E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën rajonale për Arsimin

- Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që drejtuesit e universiteteve, drejtuesit e institucioneve shkencore dhe katedrave të vendit, të bëjnë çdo gjë për intensifikimin e bashkëpunimit me universitetet e vendeve mike e partnere, për të bërë të mundur përgatitjen më të mirë të kërkuesve të rinj shkencorë.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në Konferencën rajonale me temë “Fuqizimi i kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë, nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe atij pan Evropian” të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim dhe UNESCO dhe me mbështetjen e qeverisë zvicerane. Në këtë aktivitet merrnin pjesë ministrat e arsimit të vendeve të rajonit, drejtues të Institucioneve kërkimore shkencore të vendit dhe të vendeve mike të pranishme në konferencë, drejtues të universiteteve, studiues, pedagogë, etj.

Në fjalën e hapjes, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafai u shpreh se arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë prioritet i qeverisë shqiptare, e cila e konsideron investimin për arsimin dhe shkencën si një garanci për zhvillimin e vendit.

Duke përshëndetur Konferencën, kryeministri Berisha falënderoi organizatorët , të cilët përzgjodhën Tiranën për organizmin e një konference, e cila trajton një çështje kaq të rëndësishme siç është kërkimi shkencor dhe inovacioni.

Kryeministri theksoi se reforma e thellë që ndërmori vendi ynë për të shkrirë kërkimin shkencor me mësimdhënien u bazua në parimin dhe në besimin se universitetet, auditorët, laboratorët, potencialet e tyre janë dhe mbeten shtretërit e ngrohtë kryesor, të zhvillimit , të mendimit intelektual, të zhvillimit , të mendimit shkencor. Në këtë kontekst, kryeministri shtoi se qeveria do të përpiqet dhe po përpiqet të rrisë progresisvisht fondet për kërkimin shkencor, si një kusht vendimtar për suksesin e tij.

Kryeministri tha se këto burime mund të dyfishohen apo të shtohen më shumë nëpërmjet kontributit të padiskutueshëm të sektorit privat. “është e domosdoshme që ne të përpunojmë të gjithë mekanizmat ligjorë, të gjitha lehtësirat në mënyrë që sektori privat, në raport me të cilin buxhetet janë shumë të vegjël, të mund të kontribuojë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe të shkencës.

Kryeministri u shpreh se universitetet e vendeve mike, e vendeve partnere janë të hapura për bashkëpunim me universitet tona. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se është e domosdoshme që drejtuesit e universiteteve , drejtuesit e institucioneve shkencore dhe katedrave të bëjnë çdo gjë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi, të bëjnë çdo gjë për përgatitjen më të mirë të kërkuesve të rinj shkencorë.

Ndër të tjera, Kryeministri tha se vendet e rajonit janë në një garë jo të lehtë me vende shumë të pasura, shumë të zhvilluara, të cilat kanë traditë të qartë në shkencë, teknologji dhe inovacion. “Ne do të mund të ecim në këtë garë me kushtin më kryesor, të investojmë në burimet njerëzore, të investojmë në trurin dhe mendjen e studiuesve tanë.”, tha Kryeministri

Kryeministri garantoi të gjithë drejtuesit e universiteteve dhe të shkollave të larta se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që ata të kenë sukses në këtë garë. Suksesi I tyre, u shpreh Kryeministri, është suksesi i vendit, është levë e fuqishme për rritjen ekonomike të vendit, për zhvillimin e tij.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të nderuar zotërinj ministra, shkëlqesi ambasadorë, zotërinj deputetë, rektorë, drejtues të institucioneve shkencore të vendit dhe të vendeve mike të pranishme në këtë tryezë.

Së pari, dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht, të falënderoj organizatorët për përzgjedhjen e Tiranës, për mbajtjen e kësaj konference për një çështje themelore, çështjen e kërkimit shkencor, inovacionin dhe një nga problemet më të vështira, përgjigja ndaj së cilës varet realisht e ardhmja, ndërtimi i të ardhmes nga vendet dhe kombet tona.

Sot, këtu mblidhen ministrat dhe përfaqësuesit e kërkimit shkencor nga vende të rajonit dhe kjo përbën një ogur shumë të mirë sepse përbën një përpjekje që edhe në këtë fushë, ne të intensifikojmë bashkëpunimin rajonal. Vendet tona lanë pas një sistem, në të cilin ekzistonte kërkimi shkencor, në mënyrë të padiskutueshme, por ishte vendosur mbi bazat e planit dhe plani ishte dhe armiku I tij kryesor. Sot ne po e rindërtojmë atë mbi baza tërësisht të reja.

Reforma e thellë që ndërmori vendi ynë për të shkrirë kërkimin shkencor me mësimdhënien u bazua në parimin dhe në besimin se universitetet, auditorët, laboratorët, potencialet e tyre janë dhe mbeten shtretërit e ngrohtë kryesor, të zhvillimit , të mendimit intelektual, të zhvillimit të mendimit shkencor.

