Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nderim të ish deputetit dhe akademikut Alred Paloka
Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe, në nderim të ish deputetit të Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1992-1996 dhe akademikut Alfred Paloka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Kryeministri Berisha shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish deputetit Paloka, duke vlerësuar figurën e tij si intelektual, studiues dhe politikan të mençur e ë moderuar.
“Profesor Alfred Paloka u nda nga jeta duke shkaktuar një pikëllim të thellë tek familja, tek miqtë e tij dhe të gjithë ata që e kanë njohur, tek nxënësit e panumërt që u ka dhënë mësim, kolegët, me të cilët ka ndarë në dekada veprimtari universitare, inxhinierët, teknikët dhe punëtorët, me të cilët ka punuar me përkushtim të madh në ndërtim veprash kryesor energjetike të vendit.
Profesor Alfred Paloka lë një boshllëk. Kjo është humbje e madhe për botën shkencore shqiptare, mendimin intelektual shqiptar, botën akademike të vendit. Ata që e kanë njohur dhe e kanë pasur mik dhe unë jam një nga ata dhe kam pasur një marrëdhënie miqësore të palëkundur me të do ruajnë në memorien e tyre kujtimet më të mira të një qytetari shembullor, të një intelektuali patriot, të një studiuesi serioz e të përkushtuar, por edhe të një politikani të urtë, të mençur, të moderuar.
Dua që me këtë rast t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta bashkëshortes, fëmijëve, vëllezërve e motrave, të gjithë familjes Paloka, por edhe të gjithë miqve të shumtë që Alfredi ka pasur, mbasi me vlerat që mishëronte, ai ka pasur respektin, ka merituar miqësinë e dashurinë e shumë e shumë intelektualëve, studiuesve, politikanëve të këtij vendi,” u shpreh Kryeministri.
22/03/2012