Kryeministri Berisha merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar "Agrobiznes 2006"
Sot pasdite, u çel në Tiranë edicioni i katërt i Panairit Ndërkombëtar "Agrobiznes 2006" , i organizuar me prodhime ushqimore të firmave shqiptare dhe të vendeve fqinje të rajonit. Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në këtë aktivitet i shoqëruar nga ministra të tjerë të kabinetit, si dhe nga Ministri i Bujqësisë së Kosovës Tomë Hajdaraj. Në ceremoni morën pjesë gjithashtu drejtues të firmave prodhuese vendase dhe të huaja si dhe përfaqësues të 20 kompanive nga Kosova.
Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë panair shumë të rëndësishëm për jetën ekonomike të vendit dhe në veçanti për biznesin që bazohet në përpunimin e prodhimeve bujqësore të vendit.
Duke përshëndetur hapjen e panairit, kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:
"Është një kënaqësi e vecantë për mua të përshëndes këtu të gjithë firmat pjesëmarrëse në këtë panair. Firmat e vendit, firmat e huaja, të përshëndes 20 kompanitë që vijnë nga Kosova si dhe ministrin e Bujqësisë së Kosovës, zotin Tomë Hajdaraj, të përshëndes kompanitë italiane dhe të gjitha ata të cilët sponsorizuan këtë veprimtari të rëndësishme.
Prodhimet shqiptare janë të njohura si prodhime të cilësisë më të lartë. Të gjithë atyre që kanë udhëtuar në trevat shqiptare, tipari që u ka lëne mbresë më shumë, janë prodhimet e shijshme. Klima, mikroklima, toka dhe përbërja e saj, ujërat, të gjitha sëbashku bëjnë që kjo tokë të prodhojë në distancë ushqimet më të shijshme në Europë dhe më gjerë.
Në këtë kontekst përpunimi i tyre ka një të ardhme të shkëlqyer. Agrobiznesi do të shndërrohet në një degë kryesore të ekonomisë shqiptare. Ky vit ka shënuar një risi pozitive dhe një përpjekje të një sektori pothuaj tërësisht të braktisur gjatë regjimit kleptokratik. Risia është se ka një rritje të qartë të eksporteve shqiptare, veçanërisht të prodhimeve bujqësore shqiptare. Në tetë muaj ky eksport arrin në 11 mijë ton. Potenciali është shumë herë më i madh ndaj dhe duhet të garantoj fermerët shqiptarë se do të bëjmë çdo përpjekje për të ndihmuar që prodhimet e tyre të gjejnë tregun. Ndihma më e madhe që ne i dhamë këtë vit ishte lufta kundër kontrabandës. Për shkak të vërshimit në treg të prodhimit vendas, ky vit solli rënien e importit të zarzavateve, frutave dhe perimeve të tjera të sezonit, në Shqipëri.
Ka patur një rritje çmimesh të tyre në treg, por duhet të jemi të vetëdijshëm se çmimet e prodhimeve bujqësore shqiptare meritojnë një vlerësim akoma më të madh, po te kemi parasysh se jo më pak se 70-80 për qind e tyre janë bio dhe si të tilla janë të cilësisë më të lartë ndaj dhe duke përgëzuar këtë aktivitet, duke përshëndetur edhe këtë kthesë që u shënua këtë verë, dua të zotohem se do të bëjmë çdo përpjekje për të nxitur zhvillimin e agrobiznesit. Do të bëjmë çdo përpjekje për ti krijuar atij lehtësirat që meriton. Do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme që fermerët shqiptarë të nxjerrin në tregun shqiptar dhe europian prodhimet e tyre të mrekullueshme. Në këtë kontekst jam i bindur se projekti i qeverisë për gjashtëmijë kilometra rrugë dytësore, të cilat në gjatësinë më të madhe do të shtrihen me përparësi në zonat bujqësore janë një ndihme reale për këto zona në mënyrë që të kapim me shpejtësi dhe me kosto më të ulët tregun e vendit dhe tregjet e botës. Edhe njëherë urimet më të përzemërta për këtë veprimtari dhe suksese në biznesin tuaj."