Kryeministri Berisha: Do të punojmë me përkushtim që vendimin historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, ta konkretizojmë me punë dhe reforma të mëtejshme

Një ditë pas vendimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së për të miratuar kërkesën e Shqipërisë, për statusin e kandidatit të vendit anëtar në BE, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh për të diskutuar mbi përgjegjësitë dhe angazhimet e reja që dalin përpara qeverisë shqiptare në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit.
Kryeministri u shpreh se vendimi i djeshëm, është një shkallë maksimale e përgjegjësisë se re për qeverinë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se pyetësori, i cili do të sillet para autoriteteve shqiptare nga Komisioni Evropian është një intervistë komplekse për të gjithë situatën e vendit.
Kryeministri bëri të ditur se gjatë këtyre muajve, Ministria e Integrimit dhe ministritë e linjës kanë bërë një punë serioze për përgatitjen teknike, ndaj pyetësorit të ardhshëm, i cili theksoi Kryeministri është një test i fuqishëm për administratën shtetërore të vendit, për qeverinë, agjencitë që varen prej saj, institucionet e pavarura dhe për të gjitha autoritetet shtetërore.
Duke cilësuar dorëzimin dhe plotësimin e pyetjeve si detyrën e parë dhe më kryesore, kryeministri u shpreh se çdo reformë është në funksion të këtij procesi dhe se një nga mënyrat më të sigurta të përqendrimit tek çështja kryesore është që të vazhdohen reformat me intensitet në të gjitha fushat.
Gjatë mbledhjes, Kryeministri Berisha ia dha fjalën zëvendësministres së Integrimit, zonjës Jorida Tabaku, e cila beri një ekspoze të masave të marra nga Ministria e Integrimit në bashkëpunim me të gjitha grupet e punës, në prag të këtij vendimi .
Duke vlerësuar punën parapërgatitore, Kryeministri siguroi qytetarët shqiptarë se qeveria se do të punojë me përkushtim të madh dhe vendosmëri të plotë që procesi i integrimit dhe i shndërrimit në realitet të ëndrrës evropiane të shqiptarëve të ecë në rrugë të mbarë.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kjo mbledhje u thirr pas vendimit historik të datës 16 nëntor, të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, për të miratuar kërkesën e Shqipërisë, paraqitur më 28 prill të viti 2009 , presidencës çeke, për statusin e kandidatit, të vendit anëtar në BE.
Ky vendim përfaqëson vendimin më të rëndësishëm që është marrë ndonjëherë për Shqipërinë , në kryeqytetin e BE-së por dhe në Evropën në tërësi, pasi ky është një vendim ku vendet anëtare të Bashkimit evropian nëpërmjet Ministrave të tyre të Jashtëm shprehin qartë vullnetin për ti dhënë Shqipërisë dritën jeshile që ajo të ecë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Dihet se marrëveshjet e stabilizim asociimit nuk janë kushte për anëtarësim. Stadi në të cilin vendimi i djeshëm përbën hapjen reale të dyerve të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. Vendimi është dëshmi e një vlerësimi të arritjeve të këtij vendi, së pari në fushën e demokracisë në ndërtimin e demokracisë, në konsolidimin e demokracisë, në fushën e lirive dhe të drejtave njerëzore të cilat kanë njohur dimensione dhe zhvillim në rritje, të cilat janë dhe kushti kryesor që një vend të pranohet në gjirin e BE.
