E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Ceremoninë e 70-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore në Poloni

Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha u nis sot për një vizitë 1 ditore në Poloni për të marrë pjesë në Ceremoninë Përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Kjo Ceremoni Përkujtimore zhvillohet në qytetin e Gdansk, qyteti- port më i rëndësishëm në brigjet e Detit Baltik, i njohur edhe si vendlindja e Lëvizjes “Solidarnost”, themeluar nga aktivisti politik i atyre viteve në Poloni, më pas President i Polonisë,  Lech Walesa, i cili luajti një rol madhor në fundin e komunizmit në Evropën Qëndrore dhe ka marrë çmimin Nobel për Paqen në vitin 1983.

Qyteti historik i Gdansk, ku do të zhvillohet Ceremonia Përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore do të mirëpresë personalitetet më të larta të qeverive europiane dhe institucioneve europiane si Presidentin e Parlamentit Europian z. Jerzy Buzek, Kryeministrin e Çekisë z. Jan Fischer, Kancelaren Gjermane  znj.Angela Merkel, Kryeministrin e Rusisë z. Vladimir Putin, Kryeministrin e Serbisë z. Mirko Cvetkoviç, Kryeministrin e Sllovakisë z.Dushan Caploviç, Kryeministrin  e Estonisë z. Andrus Ansip, Kryeministrin e Italisë z.Silvio Berlusconi, Kryeministrin e Bjellorusisë z. Siarhiej Sidorski, Kryeministrin e Letonisë z.Valdis Dombrovskis, Kryeministrin e Lituanisë z.Andrius Kubilius, Kryeministrin e Hollandës z.Jan Peter Balkenende, Kryeministrin e Suedisë z.Fredrik Reinfeldt, Kryeministrin e Finlandës z. Matti Vanhanen si dhe ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë së Madhe,  z. Berndard Kushner dhe z. David Miliband.


01/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›