E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën e Bërdosë

Konferenca e sotme në qytetin slloven të Bërdosë organizohet nga kryeministrat e Sllovenisë, Borut Pahor si dhe ai i Kroacisë, Jadranka Kosor, dhe në të do të marrin pjesë liderët politikë të rajonit, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.

Konferenca "Bashkë për Bashkimin Evropian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e Evropës", ka si qëllim të theksojë vullnetin dhe vendosmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një bashkëpunim të ngushtë politik dhe konkret për progresin e vendeve të tyre drejt qëllimit të përbashkët, anëtarësimi në BE.

Objektivat kryesorë që synon të arrijë konferenca janë ritheksimi i vendosmërisë në realizimin e reformave dhe standardeve të kërkuara për anëtarësimin në BE; diskutimi i arritjeve në këtë proces dhe strategjive të përbashkëta drejt qëllimit të përbashkët; anëtarësimi në BE të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që tregojnë dëshirën e mirë dhe vullnetin e përbashkët për bashkëpunim dhe suport të ndërsjelltë në hapat drejt integrimit në BE.

Gjithashtu në Konferencë do të diskutohet për identifikimin e nismave të përbashkëta dhe konkrete në projekte rajonale bashkëpunimi; rreth kontributit që vendet e Ballkanit Perëndimor mund të japin për të ardhmen e përbashkët evropiane dhe krijimi i një forumi për shkëmbimin e eksperiencave të fituara gjatë zbatimit të procesit.

Në përfundim pritet që të dilet me një Deklaratë të Përbashkët Rajonale, e cila do t'i paraprije Takimit Ministerial që do të zhvillohet nën Presidencën spanjolle të BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›