E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimet idealiste të Edvin Matrapazit

“Tipari kryesor i një personaliteti është ...shpirti paqësor” - Wilde –

Kërcënimet e Ramës po i shëmbëllejnë  një rruféje në qiell të hapur. Shumë njerëz  kanë pritur që nga humbja ky “idealist” vetëm të dëshpërohej. Kush ia ka njohur mëndjemadhësínë, e ka përfytyruar të fyer. Askush nuk e parashikoi tërbimin e tij prej mitomani. Në mos qënçin bllof i një nastradini, kërcënimet e tij i burojnë nga interesa meskine. Të përpiqesh për të ruajtur votën, është shfaqje dinjiteti qytetar. Të zgjedhësh komisionerë me personalitet, është detyrë e çdo lideri politik. Të kërkosh kushte ideale infrastrukture për zgjedhje të ndershme, është mision demokrati. Të ankimohesh për dyshimet ndaj zgjedhjeve është detyrë e çdo burri shteti. Profetët na kanë lënë porosi që, në emër të drejtësisë, të jemi kundra vetes. E drejta qëndron më lart se gjithçka. Kush lufton për të, mbetet i nderuar. Këto i çmon më tepër sovrani. Për to lufton një shoqërí e tërë. Askush nuk fiton pushtet real nga një votë e vjedhur. Për zgjedhje të ndershme nuk ka më të ndjeshëm sesa një popull i nëpërkëmbur prej diktaturës. Shqiptarët e krahasojnë të drejtën e votës me lirinë. Kush u vjedh votën, u ka grabitur nderin dhe dinjitetin. Është kjo  ndërgjegje qytetare, që i lartësoi sivjet standartet e zgjedhjeve. 

Në fushatat zgjedhore të gjithë bëhen “lypësa” para sovranit. Dhe ky bablok zgjedh ata që do t’i shërbejnë më shumë. Nuk të çmon elektorati nga fjalimet patetike, as nga lotët e krodilit për varfërinë, as nga “Politikat e reja”, proklamuar me bujë; as nga mohimi i tranzicionit, gjatë të cilit populli është sakrifikuar. Kush dëmton standartet e zgjedhjeve, në vend t’i vërë vetes vetulla, i nxjerr sytë. Sidomos kur standarti është bërë “kandar floriri”, me të cilin bota peshon nivelin e zhvillimit demokratik. Të përpiqesh të maskosh manipulimin, i sjell më tepër dëm demokracisë dhe vetes. Por, amá, dhe të dyshosh, kur s’ke arsye, bën krim ndaj gjithë atyre që votuan me kulturë të lartë demokratike. 

Në fillim Edvin Rama u bë pjesë e entusiazmit moral të sovranit. U bashkua me korrin e optimistëve, që i panë zgjedhjet si shpresë integrimi të shpejtë në Europë. Por kjo nuk zgjati. Liberali u shndërrua në një lloj diktatori, që dyshon ndaj kujtdo. Meqë përsosuria mbetet synim, Rama gjurmoi nëpër llagëme gjithë thashethemet dhe krijoi me to alibinë e manipulimit. Dhe, duke dashur t’i fitonte zgjedhjet me çdo kusht e me çdo çmim, bindi dhe veten si ai mitomani, që i jep gjithmonë të drejtë vetes. Mirpo, meqë njerëzit e panë me sytë e tyre ndryshimin e standartit të zgjedhjeve, iu drejtua legjendës së 96-ës. Epokës së zezë, që të majtët e kishin krijuar vetë. Ndaj Rama i krahasoi këto zgjedhje me “grackën” e tyre të atij viti, që t’i besohej më shpejt gënjeshtra e stisur nga pikëllimi për humbjen. Dhe dihet që, në këtë fushë, mitomani Ramë ka përvojë të pasur. Hetuesit e djeshëm komunistë, kur dënonin gjithë të pafajshmit, i detyronin që ta hartonin ata vetë akuzën ndaj vetes. Dhe, sa më e pafajshme të ishte viktima e sa më tepër reputacion të gëzonte, aq më i rëndë do t’i montohej fajësía dhe aq më tepër do të torturohej për t’i pranuar në “gjyq” të gjitha shpifjet, që kishte sajuar ( nga dajaku !) kundër vetes. Dhe hetuesit xhelatë habiteshin, kur këta heronj u kërkonin arsyen përse i kishin arrestuar. Xhelatët gajaseshin së qeshuri me naivitetin e të pandehurve, që nuk e kuptonin se ishin thjesht ca “kurbanë” për të trembur të tjerët. Ka mbetur proverbiale shprehja e tyre cinike :”Pse, kur të kryesh ti ndonjë faj, u dashka të të arrestojmë ne ?! Po përse quhemi ne, atëherë, Sigurimi i Shtetit ?! Hë? Përse ? Që të presim, sa të bësh ti ndonjë “proçkë”, pastaj të të vëmë hekurat në duar ?! Njerëzit këto tashmë i kanë mësuar, prandaj kërcënimet e Ramës i marrin si “shashka”, apo si bllofe për të “justifikuar” humbjen. Po dhe për të nxjerrë fitime nga “kolltuku”, që i besuan socialistët e sinqertë. Vetëm kush ka guxuar të ngrejë zërin kundër tij, e ka të qartë sa fort u ngjan Rama atyre hetuesve të djeshëm.   

Rama e mbajti veten për liberal, sa kohë që besoi se do t’i fitonte zgjedhjet. Kur elektorati e braktisi në “parajsën” e gënjeshtrave të tij, Rama nxorri dhëmbët dhe nisi të shpikte “shkaqe” për të motivuar kërcënimet e tij prej shpifësi profesionist. A nuk i tha ujku qengjit se ujin ia kishte turbulluar i ati ? Edhe pse “engjëlli” ishte poshtë rrymës së ujit ?! Ramës nuk i hyn në punë që ankimimet e tij nuk ia miratuan as komisionerët e vet. Nuk i duhen Ramës lavdërimet e miqve të Shqipërisë për shkallën e standartit të zgjedhjeve!  Edhe Enver Hoxha nuk pyeste për fatin e popullit të vet. Ai e kishte siguruar kokën e vet duke marrë “peng” 3 milionë shqiptarë ! Kush matej me të, duhej të llogariste fatin e këtyre viktimave. Se diktatori ishte fshehur në tunele me porta shumë të trasha hekuri. Të tillë janë diktatorët. Kurse Edvin Rama tenton të spekulojë me përgjegjësinë, që ndiejnë burrat e shtetit për fatin e gjithë elektoratit. Për të ardhmen e tij europiane ! Ndoshta prandaj Ramë matrapazi i provokon këta me kërcënime, të cilat sigurisht që rëndojnë mbi të ardhmen e vendit. Veçse harron, i ziu Ramë,  që sovrani e zë lepurin me qerre !...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›