E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europeizmi i De Gasperit, një pasuri që nuk duhet të humbet

“Atdheu ynë Evropa” është titulli i një fjalimi të lexuar nga Alcide De Gasperi, një nga etërit e Bashkimit Evropian, më 21 prill të 1954 në Paris gjatë punimeve të Konferencës parlamentare Evropiane. Vetëm titulli i shkrimi të  tij të  bën të  reflektosh për vizionin shumë  dimensional të  këtij burri shteti evropian. Kjo konferencë në të vërtetë nuk do të nxjerri në dritë vendime të rëndësishme politike, por ishte një forum, një tryezë ku mundën të shkëmbenin mendime e reflektime të ndryshme mbi Evropën, siç do të thotë më pas presidenti italian,” të gjithë ishin të shqetësuar për fatet e vendeve të tona evropiane, dhe të atdheut tonë evropian”.

Ky shqetësim i madh ishte kryesisht konseguencë e mbasluftës së dytë botërore. Oksidenti kishte marrë një plagë tjetër, këtë herë gati vdekjeprurëse, nga bijtë e saj grindavecë. Siç do të thoshte më pas edhe Konrad Adenauer me një frazë përmbledhëse: “jetonim në një qiell por shikonim në horizonte të ndryshme”. Pikërisht mbas luftës “i forti” kjo është dhe etimologjia emrit Alcide De Gasperi, i cili pat intuitën dhe besimin, se asnjë shtet evropian pas lufte i vetëm nuk kishte kushtet ekonomike dhe politike për të  përballuar problemet e rindërtimit dhe të të ardhmes së kontinentit të vjetër. Ideja se bashkëpunimi për qëllimin e përbashkët do të profilizonte të gjitha energjitë e mundshme, qe një mendim i goditur dhe i ndritur. Sikurse idetë  lindin duke u ndarë, e mendimet duke u lidhur. Afërmendsh Aleanca e Atlantikut ishte e domosdoshme. Në këtë moment kulmor të shtetarit italian ky mendim sa vinte dhe merrte përmasat e kornizës evropiane. Perspektiva për krijim e një komuniteti ndërkombëtar bëhet edhe më e veçantë dhe efikase kur takon personalitete të nivelit parë Francës dhe Gjermanisë si: Robert Schuman dhe Konrad Adenauer. I pari nga Alsace Lorena, dhe i dyti nga Renania. Të tre së bashku, katolikë dhe demokratë njëkohësisht, ngritën iniciativën e krijimit të boshtit evropian. Gjykoj se, duke parë formimin intelektual poliedrik, njerëzor dhe politik që të   tre kishin, një vijë pingule në shoqëri, sepse refleksi i botës së tyre të brendshme ishte i vetvetishëm edhe në politikë. Dëshira e themeluesve të BE ishte, pra, bashkimi i shteteve laike, të vetëdijshëm për rrënjët e tyre katolike, në një prosperitet ekonomik e social. Nuk është e vështirë të shohësh sot sesi trendi i BE ndaj Ballkanit është larg shtyllave të  vendosura nga gurthelmetarët e saj. Gjithçka ndodh në Bruksel ose në Strasburg ka një  referencë të vetme, që është tregu. Është e vërtetë se hapat e para të drejt BE ishin ekonomike: qymyri, siderurgjia, atomi dhe tregu, etj. De Gasperi, Adenauer dhe Schuman ishin politikanë shumë të mprehtë e largpamës për të mos kuptuar se nisja do të ishte në  këtë fushë. Një nisje që do të mbërrinte në një bashkim si politik ashtu dhe etik të  Evropës. Mirëpo një finish i tillë nuk është arritur akoma e kësaj dite. Sepse sot Bashkimi Evropian ka të bëjë pak me popujt brenda, i kushtëzuar siç është nga ekonomistët, programatorët, burokratët dhe teknokratët e zhvillimit. Këtyre u referohej edhe Ministri i jashtëm italian Frattini, kur flet për burokracinë e Brukselit. BE-ja e cila nën dëshirën jo vetëm të De Gasperit lindi për të fundosur njëherë e përgjithmonë regjimet autoritare, sot BE i mungon ajo demokracia kurajoze e të investuarit që kishte njëherë e njëkohë, dhe po të shikosh marrëveshjet lidhen midis shteteve, pa pyetur vullnetin e qytetarëve.

Aneksi i  liberalizimit të vizave:/Në këtë aneks mendimesh nuk kam formimin e duhur gjeostrategjik për të gjykuar se përse BE-ja vendosi të shtyri liberazimin e vizave për shqiptarët. Raporti i vlerësimit, i përgatitur nga grupi monitorues ishte i ndarë në disa pika ku Shqipëria simbas tyre ishte akoma prapa, pra: siguria e dokumenteve të identitetit, rendi dhe siguria publike, menaxhimi i kufijve dhe emigracioni, si dhe të drejtat e minoriteteve.

Por nëqoftëse doni mendimin tim, po e shkruaj siç e kuptoj unë. Sot po vija me autobus nga periferia e Tiranës për në qendër. Gjatë rrugës në një stacion autobusi, një nënë e nevrikosur hipi tek dera e shoferit duke i thënë tekstualisht këto fjalë: “edhe po të kisha pritur Saliun (Berisha?) nuk do të kisha pritur kaq shumë”. Shoferi me pamjen e tij dinjitozen i drejtoi gishtin për nga fleta e ngjitur në xham: “mos i fol shoferit!”. Për mendimin tim, shoferi kishte të drejtë, po aq sa kishte edhe nëna e nevrikosur. Duke pasur se që të dy të drejtë, afërmendsh pastaj gjithçka nga biseda e tyre për të njëjtën çështje automatikisht anulohej. Sepse së pari autobusi ishte nisur me vonesë nga stacioni dhe nëna kishte dalë në kohën e duhur, por për pritjen e saj të gjatë, fajin e kishte fatorinoja që ishte tapë e nuk donte të hipte në automjet. Kështuqë pritja shkaktonte humbje kohe dhe si rrjedhojë varfërinë. 

E them këtë duke u nisur nga koncepti kapitalist, se koha është flori, dhe si rrjedhojë është kohë tiranike. Fjalët e fundit që tha kjo nënë ishin: “më humbe ditën e punës, duke u marrë me ty, o derëzi”. Edhe puna jonë kështu është, duke u marrë me standardet humbëm fatorinon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›