Vendet ish komuniste të cilat sot janë vende anëtare, përveç Sllovenisë, që të gjitha kanë diferenca të mëdha dhe shumë të mëdha ekonomike me vendet themeluese apo vendet evropiane, të cilat nuk patën një të kaluar diktatoriale komuniste, por ato janë pranuar dhe janë vende anëtare me të drejta të plota, madje dy prej tyre si Sllovenia dhe çekia kanë kryesuar BE-në, para së gjithash për shkak të dëshmisë të demokracisë së tyre funksionale, të institucioneve të tyre solide, dhe natyrisht një ekonomie tregu funksionale zhvillim perspektiv të sigurtë, pra janë reformat në fushën politike ato që bënë të mundur vendimin e djeshëm. Ndër këto reforma do të vlerësoja si përcaktuese, ose si reformë të të gjitha reformave, reformën zgjedhore. Komuniteti ndërkombëtar na dha ne një besim në paradhënie, me anëtarësimin në NATO. Ne nuk është se nuk kishim patur diskutime të papranueshme për zgjedhje, por krijuam besimin e plotë tek përkushtimi ynë dhe ne për të justifikuar këtë besim bëmë çdo gjë. Bashkëpunuam ngushtësisht me opozitën. Nuk di ndonjë vend tjetër që ti ketë lënë partisë kryesore opozitare hartimin e sistemit zgjedhor apo përcaktimin e kodit zgjedhor nen për nen. U angazhuam me teknologjitë më të larta dhe i dhamë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje që plotësuan standardet kryesore të OSBE-së.
Gëzohem që sot kryetari i PS-së e përshëndeti këtë vendim. I ofroj dhe njëherë të gjithë disponibilitetin dhe gatishmërinë time dhe të mbarë qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me opozitën, por më duhet ti them se nuk duhet të ketë dy vendime për gjërat themelore. Ata që votuan dje për të pranuar kërkesën, ata pritën derisa mbaruam zgjedhjet. Ministri i jashtëm i Holandës e shprehu shumë qartë. Mirëpritëm zgjedhjet raporti thekson se u plotësuan zotimet kryesore të OSBE-së dhe qeveria ime do të deklaronte ministri i jashtëm i Holandës ka përcjellë mendimin pozitiv. Po kështu të 26 qeveritë e tjera. Pra, zoti Rama nuk është në radhë të parë në interesin e tij, por as të forcës politike, as të opozitës që të bëjë një lexim tjetër nga ky lexim që i bëhet zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe votës së lirë nga 27 vende anëtare të BE. Dhe fatmirësisht këto zgjedhje ndodhen në momentin e vendimmarrjes, nuk është se kanë ndodhur dy vjet më parë e po harrohen. Këto zgjedhje ndodhën në mes të procesit të vendimmarrjes.
Natyrisht në rast se reforma zgjedhore dhe zgjedhjet kanë patur një rol përcaktues, e një rëndësie të jashtëzakonshme ka qenë lufta me zero tolerancë ndaj kriminalitetit, lufta ndaj korrupsionit, reformat e thella të tregut, privatizimet e mëdha, të gjitha këto së bashku kanë bërë që Shqipëria të vlerësohet e përshtatshme për të nisur konsultimet në procesin e integrimit të saj të plotë në BE. Dua të theksoj se pas vendimit të djeshëm gjithçka mbetet në anën dhe në fushën tonë. Vendimi i djeshëm, në këtë kontekst është një shkallë maksimale, përgjegjësie mbi ne, e re dhe e madhe. Komisioni Evropian është i autorizuar të sjellë para autoriteteve shqiptare pyetësorin të përbërë nga mijëra pyetje , i cili është një intervistë komplekse për të gjithë situatën e vendit.
