E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha mbështet projektin e studios austriake për ndërtimin e kompleksit parlamentar: Të respektojmë verdiktin e korifenjve të arkitekturës europiane e botërore

Kryeministri Berisha mori sot pjesë në mbledhjen Komitetit Shtetëror për Ndërtimin e Kompleksit të Ri Parlamentar. Komiteti, pasi rimori në shqyrtim projektet e renditura në tre vendet e para nga juria ndërkombëtare, shpalli fitues projektin e studios austriake Coophimmelb (l) Au. Ky projekt u përzgjodh ndër 14 projektet e paraqitura në konkursin ndërkombëtar, të iniciuar nga Kuvendi i Shqipërisë. 

Kryeministri Berisha, pasi vlerësoi të tre projektet, ftoi anëtarët e Komitetit të respektojnë vendimin e jurisë, e përbërë nga personalitete të njohura të fushës së arkitekturës, që e renditi të parin projektin e studios austriake.

Komentet e Kryeministrit në Komitetit Shtetëror për Ndërtimin e Kompleksit të Ri Parlamentar.

Jemi thirrur këtu, për të shqyrtuar projektet e mrekullueshme, të paraqitura nga studiot më prestigjioze të Europës e botës, për ndërtimin e asaj që de facto e de jure është ndërtesa e parë e kombit, ndërtesa e parë e shtetit, e cila, fatkeqësisht, në 100 vite pavarësi nuk u ndërtua dot. Por, në anën tjetër, në 100 vjetorin e këtij shtetit, ne kemi shansin për te vendosur për projektin më të mirë, më dinjitoz, për parlamentin e këtij shekulli.

Projektet e paraqitura i japin zgjidhje të ndryshme kërkesave funksionale, mjedisore të kompleksit parlamentar. Ato variojnë në çmime nga 49 në rreth 100 milionë euro. Vështirësia e përzgjedhjes ka qenë shumë madhe, por një trupë vlerësuese ndërkombëtare nga më prestigjiozet bëri një renditje, në mënyrën më të paanshme, më objektive, më të pandikuar dhe më profesionale. E vërteta është se kjo juri përzgjodhi të parën veprën e studios Coophimmelb dhe arkitektit të njohur austriak Prix. Arkitekt e studio me ndërtime ndër më mbresëlënëset për kohën e sotme, nga opera e Munihut tek qendra financiare Pekinit e më gjerë. Kjo studio ka paraqitur një projekt që shkrihet në mënyrën më harmonike me të sotmen dhe të ardhmen e Tiranës e të Shqipërisë. Ajo që ka të veçantë projekti i Prix është udhëtimi i tij drejt së ardhmes.

Po ashtu, i mrekullueshëm është edhe projekti i studios Cucinella, që bazohet në të përjetshmet e të pavdekshmet kolona, duke i dhënë të gjithë bashkëkohësinë kolonave, të lashta sa vetë njeriu. Ajo ka respektuar disa nga standardet më të rëndësishme të zhvillimit të një projekti, eficiencën energjetike dhe me një interior magjepsës.

Studioja e tretë, Ama Architecture, gjithashtu ka paraqitur një projekt të mrekullueshëm.

Debatet kanë qenë të shumta. Janë një seri projektesh, por ne po diskutojmë këto që përzgjodhi juria ndërkombëtare, me personalitete ndër më të shquarat e fushës.

Gjatë këtyre muajve, ne si Komitetet e kemi ndjekur me shumë interes procesin dhe Tirana mezi pret të shohë të lëshojë shtat, ndërtesën e parë të Shqipërisë. Në analizë e sipër doli një problem që nuk kishte lidhje me asgjë tjetër, veçse me çmimin që studioja e parë kërkon për projektin e zbatimit. Çmim që shkon në kufijtë maksimalë të rasteve si këto. Një çmim i pazakontë për një pjesë të rajoneve, por që gjendet në disa vende. Duhet të jemi shumë transparentë. U bënë përpjekje për të negociuar me studion, e cila, për shkak të kompleksitetit të projektit e pasi bëri rivlerësimet, e gjeti të pamundur të zbriste nga shuma e kërkuar. Shumë kjo që, të nderuar të pranishëm, me atë që kuptoj unë, ndryshon me një vlerë prej rreth 2.5-3 milionë euro nga oferta e dytë.

