Rama: Fullani, kandidatura më e gabuar. Do votojmë kundër tij në Kuvend
Kreu i opozitës, Edi Rama, ka reaguar pas dekretimit nga ana e presidentit Bamir Topi të Ardian Fullanit për Guvernator të Bankës së Shqipërisë.
Rama ka thënë se Fullani është kandidatura më e gabuar për Guvernator dhe ka paralajmëruar se opozita do të votojë kundër Fullanit në Kuvend.
Sipas Ramës, Fullani ka bërë dëme të riparueshme gjatë mandatit të tij të parë si Guvernator dhe për këtë arsye nuk do të votohet në asnjë mënyrë nga ana e opozitës.
Në këndvështrimin e Partisë Socialiste nuk është kandidaturë e gabuar, është kandidatura më e gabuar. Mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani, është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë. Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë. E kështu as Presidenti Topi bashkë me votuesit e mundshëm në Kuvend të kësaj kandidature 100% të gabuar, të mos kenë asnjë arsye të pendohen për këtë zgjedhje nga mënyra si mund të precipitojnë gjërat edhe për shkak të drejtimit e politizuar dhe të papërgjegjshëm të Bankës së Shqipërisë. Partia Socialiste do të votojë kundër kësaj kandidature, thuhet në deklaratën e Ramës.
Fullani u propozua nga ana e mazhorancës, por opozita thotë se ai është një kandidat politik dhe se e ka politizuar Bankën e Shqipërisë, duke i shkaktuar kështu një dëm të madh ekonomisë shqiptare.