E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në promovimin e librit “Charles Telford Erickson”

Kryeministri Berisha ishte sot në mbrëmje, i pranishëm në promovimin e librit mbi jetën dhe veprën e Charles Telford Erickson, i autorit Mal Berisha, ku të pranishëm ishin edhe familjarë të Charles Erickson, ambasadori amerikan në Tiranë Alexander Arvizu, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, historianë dhe studiues.  

Erickson është një prej personaliteteve që kanë dhënë kontribut të shquar në Shqipëri dhe për Shqipërinë. I angazhuar thellësisht në çështjet shqiptare, ai i ka kushtuar një pjesë të jetës dhe veprimtarisë së tij promovimit të shqiptarëve dhe mbrojtjes së çështjes së tyre, si përmes veprimtarisë diplomatike, ashtu edhe përmes artikujve në shtypin botëror të kohës dhe studimeve shqiptare. Në 1919, Erickson është delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1921-1922 është komisioner i posaçëm për Shqipërinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1945 është delegat i vetëm shqiptar i Federatës Panshqiptare të Amerikës, Vatra, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Francisco, për pranimin e Shqipërisë anëtare e OKB-së. Gjatë qëndrimit të gjatë në Shqipëri, përpjekjet e Erickson u përqendruan edhe në ndërtimin e shkollave. Ai ngriti shkollën Shqiptaro-Amerikane të Bujqësisë në Kavajë dhe shkollat e vajzave në Tiranë dhe në Kavajë. Nga viti 1937–1941, ai studion tërë literaturën e deriatëhershme në bibliotekat e Muzeut Britanik, Athinë, Romë, Stamboll dhe Uashington dhe shkruan pafund për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Kryeministri Berisha e konsideroi Erickson, ndër personalitetet më të jashtëzakonshme në historinë e  kombit shqiptar, një misionar, të cilin vetëm shqiptarët mund ta lartësojnë “në një prej misionarëve më të mëdhenj që ka pasur qytetërimi ynë.”

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, ne nderojmë një nga personalitetet më të jashtëzakonshme në historinë e  kombit shqiptar, i cili, siç do të thoshte ambasadori i Shteteve të Bashkuara, në Stamboll, në fillimet e shekullit që shkoi, Shtraus: Erickson nuk është një amerikan, por është një shqiptar me pasaportë amerikane. Njerëzit tanë, do të vazhdonte Shtraus, bëjnë përpjekje të mëdha për të mësuar gjuhën e tyre, ndërsa ky ka një shqipe të përsosur dhe komunikon në mënyrën më të lirshme, me shqiptarët e të gjitha besimeve, të të gjitha krahinave. Natyrisht, Erickson kishte këtë dhunti, sepse ai mbarte në vetvete kuintensencën morale të kombit të tij të madh.

Gjatë jetës sime, një nga kuriozitetet më të mëdha ka qenë të mësoja se ku qëndronte forca e jashtëzakonshme e misionarëve, të cilët, në rast do të flasim për qenie mbinjerëzore, janë më të parët që paraqiten si të tillë. Për shumë dekada nuk kam pasur mundësi ta mësoj këtë, sepse vetëm kisha lexuar për ta, por nuk i kisha takuar. Liria bëri të mundur që unë të takoj një prej misionarëve më të mëdhenj të këtij planeti. Dhe kjo ishte Nënë Tereza. Atëherë, i gjithë përqendrimi im ishte se nga buronte forca e jashtëzakonshme e kësaj gruaja, për të cilën kisha dëgjuar, kisha parë filma, por sërish nuk arrija të dija se ku qëndronte tërë ajo forcë, që e bënte atë të mundur të operonte aty, ku gjithë të tjerët ishin dorëzuar. Dhe kjo forcë ishte tek besimi i saj i pashtershëm tek Zoti, tek Krishti, tek dashuria.

Në forcën e madhe të dashurisë qëndron edhe vepra e jashtëzakonshme e Charles Telford Erickson. Vetëm kjo forcë mund të mundësojë njeriun, të jetë njëherësh humanist i madh, ungjillor i përsosur, pedagog i shkëlqyer, diplomat i klasit të parë, historian e studiues pasionant, poet i vërtetë. Dashuria është ajo që transformohet në të gjitha energjitë e tjera të jashtëzakonshme, pozitive, të njeriut. Askush nuk mund ta ketë dashur Shqipërinë dhe shqiptarët, siç i deshi ky amerikan i madh.

