Kryeministri Berisha merr mesazh urimi për rimandatimin e tij, nga humanisti i shquar Asllan Gjinovci

Presidenti i Fondacionit për shkollimin ndërkombëtar të shqiptarëve, me seli në Gjenevë, organizatë e cila ka mundësuar shkollimin me bursë, në Perëndim, të më shumë se 220 studentëve, nga të gjitha trevat shqiptare, përshëndet krijimin e koalicionit PD-LSI, i cili do të përshpejtojë kthimin e kombit në familjen e themeluesve të qytetërimit perëndimor
Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje një urim edhe nga bashkatdhetari Asllan Gjinovci, një aktivist i shquar i diasporës në Zvicër, i cili në telegramin e tij, shpreh vlerësimin për zhvillimin e vendit gjatë këtyre katër viteve, por edhe perspektivën që garantohet me koalicionin e ri, PD-LSI, që aq mençurisht rekomandoi zgjedhësi shqiptar. Në telegramin e Gjinovcit, ndër të tjera thuhet: “Jemi absolutisht të kënaqur që sovrani mandatoi koalicionin PD-LSI, të burrave të shtetit, Sali Berishës dhe Ilir Metës, për të përfunduar punën heroike, të udhëhequr, deri më tani, të integrimit të shqiptarëve në gjirin e familjes së kombeve perëndimore. Katër vitet e shkuara ishin vitet e arritjeve historike të kombit shqiptar, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe më vonë me njohjen e sovranitetit të shtetit të ri ballkanik, thuhet në telegramin e zotit Gjinovci, drejtues i “Albanian Internacional Scholarship Foundation”, i cili, qysh nga themelimi i tij ka garantuar shkollimin me bursë të më shumë se 220 studentëve shqiptarë, nga të gjitha trevat etnike në Ballkan, në universitete të njohura të Evropës, kryesisht në universitete të Gjenevës dhe të Londrës. Më shumë se 3,5 milionë dollarë janë lëvruar nga fondacioni i zotit Gjinovci për shkollimin e ajkës së rinisë shqiptare. “Vitet e fundit shqiptarët i dhanë një leksion Evropës, tha në një prononcim për ‘55’-n, zoti Asllan Gjinovci, me kthimin e shpresës për zhvillim dhe integrim. Partia Demokratike dhe kryeministri Sali Berisha ushtruan një qeverim të përgjegjshëm gjatë katër viteve të shkuara dhe jam fort i bindur se edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës, PD dhe LSI, si dy forcat kryesore të koalicionit të ri qeverisës do të kontribuojnë edhe më tej në atë që është shndërruar në refrenin e përditshmërisë së stafit të fondacionit tonë, ‘ndërkombëtarizimit të potencialit intelektual të shqiptarëve, kudo që janë’. Jam i sigurtë, pëfundon telegrami i zotit Gjinovci, se me këtë koalicion të ri, atdheu-amë, por edhe mbarë trevat shqiptare në rajon, do t’i afrohen edhe më tej aspiratës tonë të përbashkët, kthimit në familjen e kombeve perëndimore, atje ku shqiptarët kanë qenë bashkëthemelues dhe kontributorë të mirëfilltë, derisa mbi njërën nga pjesët më të rëndësishme të qytetërimit perëndimor, trokiti zgjedha e sulltanëve osmane”.
Fondacioni është krijuar me 23 nëntor 1990, me nismën e humanistit dhe shkencëtarit të shquar shqiptar, Prof. Asllan Gjinovcit, punimet e të cilit njihen ndërkombëtarisht në fushën e diabetit. Ai është nderuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë si edhe nga Presidenti i Republikës, me “Medaljen e mirënjohjes”. Fondacioni ka diplomuar në universitetet më të njohura të botës, në degë nga më të ndryshmet, qindra studentë shqiptarë si dhe ka specializuar shumë kuadro, nëpërmjet shkëmbimeve akademike me vende të ndryshme të Europës dhe Amerikës.
...