E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Harmonizimi i çmimeve me vlerat e tregut godet spekulimin dhe konsolidon kodin moral të fitimit, në përputhje me normat e tregut

-         -  Ulja e çmimit të barnave, krahasuar me vitin 2008 lehtëson ndjeshëm buxhetin familjar të përdoruesve të tyre

-          - Do të bëjmë gjithçka që aty ku ekziston mundësia, qytetarët e këtij vendi të mund të blenë me çmime te harmonizuara me tregun

Kryeministri Berisha u fokusua sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave tek disa prej arritjeve më të rëndësishme të reformës derregullatore të tregut. Duke vlerësuar se një nga qëllimet më madhore të kësaj reforme është garantimi i lirisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme, kryeministri tha se detyrë kryesore  e enteve rregullatorë është harmonizimi i çmimeve me tregun.

Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi si një nga arritjet më madhore rënien me disa herë nga viti 2005 e deri më sot  të çmimeve ne telefoninë celulare, cka ka bërë që shqiptarët të jenë ndër vendet me kryesore në botë në përdorimin e saj. Ndër të tjera Kryeministri Berisha bëri të ditur sot rënin e çmimeve në vlerat  e tregut të një liste medikamentesh, disa prej të cilave të njohura për një përdorim masiv nga popullata.

Duke përgëzuar Ministrinë e shëndetësisë për zbatimin e këtyre politikave, Kryeministri tha se rënia e çmimeve të kësaj liste barnash, krahasuar me vitin 2008 përbën një lehtësim të madh për buxhetin familjar të të sëmurëve. Dua të përgëzoj Ministrinë e Shëndetësisë dhe autoritet përkatëse të ministrisë për zbatimin e atyre politikave që bëjnë të mundur që këtë listë të gjatë produktesh farmaceutike të përdorur gjerësisht për kurimin e një sërë sëmundjesh kronike dhe akute të mund ta marrin tani me çmime me te arsyeshme.

Në këtë kontekst, kryeministri bëri thirrje dhe kërkoi “që kjo përpjekje të vazhdojë, jo për të diktuar çmime, por për ti harmonizuar ato ndershmërisht me vlerat e tregut, duke goditur në këtë mënyrë çdo formë spekulimi, për të konsoliduar kodin moral të fitimit më përputhje me normat e tregut.”

Duke folur për këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:

Një nga qëllimet më madhore të reformës derregullatore të tregut është garantimi i lirisë së tregut, konkurrencës së ndershme. Është gjithashtu në raste të caktuara një rregullim çmimi në përputhje me tregun sepse aty ku ka ente rregullatorë, në Shqipëri dhe kudo në botë, një nga detyrat e tyre kryesore është harmonizimi i çmimeve me tregun. Në këtë kontekst ka zhvillime madhore dhe një nga zhvillimet më madhore është rënia, nga 2005 deri më sot, me disa herë, i çmimeve ne telefoninë celulare, çka ka bërë që shqiptarët të jenë ndër vendet me kryesore në botë në përdorimin e saj.

Por sot unë kam këtu një lajm tjetër në një fushë jashtëzakonisht të ndjeshme siç është ajo e medikamenteve. Politikat tona kanë rezultate në disa aspekte spektakolare në harmonizimin, rënien e çmimeve në vlerat e tregut. Mund të citoj disa artikuj për të cilët çmimet kanë rënë nga 1,4 herë deri në 9,8 herë. Kështu: Norvasc në rast se vitin 2008, po e krahasoj me këtë vit pasi nuk dua të shkoj më tutje. Matjen dua ta bëj gjithnjë me veten time, jo se nuk ka referenca të tjera por  e ndershme është para se të matesh me te tjerët të matesh me veten, pasi kështu shërben më shumë. Pra, në vitin 2008, ky medikament kushtonte 13 euro, ndërsa sot kushton 3 euro , pra 4,4 herë më i lirë. Sortis kushtonte 25 euro, ndërsa sot është 10.5 euro, dmth 2.4 herë më i lirë. Nexium kushtonte 14 euro, sot kushton 9.45 euro, pra 1,5 herë më i lirë. Zoloft kushtonte 20 euro, sot kushton 16 euro, pra 1.2 herë më i lirë. Ilomedinë kushtonte 530 euro njësia, sot kushton 203 euro njësia. Ferriprox kushtonte 500 euro njësia, sot kushton 330 euro. Paclitaxel kushtonte 1000 euro njësia, sot kushton 240 euro, pra 4,2 herë më pak. Diovam , gjerësisht i përdorur kushtonte 15,5 euro, kushton sot 7.7 euro. Nebivolor kushtonte 15 euro njësia, ndërsa sot kushton 6.6 euro , pra 2,4 herë më pak. Pra është një listë kjo e gjatë medikamentesh të cilat kanë pësuar një rënie. Natyrisht ka prej tyre që përdoren në kontigjente te gjera njerëzish, të sëmurësh, si Diovani. Ka të tjera që janë më të pakta në përdorim, por rëndësi kryesore ka se ndërhyrja jonë përbën një lehtësim të madh për buxhetin familjar të këtyre të sëmurëve. Dhe unë zoti Vasili dua të përgëzoj ministrinë e shëndetësisë dhe autoritet përkatëse të ministrisë për zbatimin e atyre politikave që bëjnë të mundur që këtë listë të gjatë produktesh farmaceutike të përdorur gjerësish për kurimin e një sërë sëmundjesh kronike dhe akute të mund ta marrin tani me çmime më te arsyeshme. Sikundër bëj thirrje dhe kërkoj që kjo përpjekje të vazhdojë, jo për të diktuar çmime, por për ti harmonizuar ato ndershmërisht me vlerat e tregut, për të goditur çdo formë spekulimi, për të konsoliduar kodin moral të fitimit në përputhje me normat e tregut. Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi të këtij parimi. Unë vlerësoj faktin që po diskutohet që produktet spitalore të tenderohen me çmim, natyrisht duke ruajtur cilësinë dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i propozuar nga Ministria dhe punonjësit e zyrave përkatëse. Pra do të bëjmë gjithçka që aty ku ekziston mundësia qytetarët e këtij vendi të mund të blenë me çmime te harmonizuara me tregun. Ky është kushti dhe të përpiqemi veçanërisht me dhe kjo ka ndodhur, psh të gjitha këto barna janë të një përdorimi të gjerë masiv, pra të përpiqemi të rendim artikull pas artikulli në mënyrë që të lehtësojmë, pavarësisht se ne kemi edhe një listë prej 412 medikamentesh që i i rimbursojmë , por ka një anë të rëndësishme morale, kur çmimet harmonizohen  me  tregun  dhe nuk diktohen nga spekulimi.


13/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›