Edi dërgon ferman, mos e hiqni Edi Ramën
Veziri i fundit i PS propozon “kamaren e turpit” për të pabindurit
Fermani më i fundit i nisur me urgjencë nga (Topkapi) selia rozë nënshkruar nga veziri i fundit Edi K.Rama kërkon që selitë të kundështojnë heqjen e vezirit të fundit socialist. Fermani përmban një deklaratë ku lexohet dhe kërkohet gjoja mbështetja e madhe që gëzon tek “ushtria e militantëve” veziri Edi.K. Aty, midis të tjerave, nuk shkruhet, por nënkuptohet se kur ka “dezertuar” kryetari, deklarata duhet të lexohet nga sekretari, në të gjitha TV ose “badiavasehir” për të ndalur yryshin që kanë marrë trupat, pas disfatës së madhe të 28 qershorit. Trupat në terren dhe sidomos disa prej drejtuesve, kërkojnë prej ditësh shporrjen sa më shpejt të vezirit të fundit, i cili i shpuri trupat militante që komandonte në humbjen e madhe dhe të papërsëritshme. Thuhet se trupat, pas disfatës, u munduan të përdorin ‘Kalin e Trojës”, një metodë e marrë shumë herë nga historia për t’ia rrëmbyer kundërshtarit fitoren pikërisht atje ku ai nuk e priste. Por kali i drunjtë u kap befasisht prej kapistre natën dhe ushtarët u asgjësuan. Dhe veziri, në përpjekjen e fundit, e dërgoi fermanin e fundit për të kundërshtuar rebelët që priteshin të ngrinin krye pas disfatës. Thuhet se veziri ka propozuar që për rebelët të vendoset “kamarja e turpit’, e cila ishte hequr kohë më parë si e panevojshme. Për rebelët kërkohet prerja e kokës, vendosja e tyre në sini, kripëzimi dhe ekspozimi në “kamaren e turpit”. Për këtë vendim veziri kishte ditë që konsultohej me komandantin trupave jenicere të plotfuqishmin Gramoz Kara Ruci. Pas dërgimit të fermanit, veziri duke parë pozitat e veta të lëkundura, u propozoi që ta shpallnin sulltan, pas ikjes së sulltanit të fundit Bomir. Pritet dhe ka një interesim në terren se çdo të ngjasë, mirëpo analistët e huaj që ndjekin nga afër zhvillimet e fundit thonë se largimi i vezirit të Edi.K, pritet dhe ka gjasa të ndodhë shpejt, madje pa u mbyllur mirë vera.
...