E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i përgjigjet interesimit të mediave lidhur me zhvillimet më të fundit politike në vend

11 nëntor 2011
Buçimas, Pogradec

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, iu përgjigj sot interesimit të gazetarëve lidhur me situatën politike në vend.

Gazetarja: Si e konsideroni momentin aktual politik dhe a mendoni se politika po bën hapa vërtet drejt zgjidhjes së ngërçit, duke vlerësuar thuajse propozimet që po bën Partia Socialiste për miratimin e ligjeve me 3/5-at apo reformën zgjedhore?

Presidenti Topi: Unë jam i predispozuar të jem optimist dhe këtë e shikoj jo thjesht tek mënyra e sjelljes së partive politike, që është, besoj, momenti më i rëndësishëm, por edhe tek komunikimi me partnerët ndërkombëtarë. Pra, është momenti që të gjithë duhet të bëhen koshientë që, sa më shumë kontestues refraktarë të jenë në bashkëpunim, nga eksperienca, aq më shumë pikë do të humbim. Kështu që si President, unë vazhdoj të jap apele, dhe besoj që jemi shumë afër një momenti komunikimi dhe fillimit të zgjidhjes së problemeve që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për çdo qytetar shqiptar. Edhe njëherë i inkurajoj që me predispozicionin e duhur, të fillojnë dialogun, të fillojnë komunikimin, pastaj vendimmarrja kuptohet, është sipas të gjitha rregullave që ka demokracia.

Gazetari: Po për sa i përket deklaratës që ka bërë dje Ambasadori i OSBE-së, Volfart, në lidhje me apelin që i ka bërë klasës politike, e cila duhet të harrojë të shkuarën dhe nuk duhet të merret më ne fjalë, por të veprojë dhe të bëjë veprime konkrete?

Presidenti Topi: Besoj që shkon në sintoni me atë çka thashë tani. Pra, njeriu në rast se mbetet peng i konflikteve të së shkuarës, nuk ka shans që të ndërtojë të ardhmen. Pra, klasa politike duhet ta rifitojë koshiencën, të krijojë bazën e bashkëpunimit, dhe pastaj, rregullat e demokracisë janë të njohura. Asgjë nuk ndryshon nga rregullat e demokracisë perëndimore, ku ne dëshirojmë të shkojmë. Pra, modeli është. Të shpikësh modele që nuk janë modele të Evropës Perëndimore do të thotë që të mos kesh koshiencën për të shkuar në Evropë. Gjërat janë më të thjeshta se ç’duken, pra, në moment është predispozicioni për të filluar komunikimin, dialogu, pastaj komunikimi mbi bazën edhe të terminologjisë teknike, dhe vendosja e gjërave. Unë besoj që jemi afër një mundësie zgjidhjeje të krizës, që ekziston, në krizën e besimit, që ekziston në marrëdhënien midis partive.

Gazetari: Zoti President, kur thoni që jemi shumë afër, çfarë keni parasysh?

Presidenti Topi: Kam parasysh të gjithë faktorët që janë në veprim, patjetër edhe artikulimi që vjen nga individë të caktuar të partive politike, por më shumë nga komunikimi me partnerët ndërkombëtarë. Ardhja e misionarëve të rëndësishëm nga Evropa dhe natyrisht mundësia që kam unë për të komunikuar me to, duket që ka një lloj shprese që gjërat të fillojnë të funksionojnë. Konkretisht, të fillojnë të punojnë së bashku në Parlament, së pari, për të zgjedhur disa institucione, të cilat deri më sot nuk janë funksionale. Unë e quaj të pakuptimtë që të mos zgjidhen disa institucione, sikurse është Institucioni i Avokatit të Popullit, sepse në këtë betejë politike do ta quaja, partitë politike dinë t’i ruajnë interesat e tyre, por Avokati i Popullit ka një simbolikë shumë të veçantë, pra bëhet avokat i interesave të çdo njeriu, të çdo qytetari. Pra, unë mendoj që partitë politike duhet ta zgjidhin në mënyrë imediate, pastaj, së dyti, çështje që ata vetë i kanë prononcuar, problemet e rregullimit të komunikimit në Parlament. Dhe pastaj zgjedhja besoj, edhe e Gjykatës Administrative që është shumë e rëndësishme, që shkon përtej interesit të partive politike, në interes të biznesit, të qytetarëve, edhe mjaft çështje të tjera, që sigurisht që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, ku një pjesë e ligjeve është me 3/5-at. Pra, unë nuk mund të futem në çështje specifike, por jap apelin tim që partitë politike duhet t’i lënë llafet, por duhet t’i futen një bashkëpunimi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›