E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri merr pjesë në Tryezën: "Liberalizimi i shkollave të larta, cilësia e studimeve, autonomia dhe përgjegjësia e qeverisjes"

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Ministria e Arsimit me temë; "Liberalizimi i shkollave të larta, cilësia e studimeve, autonomia dhe përgjegjësia e qeverisjes". Të pranishëm në këtë takim ishin Ministri i Arsimit Genc Pollo, drejtues të universiteteve, rektorë, dekanë e pedagogë të tyre.

Kryeministri Berisha ftoi dhe inkurajoi drejtuesit e universiteteve të kontribuojnë me idetë e tyre dhe të forcojnë bashkëpunimin me qeverinë për realizimin me sukses të reformës universitare.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha bëri këto komente:

"Së pari shfrytëzoj këtë rast për t'ju përshëndetur përzemërsisht, për të përshëndetur të gjithë pedagogët, asistentët e universiteteve të Shqipërisë, studentët e tyre, për t'ju siguruar për mbështetjen e plotë të qeverisë në përmbushjen e një misioni të madh, mision i cili është një ndër faktorët më kryesorë në projektimin, formësimin e të ardhmes së vendit dhe zhvillimit të tij.

Universitetet janë shtretërit e mendimit intelektual të kombit, shtretërit e vlerave më të mëdha të shoqërisë. Në këtë kontekst, qeveria që unë drejtoj është e vendosur t'u mbështesë në misionin tuaj të madh dhe fisnik.

Mendoj se për ju është dhe duhet të jetë më e qartë se për këdo tjetër, se për cdo vend në tërësi, por për vendet në zhvillim e sipër në vecanti, asgjë nuk është më gllabëruese sesa status quo-ja. Ajo që intelektuali nuk duhet ta pranojë, ose ajo që intelektuali duhet ta kritikojë dhe të përpiqet ta ndryshojë, është status quo-ja. Gjenia e intelektualit është ajo që ka ndryshuar status quo-në, ka ndryshuar sistemet, ka ndryshuar epoka. Fatëkeqësia e intelektualit është konformizmi. Kur ai konformohet me status-quo-në, ka pranuar njëkohësisht procesin e degradimit.

Kam ardhur tek ju i bindur se reformat, reformat dhe vetëm reformat janë jetike për të nxjerrë, për të zhvilluar dhe për të konsoliduar sistemin tonë edukativ, sistemin tonë arsimor. Këto reforma mund dhe do të kenë sukses të plotë kur vendoset një bashkëpunim i ngushtë, qeveria për pjesën e vet dhe bota akademike me soft-in e saj. Në rast të kundërt, një proces që është kaq jetik pëson një zhvlerësim progresiv. Nga një e vërtetë e madhe shndërrohet në një fiktivitet. Raporti i këtij misioni deformohet gjithnjë e më shumë.

Ne kemi shpallur arsimin një përparësi të madhe dhe e kemi bërë këtë në kushte shumë të vështira, sepse ne e kemi marrë pushtetin në një kohë kur buxheti ishte përgjysmuar, kishte zbritur në shifrat më të ulëta se të ndonjë vendi tjetër. Në rast se buxheti është i përgjysmuar në raport me atë që ke patur, në raport me vendet e tjera përreth, me vendet e tjera në Europë, është natyrisht e vështirë që të këndosh këngën e suksesit dhe të mos përballesh me pasoja shumë të rënda.

Ndaj ne si qeveri kemi vendosur të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Shoh me optimizëm se mund edhe të tejkalohet ky objektiv, pasi arsimi ka nevoja të mëdha. Kemi nisur punën tonë me mësuesit për të ndryshuar jetën e mësuesit. Nëqoftë se vitin e parë ne mbajtëm një qëndrim të veçantë ndaj mësuesve të sistemit para-universitar, këtë vit ne do të kthehemi nga ju, nga pagat tuaja, do të kthehemi të respektojmë ngarkesën tuaj, mundin dhe djersën tuaj intelektuale.

