë Socialiste, i drejtuar nga Edi Rama, kanë zgjedhur rrugën e protestës. Kjo është një rrugë normale, por nuk mund të mos theksoj këtu se përpjekja për t’i bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë Parlamentit; përpjekja për t’i dëshmuar Evropës se Shqipëria nuk meriton heqjen e vizave; se Shqipëria nuk meriton statusin e vendit kandidat, sepse unë jam në rrugë dhe jo në Parlament, është jashtëzakonisht e pandershme. Përgjigjen nuk t’a dha Sali Berisha, por e more nga qytetarët shqiptarë, të cilët votuan me dinjitetin më të madh më 28 qershor. Përgjigjen e more nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të reformave dhe veçanërisht të zgjedhjeve të lira, i hapën dyert Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Përgjigjen t’a dhanë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të përpjekjeve të ndershme dhe serioze të shqiptarëve vendosën që të procedohet me shpejtësi për heqjen e vizave për shqiptarët.
Unë mendoj se këto janë momente që duhet të bashkojnë çdo shqiptar. Vizat dhe integrimi janë çështje kombëtare mbipartiake dhe shumë herë më të mëdha se sa interesat vetjake të një apo një grupi liderësh. Megjithatë, unë ju ftoj ju që të vazhdojmë së bashku projektin e Shqipërisë evropiane, projektin e Gjokajt evropian, projektin e Vorës evropiane.
Unë ju garantoj se këto katër vite do të jenë vitet më transformuese të këtij vendi të mrekullueshëm, të këtij vendi me pasuri dhe bukuri përrallorë, por që ka pasur mungesa të mëdha në infrastrukturë, në ujësjellës, në shkolla, në kanalizime dhe këto po i plotësojmë. Sikundër, ju garantoj se çdo vit qeveria ime do të rrisë rrogat dhe pensionet e qytetarëve shqiptarë, e domosdoshme kjo për t’u ndier evropianë.
Edhe një herë gëzuar dhe ju përshëndes vëllazërisht!”
19/11/2009