E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton punimet ne tunelin e Elbasanit

Nuk jemi të vetmit. Edhe kryeministri Berisha ka ardhur të shohë realizimin e investimit 101 milionë dollarë.
Kemi hyrë në galerinë e majtë, nga dy të tilla që ka ky tunel me gjatësi
2.4 km. Në më pak se 6 muaj janë realizuar 90% e punimeve. Ndryshimi është i dukshëm.

Tuneli do të jetë gati në 25 mars të këtij viti.

“Së shpejti në një hark kohor pak mujor, Tirana dhe Elbasani do të jenë qytetet më të afërta njëri me tjetrin në Shqipëri, do të jenë siç janë në shpirt të lidhur tiranasit me elbasanasit do të jenë dhe qytetet e tyre të mrekullueshme. Kjo përbën një mbështetje të fuqishme, për mbi një milion banorë, që janë në jug apo juglindje të vendit. Ky tunel shkurton distancën me Shkupin pothuajse një orë dhe për transportin e rëndë më shumë se një orë”-deklaroi kryeministri.
Ky tunel bën që Shqipëria të jetë vendi i parë që ndërton segmentin më të vështirë të korridorit 8 shprehet kreu i qeverisë duke e ftuar edhe kryesocialistin Rama që ta vizitojë.
“E ftoj zotin Rama, të vijë në këtë vend ku po flas unë dhe tu kërkojë të falur qytetarëve të Elbasanit. Tu kërkojë të falur, sepse e mbajti parlamenti deri në ora 5 të mëngjesit dhe të mos harrojmë, se memoria kombëtare ka orën më precize, e mbajti në mënyrë që të bllokonte sëbashku me atë asistentin e shoferit. Megjithëse ju thash: - Mos zotërinj, a e kuptoni ju se, ky është interesi i zgjedhësve tuaj në Kolonjë, deri në Leskovik, në Gramsh në Librazhd, në Berat, sepse po ecet drejt boshtit të jugut. A e kuptoni se çfarë gabimi fatal po bëni duke mos votuar buxhetin për këtë tunel, por megjithatë nuk predominoi atë natë, e cila më ka mbetur në mendje për gjithë jetën, predominoi, inati, smira dhe zilia tek kundërshtarët tanë dhe jo shpirti konstruktiv i bashkëpunimi dhe kënaqësia, që do të ndienin për bërjen realitet të një ëndrre të bukur të më shumë se 1.2 milion shqiptarëve”-vijoi ai.
Me ritëm të shpejtë po ecin edhe punimet për ndërtimin e rrugës. Deri më tani janë realizuar 47% e punimeve. Në total investimi për autostradën Tiranë Elbasan është 204 mln dollarë.
Tuneli i Krrabës, së bashku me akset rrugore, njëri me gjatësi 13 kilometra dhe tjetri 11.5 kilometra i japin jetë një rrugë të re,e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta. Ky përbën lajm për kryeministrin i cili ia këshilloi edhe gazetarëve.
“Ju ftoj ju, të dilni nga ai trekëndësh i gossipit të fuqishëm mediatik Rogner, Sheraton dhe lokale blloku. Unë nuk them se ajo nuk është një pjesë e këndshme e Tiranës dhe e Shqipërisë, por Shqipëri tjetër, Shqipëria e djersës, e zhvillimit dhe e punës është shpeshherë dhjetëra, madje qindra dhe më shumë kilometra larg trekëndëshit tuaj të artë, që ju pëlqeni më shumë.Ju falenderoj shumë që ishit sot këtu dhe të vini sa më shpesh, ti gëzoni qytetarët me këto lajme, sepse qytetarët gëzohen dhe kjo është e vërteta"- tha Berisha.
Pas më pak se 6 javësh, banorët e të gjithë Shqipërsisë do të shohin dritën e investimit më të rëndësishëm infrastrukturor, Tunelit Tiranë Elbasan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›