Javën që vjen ministri do të sjellë në qeveri për miratim projektin për trefishimin e shpërblimit për ju për orët suplementare, për të gjithë veprimtarinë tuaj. Unë nuk e konsideroj këtë ndonjë gjë shumë të madhe. Mbetem i vetëdijshëm se meritohet më shumë. Por ne do të përpiqemi t'ju krijojmë mundësitë për të ushtruar veprimtarinë tuaj intelektuale me dinjitet të plotë.

Një reformë shumë e rëndësishme u ndërmor që kërkimi shkencor të vijë tek ju, reformë e cila ende nuk është konkretizuar dhe konsoliduar por që është venë në bazë të fortë ligjore. Nuk ka asgjë më absurde se sa t'u heqësh kërkimin shkencor katedrave dhe universiteteve. Kjo do të thotë t'i përthash ato, t'i sterilizosh ato nga mendimi. 19 institute kërkimore-shkencore, që për hir të së vërtetës kanë vlerë të mrekullueshme, por që funksiononin me mënyrën e tyre, tani do të funksionojnë pranë jush dhe me ju.

Gjithashtu, bashkërisht do të përcaktojmë rregullat e përdorimit të fondeve për kërkimet shkencore. Ju e keni shumë të qartë se kërkimi shkëncor përbën thelbin e idealit të një pedagogu, të një mësimdhënësi. Po t'i mohosh atij këtë mundësi dhe ta lesh atë në variantin më optimal duke rifreskuar leksionet e tij cdo vit, sërish e dënon atë të sillet në një orbitë që spostohet aq sa spostohen dijet e tij në atë fushë. Pedagogët duhet të jenë kërkues shkencor. Këtë ne jemi të vendosur ta riorganizojmë sëbashku me ju.

Ne kemi dyfishuar numrin e studentëve dhe kjo është absolutisht një arritje e madhe për të gjithë, arritje për të cilën duhet të ndiheni krenarë sepse ju e përballoni këtë mision. Kanë qenë 13.100 në vitin 2004, janë rreth 22 mijë dhe nuk kanë përfunduar akoma, këtë vit. Por të gjithë e dimë se ende jemi larg vendeve të tjera. Por ne po shkojmë në këtë mënyrë drejt një standardi mesatar të Bashkimit Europian. Qeveria përpiqet që të ndjekë nivelin mesatar, të mos pranojë minimalen. Mesarja në BE, pavarësisht nga mosha e popullatës, është 40 studentë për 1 mijë banorë. Ne duhet të bëjmë cdo përpjekje që t'i afrohemi kësaj mesatarje.

Do të krijojmë fondin e ekselencave. Ajo që kemi ndarë është modeste, por unë ju garantoj se ajo mund të dhjetëfishohet. Do të shohim bashkërisht mënyrën se si do ta përdorim. Ta depozitojmë pranë universiteteve dhe të punojmë ne interesin e tij. Por pedagogë dhe dhe asistentë të universiteteve të Shqipërisë do të kenë të drejtë, mbi bazën e aplikimit, të gradohet në universitetet më të mira të botës. Unë ju kërkoj në mënyrë njerëzore të mos rrisim taksat per studentet. Une jam kunder tyre. Sa të jem kryeministër nuk kam ndërmend të firmos më. Të mos i dënojmë të paguajnë, janë njerëz të varfër. Unë e kuptoj që ju keni nevoja, por është më mirë të bëjmë presion mbi buxhetin. Gjithashtu, kemi hapur një shteg shumë pozitiv të kreditit. Kam qenë gjithnjë i mendimit se kredia për arsimin ia vlen më shumë se për cdo gjë tjetër. Investimi për arsimin është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Për fat kemi gjetur burim kredie, do përpiqemi ta dyfishojmë atë. Kemi një kredi prej 60 milionë, ndërkohë që kam premtim prej Guvernatorit të Bankës se mund ta dyfishojmë atë. Jemi të gatshëm që të gjithë t'ia përkushtojmë arsimit. Një komb fiton shumë nëqoftë se arrin të investojë sa më shumë në arsim.

