Kryeministri Berisha jep dorëheqjen, ja si zgjidhet kryetari i ri i PD-së
Në 23 vite të karrierës politike, kudo ku shkeli mblodhi njerëz rreth vetes dhe mbushi sheshet e Shqipërisë. U shkri me turmën në çdo kohë politike, qoftë humbje apo fitore. Politikani me vullnet të jashtëzakonshëm, që arriti gjatësinë në objektivat e tij, diti të përcjellë emocione të forta tek çdo mbështetës i tij në mbarë vendin. Kurse mbrëmë si rrallë ndonjëherë, me dorëheqjen e tij, përloti vartësit dhe simpatizantët, që e ndoqën edhe mbrëmë teksa lajmëronte ikjen nga postet drejtuese të PD-së. I tronditi të gjithë. E prisnin përgjatë tri ditëve ta shihnin në PD, dhe lideri i tyre Sali Berisha mbërriti në selinë qendrore mbrëmë rreth orës 20:10 minuta, por këtë herë për t’i befasuar me vendimin-surprizë. U shfaq sërish krenar, autoritar, populist. Depërtoi me shumë vështirësi mes qindra mbështetësve që e prisnin në oborrin e PD-së, njësoj si fitues, dhe pasi depërtoi mes tyre, u shfaq para mediave i prerë, por dinjitoz, duke vendosur të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e humbjes së 23 qershorit. Salla u mbush plot dhe në momentin e deklarimit të dorëheqjes, Partia Demokratike u përlot. Derdhën lot bashkëpunëtorët e tij, mes të cilëve Sokol Olldashi, Majlinda Bregu, Erla Mëhilli, dhe ata që nuk dinin të ndalnin ishin simpatizantët e tij, që kishin mbushur sallën e konferencave për shtyp. U dëgjuan thirrjet e tyre “Mos ik”, por Berisha ishte më i vendosur se kurrë; do të largohet. Thirrjet dëgjoheshin edhe jashtë ndërtesës trekatëshe ku lotët derdheshin pandarë. Një moment i vështirë për këdo që ishte aty dhe dëgjonte liderin historik të PD-së, të cilin e kishte ndjekur kudo në 23 vite të jetës së tij politike. Por dukej se tashmë nuk kishte kthim mbrapa, ndaj dhe ikja e Berishës mbrëmë nga PD-ja ishte e vështirë. I takoi shumë prej mbështetësve, u përpoq të përcillte tek ata optimizëm dhe derisa hipi në makinë, të gjithë ishin pas tij. Edhe në banesën e tij në rrugën “Mihal Grameno” e ndoqën nga pas, sepse askush prej tyre nuk po e besonte se Sali Berisha ishte dorëhequr. Para shqiptarëve lajmëroi se, në përputhje me Statutin e Partisë, do të qëndrojë në timonin e saj për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të lidershipit të ri. Në bazë të nenit 30 dhe 32 të statusit të PD-së, “Kryetarin e ri të PD-së e zgjedh Kuvendi i partisë. Sipas nenit 32, Kryetari udhëheq dhe përfaqëson PD-në, në pajtim me programin dhe statutin. Kryetari zgjidhet nga Kuvendi. Mandati i Kryetarit është tre (3) vjet. Kryetari aktual ka të drejtën e rizgjedhjes. Për Kryetar mund të kandidojë çdo anëtar i PD-së. Kandidatura me shkrim, programi zgjedhor dhe lista me nënshkrimet e së paku 1/3 së anëtarëve të Kuvendit Zgjedhor (me të cilën përkrahet kandidatura për Kryetar), duhet të dorëzohet në Këshillin Drejtues, së paku një (1) muaj para mbajtjes së Kuvendit zgjedhor. Kryetari aktual duhet të parashtrojë në Këshillin Drejtues kandidaturën me shkrim dhe programin zgjedhor. Në situatën kur ka më shumë se një kandidat, votimi për Kryetar është i fshehtë. Nëse ekziston vetëm një kandidat, votohet sipas përcaktimit të Kuvendit”.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Zgjedhjet, Berisha: Njoh humbjen, përgjegjësia vetëm e imja. Dorëhiqem nga funksionet “Ikja e Berishës”, Rama porosi deputetëve: Nuk dua euforizëm Këshilltari: Orët e Sali Berishës pas humbjes së zgjedhjeve
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Zgjedhjet, Berisha: Njoh humbjen, përgjegjësia vetëm e imja. Dorëhiqem nga funksionet “Ikja e Berishës”, Rama porosi deputetëve: Nuk dua euforizëm Këshilltari: Orët e Sali Berishës pas humbjes së zgjedhjeve