Kryeministri Berisha me të rinjtë e YPO: Vendosni ëndrrat tuaja në këtë vend dhe ato do të bëhen realitete të mëdha e të suksesshme
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave nga organizata Presidentët e Rinj të Kompanive (YPO), përfaqësuesit e të cilës operojnë në fushën e biznesit, financave, etj. Anëtarët e kësaj organizate ndodhen në Tiranë me rastin e mbajtjes së aktivitetit të radhës të Kapitulli “Evropa e Madhe” nga data 10 – 13 Nëntor. Kapitulli “Evropa e Madhe” ka në përbërje anëtarë nga më shumë se 22 shtete.
YPO është një organizatë e themeluar në vitin 1950 në SHBA dhe qëllimi i kësaj organizate, që ka një rrjet global prej rreth 19,000 anëtarësh dhe përfaqësues, që vijnë nga bizneset më prestigjioze në botë dhe operon në 110 vende. Synimi , është të lidhë Presidentët e Rinj të Kompanive me njëri - tjetrin me qëllim që t’i shërbejnë, të mësojnë e të referojnë për vendet përkatëse për mundësia më të mëdha . Vizita e tyre në Shqipëri do të japë mundësinë që ata të zhvillojnë takime me biznese e të shkëmbejnë eksperienca, të vizitojnë institucione të ndryshme, të njohin kulturën e vendit tonë, si dhe të prezantohen me artin dhe kuzhinën në Shqipëri për tu kthyer në Ambasadorë të vërtetë të Shqipërisë.
Gjatë fjalës përshëndetëse kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, dua t’ju përshëndes të gjithë ju dhe t’ju falënderoj që zgjodhët Shqipërinë për këtë takim të madh. Dua të shpreh admirimin tim ndaj të gjithë juve, lider të rinj, të pranishëm këtu, njerëz suksesi, që mbeteni dhe jeni një burim frymëzimi. Për të gjitha betejat e jetës sime i detyrohem të rinjve. Prandaj, pa dyshim mbetem një admirues i madh i performancës së të rinjve në të gjitha fushat: në biznes, që është fusha më e veçantë. Dua të falënderoj Gazin dhe Anilën, që ia dolën mbanë për të organizuar në Shqipëri, për të ftuar, Kapitullit "Evropa e Madhe" të YPO në Shqipëri. Do të them disa fjalë për këtë vend. Vendi përpara 18 viteve ishte i vetmi vend në Evropë ku investimet e huaja ishin të ndaluar me kushtetutë. Qytetarët vuanin varfërinë më të madhe që mund të imagjinojë mendja njerëzore. Por fal lirive në 18 vjet, vendi që kishte të ardhura mesatare për frymë prej 208 dollarë, kaloi në nivelin e vendeve me të ardhura mesatare dhe të larta me 8000 dollarë për frymë.
Vendi që ishte me i kolektivizuari tani është me i liri, tani është më privati. Vendi që kishte burokracinë më të keqe, tani renditet ndër 10 vendet me administratën me të vogël në botë. Vendi, qytetarët e të cilit punonin për shtetin të paktën 7 muaj, për momentin ka barrën më të ulët fiskale në Evropë. Shqipëria po përpiqet të bëhet gjithmonë e më shumë vendi më tërheqës për investimet e huaja direkte. Në këtë kontekst, ne besojmë se liria fiskale është themelore. Unë jam kardiolog, në politikë hyra pa asnjë njohuri përsa i përket politikave fiskale, por kam qenë një admirues i Ronald Reagan. Reagan ishte idhulli ynë, në kohët komuniste, sepse ishte kampioni, që luftonte kundër komunizmit. Kur fituam lirinë, mora librat dhe tezat e tij, dhe kushdo që e ka lexuar, ai shkruan pothuajse në mënyrë holistike, mbi ekonominë, mbi reformat, dhe një prej postulateve të tij është se paraja në llogaritë e individëve privatë ka më shumë vlerë se në llogaritë e qeverisë.
Kështu, pasi u bëra President vendosa barrën më të ulët fiskale në këtë vend dhe vendi u bë një vend me rritje ekonomike dy shifrore, në atë kohë ishte i vetmi. Unë e humba pushtetin në 1997, sepse lulëzuan skemat piramidale dhe dola në opozitë. Mbajta një princip, qeveria nuk ishte e përfshirë në skemat piramidale, por çështja ishte: duhet të paguajë qeveria paratë e humbura apo jo? Rivali im i tha shqiptarëve se do të paguaj çdo qindarkë, unë u thashë që nuk mund të paguaj asnjë, më vjen keq, ju i humbët paratë, por një borxh që nuk është i huajtur nuk mund të njihet kurrë, nuk mund të paguhet kurrë, kjo është e vjetër po aq sa njerëzimi. Kështu kalova në opozitë. Shqiptarët ishin të inatosur, por hap pas hapi e kuptuan që ruajta moralin e tyre, dhe ata më rivotuan.
