E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha injoroi figurat kombëtare dhe fetare në Tetovë

Share

Nga Arben Llalla

Më në fund pas kaq vitesh kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha bëri një vizitë disa orëshe në qytetin ku kanë selitë të gjitha partitë politike shqiptare, në qytetin ku është themeluar Universiteti i parë në gjuhën shqipe në Maqedoni, në Tetovën heroike të luftës së 2001. Historia për një vizitë të Berishës në Maqedoni është e kahershme dhe interesante. Për herë të parë u deklarua për vizitën e kryeministrit shqiptar në FYROM në maj të vitit 2010, por më 10 maj të atij viti policia maqedonase vret në rrethana të dyshimta liderin e partisë së AK-së, ish-komandant të UÇK Harun Aliun bashkë me 3 shqiptarë të tjetër, ish pjesëmarrës në ushtritë e UÇK. Atëherë Berisha e shtyu takimin sepse nuk ishte çast i duhur. Në të njëjtën kohë një universitet privat në Strugë deklaroi se ka marrë vendim që prof.dr.Sali Berisha do shpallet “Doctor Honoris Causa” gjatë vizitës. Një çmim që asnjëherë nuk mbërriti në duart e prof.Berishës.

Në shtator të këtij viti u deklarua se Sali Berisha do vizitojë Shkupin më 26 tetor, por pas shumë kritikash Berisha e shtyu vizitën sepse në atë periudhë në Maqedoni do bëhej regjistrimi i popullsisë. Kishte shumë gjasa që kjo vizitë do shfrytëzohej nga pala maqedonase pasi do falsifikonte numrin e saktë të shqiptarëve duke ulur përqindjen e tyre.

Diplomacia shqiptare deklaroi më tej se Sali Berisha do bëjë vizitën më 4 nëntor, por edhe kjo datë u shty për 9 nëntor. Pas gjithë këtyre shtyrjeve, vizita e Kryeministrit të Shqipërisë është caktuar në data që janë ditë të fatkeqësive për shqiptarët e Maqedonisë!?

Më 9 nëntor Berisha bëri vizitë në Tetovë, ditën kur katër vjet më parë në Malësinë e Tetovës forcat e policisë dhe të ushtrisë së Maqedonisë bastisën fshatin Brodec duke vrarë 6 shqiptarë dhe arrestuan 13 të tjerë. Sa ironike! Pse kaq naivitet nga diplomacia shqiptare dhe stafi i kryeministrit?

Kryeministri Sali Berisha vizitoi Tetovën, por ai nuk pati guximin të vendosi kurora me lule në përmendoren e Mehmet Pash Derrallës, ish-ministri i Parë i Shqipërisë së Pavarur. Besoj se kryeministri Berisha e kishte detyrë morale të përkulej përpara bustit të ministrit të qeverisë së Ismail Qemal Vlorës. Përmendorja e Mehmet Pash Derrallës gjendet vetëm 500 metra nga Komuna dhe Universitetet në Tetovë që vizitoi Berisha.

Kryeministri Berisha nuk vendosi kurora me lule në bustin e Hoxhë Rexhep Vokës, i cili ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe njëri nga drejtuesit e tij. Kur Sali Berisha ka qenë Kryetar i Republikës së Shqipërisë, ai më 26.1.1993 i ka dhënë Mirënjohje të lartë Rexhep Vokës për kontributin e dhënë në të mirë të Shqipërisë dhe çështjes kombëtare. Do të ishte një nder i madh që Berisha vetë nga afër të vizitonte vendlindjen e njeriut që dikur  e ka vlerësuar me mirënjohje të lartë shtetërore.

Prapaskenat e vizitës së Berishës

Stafi i Berishës dhe diplomacia shqiptare kishin parashikuar që kryeministri shqiptar do takonte 15 minuta kryetarin e BDI, Ali Ahmetin, dhe atë të PDSH, Menduh Thaçin, duke lënë pa takuar kryetarin e RDSH, Rufi Osmanin, dhe vizitën në qytetin e Tetovës. Stafi i Berishës dhe diplomacia shqiptare nuk dëshironin që Berisha të vizitonte Tetovën dhe institucionet shqiptare atje.

Thuhet se është bërë lobim i fortë që Berisha të mos e vizitonte Harabatin Baba Teqe ku shërben Dede Edmond Brahimaj, kryegjyshi i Bashkësisë Botërore Bektashiane si dhe Xhaminë e Larme në Tetovë. Sali Berisha dhe stafi i tij duhet ta dinë mirë se këto dy institucione historike fetare i kanë vizituar shumë kryetarë shtetesh që kanë vizituar Tetovën, hera e fundit ishte në tetor nga kryeministri i Turqisë Taip Erdogan.

Që të jemi të sinqertë duhet të shkruajmë një të vërtetë, dhe nuk bëjmë asnjë gabim apo servilizëm kur themi se Sali Berisha injoroi kryetarin e RDK, Rufi Osmanin, i cili më 1997 u burgos për dy vite sepse ngriti flamurin shqiptar në Gostivar. Rufi Osmani përfaqësohet në Kuvendin e Maqedonisë me dy deputetë dhe momentalisht është kryetar i Bashkisë së Gostivarit. Vetë z.Osmani u shpreh: Në një bisedë para disa ditësh me Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku u konfirmua se do të realizohet takim mes meje dhe kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, mirëpo të martën dhe të mërkurën nuk mora kurrfarë përgjigje as negative e as pozitive nga ana e ambasadorit Çejku. Mund të jetë një dallavere e ambasadorit Çejku. Nuk e kam ndjerë si ofendim personal, sepse unë disa herë kam patur rast të takohem me kryeministrin Berisha. Përgjegjësia i takon ambasadorit Çejku, deklaroi për Zhurnal plus, kreu i RDK-së, Rufi Osmani

Prof.dr. Berisha u respektua nga tetovarët si Kryeministër, por vizita e tij nuk e pati jehonën e madhe që ka patur para një viti vizita dy ditore e Kryetarit të Republikës Prof.dr.Bamir Topi. Të gjithë në Tetovë ende jetojmë me emocionet e shtrëngimit të duarve me President Topin dhe respektin që ky i bëri të gjithë institucioneve kombëtare dhe fetare të Tetovës pa bërë asnjë dallim politik dhe fetar.

Çfarë nuk guxoi Berisha tu thoshte pushtetarëve maqedonas

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha gjatë takimeve që pati me drejtuesit e FYROM nuk guxoi tu thotë këtyre për vrasjet enigmë që kanë ndodhur në kufirin shqiptaro-maqedonas gjatë 20 viteve të fundit. Berisha nuk guxoi të kërkojë llogari përse Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë shpall intelektualët dhe biznesmenët nga Shqipëria pa fakte NON GRATA? Përse rreth 50 mijë shqiptarë u mohohet shtetësia e Maqedonisë pa të drejtë? Përse injorohet gjuha dhe flamuri shqiptar? Përse 15 mijë shqiptar nga Shqipëria punojnë ilegalisht dhe Maqedonia nuk i pajis me leje qëndrimi ashtu siç i pajis Greqia dhe Italia emigrantët ekonomikë?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›