Vendimi është jashtëzakonisht i vështirë, sepse kemi të bëjmë me një vlerësim ndërkombëtar, të një jurie të përbërë nga kolosë të fushës dhe të marrësh iniciativën që për një diferencë të tillë të marrësh funksionet e tyre. Unë jam kryeministër, zonja Topalli, kryetare e parlamentit, këtu ndodhet edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, ministri i Punëve Publike, ministri i Financave, i cili me drejtë duhet të duartrokiste projektin që kushton më pak dhe të bësh siç thotë populli “vetë vali, e vetë kadi”, kjo nuk është e qytetëruar. Ndaj duhet të jem i sinqertë me ju dhe do të kërkoja që të mendohej edhe një herë para se të vendoset, në sensin që, përderisa në thelb, në esencë e çdo gjë tjetër, ne vendosim pa asnjë arsye tjetër, përveçse një vlere të caktuar financiare, - në rastin konkret, çdo qindarkë është e dhimbshme, por nuk është kaq për një projekt për ndërtesën e parë të kombit, ndërtesën e parë të Shqipërisë - kjo nuk është një vlerë që duhet të detyrojë këtë Komitet të marrë funksione që nuk i takojnë. Ky Komitet nuk është juria. Vendimin e ka marrë juria. Dua t’ju shtroj një pyetje. Në rast se juria do të kishte zgjedhur një projekt, i cili do të kushtonte edhe 5 apo 10 milionë euro më shumë se ky, projekti i zbatimit do të dilte i barabartë me këtë, tek 5.5 përqind. Ndaj njerëzisht do të kërkoja një vetëpërmbajtje, pasi kemi të bëjmë me një trupë zyrtarësh që nuk duhet të dalin mbi zotërit e vlerësimit të këtyre projekte. Ata vlerësuan si më të mirin, projektin austriak të studios e arkitektit Prix, për parlamentin e kryeqytetin dhe unë, me gjithë dhimbjen që ndjej për çdo qindarkë të buxhetit të këtij vendi, nuk e gjej veten se mund të vendos për një shumë të tillë, mosrespektimin e verdiktit të korifenjve të arkitekturës europiane e botërore. Ne i zgjodhëm, ndaj duhet t’i respektojmë. Kjo është edhe merita. Ky është parimi. Nuk është një shumë kaq domethënëse, sa të na imponojë neve të përmbysim vendimet e një jurie. Shuma është 2.5 milionë euro, pak më shumë a pak më pak se kjo, e cila përsëri për një ridefinim me studion, por nuk mund të jem dakord me vendimin për të zhvlerësuar përzgjedhjen që bënë këta zotërinj të nderuar. Dua të jem i hapur me Komitetin, sepse ky nuk është motiv solid.

Natyrisht, ne jemi e mbetemi gjithnjë për harmonizimin dhe projekti që harmonizon në tërësi të sotmen dhe ardhmen, e mjedisit dhe qytetit  realizohet nga studioja që u zgjodh. Ndaj, zotërinj anëtarë të Komitetit, ju ftoj të respektojmë vendimin e kësaj jurie të paanshme e ndër më të përzgjedhurat e më kompetentet. Nuk ka një motiv që të mos e respektojmë atë. Megjithatë ju kërkoj ju, anëtarë të Komitetit, të shprehni në mënyrën më të pavarur mendimet tuaja, sepse kemi të bëjmë me ndërtesën më themelore të vendit. Dua që askush të ndikohet nga qëndrimi im, i cili nuk ka asnjë kushtëzim tjetër, veçse përzgjedhjes që ka bërë një juri, më e respektuara që ka parë ky vend në këtë zhanër dhe tani, ne mblidhemi këtu për një motiv, për të cilin ia vlen të mblidhesh edhe  kur flitet për 50 mijë euro, por, natyrisht, nuk ia vlen ndryshimi i këtij vendimi.    

Nuk mund të qëndroj i pandikuar e indiferent ndaj atyre që i takon fjala kryesore, sepse do të dukej se zyrtari vendos për gjithçka dhe nuk duhet të jetë kështu. Askush nuk duhet të vendosë për gjithçka. Secili vendos në fushën që i takon.

[Kryeministri rimerr fjalën] Problemi është se ne, këtu, marrim funksionet e një jurie, çka nuk përbën vlerë.

[Kryeministri rimerr fjalën] Unë ftoj Komitetin që të respektojmë vendimin e jurisë, pasi nuk gjej një motiv solid që ne të mos e respektojmë atë. Është bërë shumë mirë që është medituar thellë, që janë eksploruar edhe mundësi të tjera, por gjykoj se nuk përbëjnë një bazë solide që të përmbysim vendimin  tyre e të marrim një vendim ndryshe.

[Kryeministri rimerr fjalën pas votimit të Komitetit] Sekretaria Teknike të vazhdojë me insistim, për të zbatuar sa më shpejt projektin dhe të ndjekë të gjithë etapat. Qeveria garanton mbështetjen e plotë të tij, natyrisht, në përputhje të plotë me ligjet e vendit. Deri tani fjala ishte e një jurie, që bëmë shumë mirë që u vetëkufizuam, se duhet gjetur fuqia e vetëkufizimit, pasi është e domosdoshme ta kesh e të të shoqërojë. Ata kanë thënë fjalën e tyre, ajo u respektua dhe procedurat e tjera vazhdojnë në përputhje me ligjet e vendit.   


13/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›