Ne kemi kaluar ligjin për Këshillin e arsimit të lartë. Unë e konsideroj këtë një institucion shumë të rëndësishëm dhe ky institucion duhet t'u paraprijë reformave në këtë sistem. Ky institucion është i përbërë nga akademikë, profesorë, të cilët do t'i japin qeverisë dhe parlamentit idetë e tyre se si të zhvillohet sistemi arsimor.

Po hartohet dhe janë përcaktuar kollonat e masterplanit të arsimit të lartë, në bashkëpunim dhe me ekspertizën e Këshillit të Europës.

Sikurse e dini, qeveria ka ndërmarrë një nismë të re, e cila ka impaktin më pozitiv në shkolla. Ishte nisma internet në çdo shkollë, ndërsa tani ne po e shtrijmë atë "Shqipëria në moshën e internetit" Kjo është e kushtueshme. Ne i kemi kërkuar koorporatës së Telekomit të marrë nismën për të furnizuar me ADSL çdo abonetë të saj, të aplikojë teknologjitë më të reja. Kjo është bërë me qëllim për të luftuar prapambetjen ku jemi në këtë fushë. Ne duhet të bëjmë përpjekje të mëdha për të dalë nga kjo prapambetje.

Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që universitetet të realizojnë autonominë e tyre të vërtetë. Vetëm në këtë mënyrë ato mund të përmbushin misionin e madh që kanë.

Rendësi të jashtëzakonshme ka që reforma të nisë me hierarkinë e saj. Ne mbështesim idenë që të kthehet profesura. Me këtë nuk nënkuptojmë rivlerësim titujsh, në mënyrë kategorike jo. Por aty ku janë 5 profesorë ata nuk mund të jenë të barabartë, por nuk duhet të jetë politika që ta përzgjedhë të parin e tyre. Duhet të jetë profesura që ta zgjedhë atë. Ne jetojmë në kohën e globalizmit. Do të ishte dobishme të përzgjidhnim edhe profesorë nga vende të tjera në këtë konkurs, sepse vende shumë më të zhvilluara se ne ndjekin këtë praktikë. Pra ju, së bashku me stafin akademik, le të zgjidhni më të mirin e grupit. Ai le ta mbajë këtë funksion derisa të japë prova që e meriton atë. T'i japë atij mundësinë që të zgjedhë stafin me të cilin do të punojë, sepse në varësi nga ekipi ai do të mund të garantojë suksesin ose mossuksesin e tij. Kështu që është shumë e domosdoshme të reformojmë hierarkinë në universitete. E ritheksoj se kjo nuk ka të bëjë me riklasifikim titujsh por ka të bëjë me objektivizim dhe depolitizim të këtyre vendimeve.

Duhet të përpiqemi bashkërisht të fuqizojmë bazën tuaj laboratorike. Në rast se theksova se ne kemi ndarë një fond të cilin mendojmë intensivisht se si ta dhjetëfishojmë për graduimin tuaj në universitetet më të mira, por edhe për dërgimin e studentëve në këto universitete, ne duhet të mendojmë të krijojmë këtu laboratore më moderne, bibliotekat më funksionale dhe të pasura, në shërbimin tuaj, në shërbim të shkencëtarëve të rinj, në shërbim të studentëve.

Edhe njëherë dua të theksoj se universitetet duhet të jenë epiqendra e kërkimit shkencor. Ne jemi të vendosur të inkurajojmë sektorin privat. Ka një shqetësim sepse njerëzit, duke patur në kokë skemën klasike të universitetit, e kanë të vështirë të pajtohen me diversitetin e kësaj skeme, por diversiteti i kësaj skeme është një realitet i zhvillimit të arsimit në botë.

