Kryeministri Berisha viziton Qendrën tregtare ORTI, në Elbasan
- - Kryeministri bleu në supermarketin e Qendrës disa produkte të firmave shqiptare të njohura për cilësinë dhe vlerën e tyre
- - Vitin e ardhshëm, përfundimi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Kërrabës shkrin në një metropol unik, tregun e vendit dhe krijon me Tiranën dhe Elbasanin një nga tregjet më të mëdha rajonale, shkrin në një, fuqinë blerëse të dy epiqendrave me të populluara të vendit, shkrin në një, potencialet e mëdha të qarkut të Elbasanit me ato të kryeqytetit dhe të mbarë Shqipërisë.
Kryeministri Berisha, vizitoi sot në Elbasan, Qendrën Tregtare ORTI, punimet për ndërtimin e së cilës, nisën Ditën e Verës së një viti më parë, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri. Kjo Qendër, tashmë e përfunduar prej disa muajsh, është e pajisur me teknologjinë më moderne dhe bashkëkohore dhe ofron një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh për qytetarët. Qendra tregtare, me sipërfaqe ndërtimi 5900 metra katror, është një investim privat me vlerë 2 milion euro.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri përgëzoi investitorët për iniciativën dhe përfundimin në kohë rekord të këtij investimi shumë të rëndësishëm për qytetin e Elbasanit.
Kryeministri garantoi biznesmenët elbasanas dhe të mbarë Shqipërisë se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin e projekteve dhe investimeve të tyre, si kushti i të gjithë kushteve për begatimin dhe zhvillimin e vendit.
Më pas, kryeministri bëri disa blerje të produkteve shqiptare që tregtoheshin në supermarketin e Qendrës, të njohura për vlerat dhe cilësinë e tyre.
Duke vlerësuar se Qendra ORTI renditet mes investimeve të standardeve plotësisht evropiane, kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur punonjës të këtij supermarketi të mrekullueshëm që Kadriu së bashku me ortakët e tij i bëri në një kohë rekord, dhuratë, qytetit të Elbasanit,
Ky supermarket nisi ndërtimin Ditën e Verës së vitit të kaluar dhe sot festojmë së bashku këtu, Ditën e Verës në një supermarket të standardeve më të mira në vend dhe më gjerë, të standardeve plotësisht evropiane.
Unë me këtë rast dua të përgëzoj dhe njëherë Kadriun për guximin që tregoi me këtë investim shumë të rëndësishëm për qytetin, të përgëzoj ortakët e tij , bashkëaksionerët, të përgëzoj punonjësit e punësuar që ofrojnë këtu “Non stop”, në mënyrë të pandërprerë shërbimet më të kultivuara. Në një vizitë të shkurtër, mbresat janë të shumta. Ndodhen këtu artikuj nga mbarë bota, por shkëlqejnë prodhimet e rrethit të Elbasanit, shkëlqejnë prodhimet e vendit, të cilat ju garantoj se janë dhe më të shijshmit që mund të bëhen.
Zoti Kadri, sot është festë dhe gjithnjë urimi i parë është për festën , por gjithashtu dua tu garantoj ju të gjithë biznesmenëve të këtij qyteti dhe mbarë Shqipërisë se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për suksesin e projekteve tuaja, për suksesin e bizneseve tuaja, si kushti i të gjithë kushteve për begatimin e qytetarëve shqiptarë, për zhvillimin e Elbasanit dhe të Shqipërisë në tërësi. Ndaj dhe ne në mënyrë shumë të vendosur po shqyrtojmë të gjithë spektrin e lehtësirave që ne mund dhe duhet tu ofrojmë ju në mënyrë që suksesi juaj të jetë gjithnjë e më i madh.
Gjatë këtij viti ne shndërrojmë në realitet një nga ëndrrat më të bukura , por edhe më të hershme të qytetarëve të Elbasanit, autostradën Tiranë –Elbasan me tunelin e Kërrabës. Kjo autostradë dhe ky tunel shkrin në një metropol unik, tregun e vendit dhe krijon me Tiranën dhe Elbasanin një nga tregjet më të mëdha rajonale, shkrin në një, fuqinë blerëse të dy epiqendrave me të populluara të vendit, shkrin në një, potencialet e mëdha të qarkut të Elbasanit me ato të kryeqytetit dhe të mbarë Shqipërisë.
Megjithëse ju më ftuat mua ditën e inaugurimit, arsye pune më penguan që të isha këtu, i vendosur që Ditën e Verës të vij dhe ta festoj këtu së bashku me ju.
Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Ditën e Verës dhe urimet më të mira!
14/03/2012