Ka mundësi që Erickson të jetë rezidenti i parë amerikan, në Shqipëri, në vitin 1908. Në një kohë të shkurtër, ai dhe ungjillorët e tjerë u shndërruan në avokatët më të shkëlqyer të një kombi, mbi të cilin po bëheshin batërditë më të mëdha të kohës. Ne me të drejtë na pëlqen t’u njohim merita personaliteteve tona, të cilat ato i kanë, në sensibilizimin e opinionit publik amerikan dhe autoriteteve zyrtare amerikane, ndaj masakrave dhe barbarive që kryheshin mbi shqiptarët, në dy dekadat e para të shekullit. Por, të dashur miq, merita e parë dhe më kryesore u takon ungjillorëve të kombit amerikan, atyre misionarëve, të cilët në dhjetëra shkrime e qindra letra e dokumente informonin dhe sensibilizonin kombin, vendin, presidentin dhe qeverinë e tyre mbi atë, çka po ndodhte me shqiptarët.

Erickson i gjeti shqiptarët në një agim. Padiskutim e gjeti kombin më të varfër dhe të zhytur në mjerim, të këtij kontinenti. E gjeti kombin, i cili sapo themeloi alfabetin e tij. E gjeti atë, si vendi, ku, pak kilometra po të largoheshe nga qyteti, konstatoje se koha kishte ndaluar, vendi kishte mbetur në kohëra të largëta. Por e gjeti atë, siç thotë ai: “Ky komb është si zambak i bukur, por i rrethuar prej ferrash dhe nuk e lenë të lëshojë erën e ëmbël. Le të vrapojmë e të çrrënjosim çka mbi kurrizin e tij dhe atëherë do të shohë bota e qytetëruar, se sa i mirë është ky zambak”.

Cilido që lexon veprën e tij gjen aty, prozën më të bukur poetike të shkruar për shqiptarët. Kam lexuar shumë libra të të huajve për shqiptarët, miq të mëdhenj amerikanë, anglezë e të kombeve të tjera dhe ka prej tyre që kanë qenë shkrimtarë ndër më të mëdhenjtë, por energjinë, ndjenjën, forcën që ka proza poetike e Erickson për shqiptarët nuk mund ta gjesh në asnjë libër tjetër të shkruar për ta. Nuk do të kisha qenë kaq i përkushtuar për këtë komb, thotë ai, në qoftë se nuk do të ishin këta që i dhanë botës Kostandinin, nuk do të ishte ky komb, në këtë gjendje, një ndër kombet themeluese të krishterimit. Sa herë them këtë, në salla, unë shoh njerëz që rrudhin buzët. Por e vërteta historike është kjo, që thotë Ericksoni. Madje, ndonjëherë më këshillojnë e më thonë të mos e përmend këtë, por unë do ta them, sepse askush nuk vë në dyshim atë që Erickson konfirmon, rrënjët e Kostandinit, të cilin ai me të drejtë e konsideron dhe e shpall burrin më të madh të njerëzimit, pas Krishtit, Muhamedit dhe Budës.  

Është e vështirë ta përmbledhësh në pak fjalë e të flasësh për Erickson dhe edhe më e vështirë të shprehësh mirënjohjen që ndjen ndaj tij. Kur vdiq Nënë Tereza, unë shkova në Kalkuta dhe pasi pashë Kalkutën, në mënyrë të përsëritur me veten dhe publikisht e thërras atë, ashtu si ndofta shqiptarët nuk duan, Nënë Tereza e Kalkutës, sepse vetëm Kalkuta mund ta lartësonte atë në shenjtore. Të dashur miq, edhe Ericksonin, vetëm Shqipëria e shqiptarët mund ta lartësojnë në një prej misionarëve më të mëdhenj që ka pasur qytetërimi ynë.

Më lejoni të them dy fjalë për Mal Berishën. Dua ta falënderoj shumë përzemërsisht. Jam dëshmitar i atij përkushtimi të madh, i atij pasioni dhe asaj dashurie dhe admirimi të pakufishëm që ndjen për Erickson dhe veprën e tij. Me këtë, i dashur Mal, ke nderuar çdo shqiptar. Kombet dallohen ndofta më shumë se për çdo gjë tjetër, me figurat, gratë e burrat që ata nderojnë. Dhe unë të shpreh mirënjohjen, sepse i ke bërë një shërbim të madh kombit shqiptar, me përkushtimin tënd ndaj Charles Telford Erickson.”


05/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›