E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kongresmenin amerikan, Geri Piters

11 nëntor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot kongresmenin amerikan, Geri Piters, i cili, në këtë takim me Kryetarin e Shtetit, shoqërohej nga Zëvendësambasadorja amerikane në Tiranë, Deborah Xhons, anëtari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), Martin Shkreli si dhe zoti Xhejson Shtajnbaum.

Në këtë takim, Presidenti Topi vlerësoi lart ndihmesën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe integrimin euroatlantik të vendit tonë. Duke vënë në dukje mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të qeverisë dhe të popullit amerikan për përparimin e deritanishëm të vendit, në anëtarësimin në NATO, Presidenti Topi ritheksoi se Shqipëria e konsideron SHBA-në një mik të madh dhe një partner strategjik për interesat e saj kombëtare. Në këtë kontekst, Presidenti Topi shprehu vlerësimet dhe për mbështetjen dhe përkushtimin e Kongresit amerikan në përkrahje të çështjes shqiptare në përgjithësi, sidomos ndaj çështjes së Kosovës për fitimin e pavarësisë dhe rritjes së njohjeve ndërkombëtare.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi u ndal edhe në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Në këtë drejtim, Presidenti vuri në dukje kontributin e vazhdueshëm dhe të spikatur të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve përmes projekteve konkrete e perspektive, të cilat krijojnë hapësira e mundësi të reja të këtij bashkëpunimi shqiptaro-amerikan.

Nga ana e tyre, Kongresmeni Piters, zoti Shtajnbaum si dhe anëtari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, zoti Shkreli shprehën mirënjohjen për këtë takim duke vlerësuar rolin kushtetues dhe institucional të Presidentit Topi si dhe apelet e tij të qarta dhe të vazhdueshme në favor të rivendosjes së dialogut konstruktiv politik për funksionimin normal të demokracisë dhe të institucioneve të pavarura dhe kryerjen e reformave të nevojshme integruese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›