Kryeministri Berisha inspekton punimet për rikosntruksionin e rrugës së kanioneve të Osumit dhe takon pjesëtarë të Federatës Shqiptare të Rafting
Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet për rikosntruksionin e rrugës Corovodë-Hambull, e njohur ndryshe edhe si rruga e Kanioneve të Osumit, me gjatësi 12,7 kilometra dhe vlerë investimi 401 milion lekë, nga e cila do të përfitojnë 7.900 banore.
Kjo rrugë në të cilën janë realizuar 50 % të punimeve, do te lidhe 7 fshatra të komunës Çepan, jo vetëm me njëri-tjetrin por edhe me Çorovodën dhe do te shërbeje si rrugë lidhëse me Komunën Frashër në rrethin e Përmetit. Është pikërisht kjo rrugë që të çon drejt kanioneve të Osumit, perla të natyrës shqiptare. Ndaj me riskonstruksionin e saj, i jepet një shtysë e re turizmit, pasi vizitorët vendas dhe të huaj do ta kenë shumë të lehtë të shkojnë drejt këtyre kanioneve.
Segmenti rrugor Çorovodë - Hambull financohet nga Qeveria Shqiptare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve dhe Programi IPA i Bashkimi i Europian.
Kryeministri Berisha, pa nga afër dhe u interesua për ecurinë e punimeve, duke përgëzuar njëkohësisht për punën e deritanishme. Ai garantoi se do të ndërtohet dhe asfaltohet cdo rrugë e këtij rrethi, duke i dhuruar kështu një infrastrukturë moderne e bashkëkohore kësaj zone. Kryeministri premtoi se do të realizojë zotimin solemn për ta në 4 vitet që vijnë, për ndërtimin e të gjitha shkollave, ujësjellësave, kanalizimeve, njësoj si në lagjet e qyteteve.
Përgjatë rrugës janë parashikuar vendqëndrime panoramike për kalimtarët ose turistët, duke ju krijuar mundësi të shijojnë bukuritë e Kanioneve të Osumit.
Kryeministri takoi edhe një grup përfaqësuesish të skuadrave Rafting të kategorive mjeshtra, te rritur, te rinj dhe femra, së bashku me Presidentin e Federatës Shqiptare të Rafting, zotin Zamo Spathara, të cilët e falënderuan kryeministrin për mbështetjen e dhënë nëpërmjet ndërtimit të rrugës së kanioneve, duke shprehur besimin se tashmë kjo zonë do të jetë më shumë e frekuentuar nga turistët e huaj. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i përgëzoi për guximin dhe dëshirën për të ushtruar këtë lloj sporti, i cili me ndërtimin e kësaj rruge, vjen më afër dhe më lehtë pranë dashamirësve dhe ushtruesve të tij.
Kryeministri tha se jo vetëm vendasit por edhe turistët e huaj do të kenë mundësi të shijojnë këto mrekulli natyrore të Shqipërisë “Ky kanion është mijëravjeçar, e bëtë të famshëm ju me guximi, me pasionin tuaj për një nga sportet më të bukura, më të guximshme, dhe ky është një investim i domosdoshëm. Ne do të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e tij, do të bëjmë gjithçka që të shtohet turizmi dhe në ndërtimin e infrastrukturës, jam i sigurtë se fluksi turistik do të jetë gjithnjë e më i madh. Kjo është një bukuri natyrore, por meritën e keni ju sepse keni arritur ta bëni të njohur në Shqipëri, në Europë dhe pse jo në mbarë botën. Keni garuar me sukses të madh dhe ju uroj kampion. Do bëjmë çdo gjë që çdo veprim që mund të bëhet ën Osum të ketë si kusht të parë përmirësimin e kanionit. Në rast se mbi kanioni mund të ndërtohet diga rregullaore që ta bëjë të lundrueshëm edhe në verë, unë shpresoj se kjo mund të bëhet” u shpreh kryeministri.
Përfundimi i këtij segmenti rrugor do t'i japë një zhvillim të madh të gjithë zonës duke nxitur turizmin dhe lehtësuar kushtet e jetësës së banorëve. Kjo rruge do te hape perspektivën per ta sjellë Skraparin shumë më afër të gjithë atyre pritjeve, per këtë lloj turizmi kaq të veçantë, kaq interesant, i cili do te marre dimensione te reja kryesisht pas përfundimit te punimeve.
07/06/2013