Në rast se në procesin e liberalizmit të vizave ne kemi patur dhe kemi të bëjmë me 120 apo 130 kërkesa, në procesin e statusit të kandidatit dhe të integrimit, ne kemi të bëjmë me mijëra kërkesa,me një univers të vërtetë kërkesash, të cilat kërkojnë reforma të thella dhe të gjithanshme, kërkojnë ekipe serioze dhe trajnuara, kërkojnë përqendrim dhe përkushtim të të gjitha energjive tona, në përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga ky proces, por asgjë më të dobishme se sa përkushtimi ndaj këtij projekti nuk ka. Ky është një projekt ëndërr. Në Bashkimin Evropian, vitet e fundit ka patur diskutime dhe debate nga më të ndryshmet, ka patur dhe popuj që kanë hedhur poshtë dhe dokumente të rëndësishme, por për ne, për shqiptarët ,për psikologjinë e tyre, anëtarësimi në BE mbetet ëndrra më e bukur për të ardhmen et yre dhe kanë plotësisht të drejtë. çdonjëri prej tyre e di se kjo nuk do të thotë pasuri e menjëhershme , por do të thotë vendosje e tij, e familjes së tij, e vendit të tij në një pozicion i cili është i ëndërruar nga shqiptarët që nga rilindësit e deri më sot, pra është një vendosje në rrugën e prosperitetit, në rrugën e zhvillimit, në rrugën e shkollimit, në rrugën e punësimit, në rrugën e një seri standardesh, të cilat Evropa nuk i ka patur kurrë në këto nivele sesa sot. Natyrisht për qeverinë vendimi i djeshëm nuk ka qenë i papritur, vendimi i djeshëm është një vendim për të cilin është punuar me vendosmërinë dhe përkushtimin më të madh. E kam theksuar dhe e theksoj se në çdo takim, në çdo tryezë që ulem dhe do të ulem, unë dhe ju së bashku nuk kërkojmë asnjë vlerësim tjetër përveçse atij të bazuar mbi performancën tonë, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Ne i kemi qëndruar një kursi të thellë dhe të gjithanshëm reformash të suksesshme, të cilat po ndryshojnë Shqipërinë. Ne i qëndrojmë këtij kursi me vendosmërinë më të madhe, në mënyrë që në katër vitet që vijnë Shqipëria të jetë një vend evropian. Një Shqipëri evropiane me standardet të krahasuar me disa nga vendet anëtare të BE-së, pasi nuk mund të them se do të krahasohet me Francën, Italinë, Austrinë apo Gjermaninë, por me vende të tjera
Gjatë këtyre muajve ministria e integrimit dhe ministritë e linjës kanë bërë punë serioze për përgatitjen teknike, ndaj pyetësorit të ardhshëm, i cili është një test i fuqishëm për administratën shtetërore të këtij vendi, për qeverinë, agjencitë që varen prej saj, institucionet pavarura dhe për të gjitha autoritet shtetërore.
Duke falënderuar me shumë mirënjohje ministrat e vendeve anëtare të BE në tërësi dhe në veçanti presidentin cek dhe presidenten suedeze, të cilët treguan një mirëkuptim të madh për kërkesën tonë, kërkesë që është bërë me konsensus të plotë të vendeve anëtare të BE-së. Kryeministri çek Topolanek ka pritur kryeministrin e këtij vendi dhe ka pranuar kërkesën e tij pasi ai kishte marrë konsensusin e kolegëve të tij dhe të Komisionit Evropian, por presidenca suedeze siç është bërë e qartë në mënyrën më të përsëritur, nga Ministri i jashtëm dhe Ministrja për çështjet evropiane e Mbretërisë së Suedisë, sapo u botua raporti për zgjedhjet kanë bërë çdo përpjeke për të promovuar dhe për të marrë vendimin e djeshëm, vendim i cili u vonua pak javë për shkak të hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës kushtetuese gjermane, por që e thirri kancelaria Merkel me një ndërhyrje të saj dhe ne i jemi shumë mirënjohës të gjithë këtyre miqve, ministrave të jashtëm, presidencës suedeze, presidencës çeke dhe dua ti garantoj se ky besim do të shndërrohet në një detyrim më të madh për ne , për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga ky proces.
Siç theksova janë bërë një seri përpjekjesh serioze për tu parapërgatitur për pyetësorin, i cili do të hartohet nga Bashkimi Evropian dhe që kërkon kohën e tij për tu hartuar dhe për tu përshtatur për Shqipërinë. Ministria e integrimit ka bërë një punë konkrete së bashku me ministritë e linjës, Ministria e Jashtme është e angazhuar direkt në këtë proçes. Zëvendëskryeministri në pozicionin e tij për të koordinuar jo vetëm Ministritë dhe agjencitë e ekzekutivit, por edhe të gjitha institucionet e vendit edhe ato të pavarurat, të cilat kanë detyrimet e tyre.
Le tia japim fjalën zonjës Tabaku që të njoftojë qeverinë dhe opinionin për të gjithë masat e marra, në prag të këtij vendimi.