Pasi u ktheva në pushtet, i’u riktheva principeve të mia. Vendosa taksën e sheshtë 10%, ula taksën e korporatave nga 25 në 10%, ulëm taksat e të ardhurave personale nga 23 në 10%, kështu u bë edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore nga 32 në 15%, hoqëm dhjetëra e dhjetëra tarifa. Kështu motori filloi të punonte. Nëse gjatë 10 viteve Shqipëria kishte patur vetëm 38 milion dollarë amerikanë për vit në investime të huaja direkte, nga viti 2006 ne 2010 investimet e huaja direkte në vendin tim u rritën me 306%, në vitin 2010, Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon me një rritje të qartë të investimeve të huaja direkte. Ne punuam shumë për të hequr pengesat burokratike, në mënyrë që bizneset të regjistroheshin për 1 euro në 30 minuta. Lejet dhe licencat, pasi hoqëm një të tretat e tyre, jepen në një qendër kombëtare One Stop Shop. Investitorë mund të marrë me qera tokën për një euro, kur është tokë publike, nëse do të shfrytëzohet për qëllime bujqësore ose industriale.
Ne jemi përpjekur ta bëjmë sa më miqësor vendin ndaj investitorëve. Vendi ka fuqinë punëtore më dinamike, unë mendoj më të mirën, në Europë. Fuqia punëtore është e re, e mirë shkolluar, punëtore, e shkëlqyer. Ata që mendojnë të shkojnë në Kinë, e kanë gabim, kanë situatë më mirë këtu sesa në Kinë përsa i përket fuqisë punëtore. Tregu kinez është tregu kinez, por Europa është gjithashtu tregu më i mirë në botë. Vendi është i vogël në hartë, por kur e shikoni në brendësi gjeni potenciale të jashtëzakonshme. Vendi ka potenciale të jashtëzakonshme në fushën e energjisë. Në vend do të ndërtohen 443 stacione hidroelektrike. Vendi im ishte i suksesshëm. Fal një ligji shumë të mirë, për periudhën 2007-2009, kemi nënshkruar me sektorin privat rreth 100 kontrata për rreth 300 stacione hidro në të gjithë vendin.
Gara u ndez nga një ligj i shkëlqyer, që nuk e lejon qeverinë të negocioj direkt. Vendi ka lartësinë mesatare mbi nivelin e detit më të lartë në Europë. Nuk kemi majat më të larta, por kemi shumë male që na ngrënë deri në qiell. Kemi një bregdet të gjatë dhe platforma ere natyrale, që padyshim po bëhen prodhues shumë të rëndësishëm të energjisë së erës. Vendi është një nga vendet më me diell në rajon, dhe energjia diellore është një tjetër potencial i jashtëzakonshëm. Ambicia e qeverisë sonë është për t’u bërë e gjelbër, "Go green". Vendi do të shndërrohet në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, bregdetin më të bukur që mund të keni parë, Bregdetin e Jonit. Në këtë periudhë ju e keni humbur sezonin turistik, por uroj të vini sërish dhe të vizitoni këtë bregdet shumë të bukur. Nuk ka ujë më të qartë kristal, ku lahen zinxhirët e maleve në jug. Adriatiku është ranor, është segmenti më i mirë i Adriatikut në krahasim me vendet e tjera. Malet janë të virgjër, janë duke pritur për investitorë. Një ligj i ri do të përjashtojë nga çdo lloj takse, investitorët që do të investojnë në malet tona për një periudhë 8 vjeçare. Kemi kaluar Parlament një ligj mbi pronësinë, investitorët e huaj, që do të blejnë tokën bazuar në dokumente origjinale shtetërore nuk do të përballen më me pretendimet e të tretëve.
Ata që pretendojnë për pronësinë mbi këto toka duhet t’i drejtohen qeverisë. Qeveria është përgjegjëse për gabimin dhe do të paguaj. Toka e blerë nga të huajt konsiderohet si e shtetëzuar dhe nuk do të ketë pretendime mbi të. Ky ligj nuk është për shqiptarët por për të huajt që përballen me këto probleme, asnjë shqiptar nuk përballet me probleme. Prandaj ndoqëm linjën e njëanshme dhe ligji është duke vepruar. Unë mendoj se është zgjidhja e plotë, nuk do të ketë më asnjë lloj pretendimi, dhe në rastet kur do të ketë, qeveria do të paguaj për të, jo investitori i huaj. Vendi është malor. Malet janë plotë më minerale. Ne jemi një vend, rezervat e bakrit, nikelit, hekurit janë të përmasave të rezervave botërore. Kështu padyshim shpresoj që t’i vendosni ëndrrat tuaja në këtë vend, dhe ëndrrat tuaja të bëhen realitete të mëdha, të suksesshme. Qeveria ime do t’ju mbishtesë plotësisht dhe do të jetë një histori suksesi. Nuk njoh investitorë që kanë humbur në këtë vend.
Sërish faleminderit që erdhët.
11/11/2011