Kjo reformë është shoqëruar dhe do të shoqërohet me një reformë të thellë të sistemit të arsimit të lartë, me rritjen gjithnjë e më të madhe të autonomisë së këtyre institucioneve, decentralizimit, por dhe dekoncentrimit brenda tyre, si një kusht që hapësirat për studiuesit e rinj, për shkencëtarët të zgjerohen gjithnjë e më shumë. Kërkimi shkencor sigurisht që është i lidhur me pasionin e kërkuesit, por pazgjidhshmërisht I lidhur është me financat dhe financimin.

Ndaj në këtë reformë ne do të përpiqemi dhe po përpiqemi të rrisim progresisvisht fondet për kërkimin shkencor, si një kusht vendimtar për suksesin e tij.

Historia fakton se çfarëdo që të bëjë një qeveri me fondet publike ajo nuk është dhe nuk do të jetë në gjendje tu përgjigjet kërkesave të mëdha të studiuesve dhe kërkuesve me buxhetin e saj. Por modelet janë të tilla, që dëshmojnë se këto burime mund të dyfishohen dhe më shumë, në rast se qeveritë vendosin të hapin të gjithë rrugët për kontributin e sektorit privat. Në këtë aspekt modeli amerikan mbetet një model frymëzues, frymëzues për ne, frymëzues për mbarë botën. Universiteti që ka numrin më të lartë të nobelistëvë ka dhe buxhetin më të madh, prej 17 miliard dollarë në vit, ku pjesa dërrmuese është kontribut i korporatave dhe donacioneve private.

është e domosdoshme që ne të përpunojmë të gjithë mekanizmat ligjorë, të gjitha lehtësirat në mënyrë që sektori privat, në raport me të cilin buxhetet janë shumë të vegjel të mund të kontribuojë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe të shkencës.

Jemi mbledhur këtu nga vende të ndryshme. Sot ne jemi vende të lira. është jashtëzakonisht e rëndësishme të përpiqemi për qendra rajonale të kërkimit shkencor. Edhe kjo në interesin më të mirë të përdorimit të burimeve financiare. është shumë e rëndësishme që katedrat e universiteteve tona dhe institutet tona kërkimore të jenë disponibël, me mjetet e tyre, me projektet e tyre, për kërkues nga rajoni. Kjo do të forconte më shpejt fibrën tonë kërkimore shkencore. Kjo do të bënte më të mundur që edhe donatorët miqtë tanë të kontribuonin më shumë.

Në të gjitha fushat në rajon gjen qendra që janë në avanguard. Atëherë është në interesin më të mirë që ato të rrezatojnë jo vetëm në vendet e tyre, por të rrezatojnë në të gjithë rajonin. është jashtëzakonisht e rëndësishme që qendrat tona kërkimore shkencore të hapen me guxim dhe kurajë nga studiues nga e gjithë bota. Sigurisht që lëvizja është e lirë, por shkencëtarët dhe studiuesit kërkojnë edhe mjetet e punës dhe kushtet. Mundësitë ekzistojnë. Potencialet janë enorme, janë shumë të mëdha. Universitetet e vendeve mike, vendeve partnere janë të hapura për bashkëpunim me universitet tona. është e domosdoshme që drejtuesit e universiteteve , drejtuesit e institucioneve shkencore dhe katedrave të bëjnë çdo gjë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi, të bëjnë çdo gjë, për përgatitjen më të mirë të kërkuesve të rinj shkencorë. Të zhvishen nga të gjitha xhelozitë që janë humane, janë njerëzore, por të nxisin studimin, të mbështesin suksesin e bashkëpunëtorëve të tyre.

Zonja dhe zotërinj.

Kombet tona janë në një garë të vështirë me vende shumë të pasura, shumë të zhvilluara, me vende me një traditë të qartë në shkencë, teknologji dhe inovacion. Ne do të mund të ecim në këtë garë me kushtin më kryesor, të investojmë në burimet njerëzore, të investojmë në trurin dhe mendjen e studiuesve tanë.

Unë dua të garantoj drejtuesit e universiteteve , të shkollave të larta se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që ata të kenë sukses në këtë garë. Suksesi I tyre është suksesi I vendit, është levë e fuqishme për rritjen ekonomike të vendit, për zhvillimin e tij.

Një seri projektesh ne kemi hapur, brain gain që do të thotë një zbritje e butë e shqiptarëve të shquar nga mbarë bota. Shpresoj që universitetet të frymëzohen nga këto projekte dhe ftoj kolegët e tyre, pavarësisht nga kombësia, nga të gjitha vendet e tjera. Ne kemi përcaktuar bursa për 10 universitetet më të mira në botë, qoftë për master, qoftë për doktoraturë, por edhe për studime thjesht universitare. Ne po përpiqemi të vendosim një sistem të ri në financimin e arsimit, sipas të cilit , paraja ndjek studentin, ndjek performancën e tij , pavarësisht se ku ndodhet në universitet publik apo privat. Ne po përpiqemi të reformojmë mbarë sistemin arsimor, por n ë të gjithë këtë kuadër bashkëpunimi rajonal , bashkëpunimi mes vendeve tona, midis institucioneve arsimore të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor ka një rol të padiskutueshëm , ndaj dhe njëherë dua tu përshëndes shumë përzemërsisht për këtë takim të shkëlqyer që keni organizuar në Tiranë.

Ju faleminderit”


22/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›