Pas perfundimit te fjalës se zonjes Tabaku, Kryeministri Berisha u shpreh: Eshtë bërë një punë serioze parapërgatitore, zoti Meta do të drejtojë procesin në tërësi , sepse janë dhe institucionet e pavarura, me të cilat do të koordinohet puna, pasi ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme në këtë proçes. Ndaj dhe çdo ndihmë që ata kanë nevojë qeveria është e gatshme tua ofrojë. Ne duhet të kemi agjendën tonë të ngjeshur, në rast se Komisioni e dorëzon nga mesi i dhjetorit, autoritetet shqiptare do ta dorëzojnë atë në fund të shkurtit. Ka ide se mund të ishte më e gjatë , por jo ne do të punojmë më gjatë vetë me më shumë përkushtim dhe ta përfundojmë në dy muaj e gjysëm , cka do të thotë se në rast se dorëzohet më 15 dhjetor, fillohet puna menjëherë. Ju po seleksiononi 40 përkthyes. Do të përzgjidhni nga punonjësit e institucioneve 40 të tjerë. Cilido të jetë përkthyesi e ka shumë të vështirë të gjejë domethënien shqipe te termave të fushave të ngushta, madje ajo çka unë e dëgjova me vëmendje dhe më erdhi mirë që po përgatisni një manual, por ky manual termash duhet të përfundojë duke patur parasysh termat e marra nga pyetësorë të vendeve si Kroacia, Mali i ZI apo të tjerë, për t’iu përgjigjur terminologjisë anglisht, në mënyrë që të lehtësojmë punën e përkthyesve. Pa këtë do të kemi shumë probleme. Kështu secili institucion do të nxjerrë njohësin më të mirë të gjuhës dhe ta ofrojë në mënyrë që dokumenti të jetë disponibël sa më parë.
Mund të shikoni mundësinë e një trajnimi me të gjithë punonjësit e angazhuar, të cilët në këtë proces do të jenë rreth 410, apo ndoshta me drejtuesit e tyre, në mënyrë që të trajnohen për një veprim sa më të sigurtë, e kompetent. Përgjigjet nuk janë të thjeshta, por janë plotësisht të mundshme dhe ne do t’ia dalim.
Natyrisht dorëzimi dhe plotësimi i pyetjeve do të jetë detyra e parë dhe më kryesore , por çdo reformë është në funksion të këtij procesi , që do të thotë se ne do të përqendrohemi tek çështja kryesore dhe një nga mënyrat më të sigurta të përqendrimit është që të vazhdojmë reformat me intensitet në të gjitha fushat.
Dua të siguroj çdo qytetar të këtij vendi se do të punojmë me përkushtim të madh, me vendosmeri të plotë që vendimin e djeshëm historik për Shqipërinë, për shqiptarët, për çdo qytetar të këtij vendi ta konkretizojmë me punë, me reforma , të bëjmë çdo përpjekje që procesi i integrimit dhe i shndërrimit në realitet të ëndrrës evropiane të shqiptarëve të ecë në mbarësi të plotë.
Të bëjmë çdo përpjekje që ky proces të afrojë Shqipërinë gjithnjë e më shpejtë dhe më shumë me Evropën. Sot në Bruksel ka patur një mbledhje tjetër shumë të rëndësishme, mbledhja e ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE, ne nuk jemi vend anëtar, por kemi qenë të përfaqësuar aty, ku janë marrë garanci të plota se më këtë ecuri dhe seriozitet që po trajtohen kërkesat, brenda gjysmës së parë të viti të ardhshëm merret vendimi për heqjen e vizave, pra vendim që ka një impakt të madh moral, ekonomik, edukativ, familjar për shumicën e shqiptarëve. Ndaj dhe duke falënderuar të gjithë ta të cilët u angazhuan në reformat, të gjithë qytetarët shqiptarë kanë kontributin e tyre në këtë proces le të vazhdojmë me seriozitetin më të madh për përmbushjen detyrimeve tona.
Ju faleminderit
17/11/2009