Së dyti, nuk ka dyshim që këto universitete i vënë më në garë universitetet publike. Por që të dyja janë pozitive Sërish e them që ne nuk duhet të pranojmë status quo-në. Ne duhet të shohim dinamizmin. I vetmi problem serioz që del dhe për të cilin unë i kam kërkuar ministrit të arsimit, është që ekipi i ngarkuar në ministri të shqyrtoje më seriozitet zbatimin e kërkesave ligjore. Unë mbetem i mendimit se në përputhje me kuadrin ligjor ne duhet të nxisim sektorin privat në arsim, duhet të nxisim sektorin privat në shëndetësi, si kusht për të përmirësuar cilësinë e këtyre shërbimeve në vend.

Nuk mund të ketë autonomi universitare nëqoftë se universitetet nuk përshtaten me tregun dhe kërkesat e tij. Kjo përbën një nga kushtet më themelore sot për autonominë. Ndaj unë ju bëj thirrje të shqyrtoni me seriozitetin më të madh mundësitë për dalë nga skema ekzistuese klasike dhe për t'u përshtatur me karakterin poliedrik të dijes dhe të kërkesave të tregut. Ne duhet të shohim si t'i pajisim studentët me mundësi më të mëdha që ata të mund të ecin me orën e tregut. A jemi ne në këtë nivel? Jo! Ju jeni vet dëshmitarë, i njihni universitetet e botës, i njihni graduimet në këto universitete. Po të bisedoni me biznesmenë, një nga shqetësimet e para që ata nxjerrin është kjo. Jemi në vështirësi për të gjetur specialistin sepse tregu është larmia dhe diversiteti më i madh. Duhen shqyrtuar kurrikulat, duhet të vendosim tregun si kriter kryesor dhe nëse vendosim tregun si të tillë, absolutisht ne ndihmojmë arsimin për të përmbushur shumë më mirë misionin e tij.

Unë duhet të jem i hapur me ju. Me nje pjesë të mirë prej jush kemi kaluar dekada në diktaturë dhe të gjithë ne sot kthejmë kokën dhe i themi vetes se nuk ka të keqe më të madhe se ajo që vjen gradualisht, se ajo që të pushton gradualisht. Një e keqe e tillë është korrupsioni. Unë dua t'ju them, se ky vend është absolutisht i vetdënuar për shkak të korrupsionit. Të jeni të sigurt se të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fatin e këtij vendi, me të ardhmen e tij, ndikohen në mënyrë të padiskutueshme nga ky faktor. Në të gjitha dosjet me të cilat ne ulemi dhe punojmë dhe me partnerët tanë, ata kanë aty një faqe që u tregon korrupsionin në Shqipëri. Cfarë do të thotë kjo për ata? Do të thotë të kenë kujdes. Nuk është e vërtetë që unë kam një tendencë apo dëshirë ta ekzagjeroj. Absolutisht jo. Por ky është një kancer që ne na dënon në mënyrë serioze në shumë aspekte.

Janë bërë hapa të rëndësishëm gjatë këtij viti, por kjo është një betejë që ne duhet ta vazhdojmë në çdo fushe. Për mua fusha kryesore është arsimi. Këtu duhet të jemi më të parët se kudo tjetër. Ata që njohin sistemin e arsimit të SHBA-ve ajo shkollë është e bazuar tek sinqeriteti në atë shkallë saqë për vite e dekada nuk rrinë mësuesit në klasë kur bëhet provimi me shkrim. Kam patur fatin të njoh jo pak dhe ta diskutoj shpesh këtë temë me miqtë e mi., Pra është një sistem që edukon sinqeritetin, i cili funksion për njeriun më shumë se për çdo gjë tjetër.

Ne bëmë përpjekje shumë të mëdha për ta nxjerrë maturën shtetërore jashtë korrupsionit, për të përcaktuar këtë sistem në pranimet e universitetit, por absolutisht jemi në gjysmën e rrugës. Unë ju bëj thirrje të përcaktojmë bashkërisht të gjitha metodikat e provimeve të cilat e bëjnë të pamundur aktin e korrupsionit. Le të humbasim pak në cilësi, por fitojmë shumë më tepër në të gjitha aspektet. Ishte lajm tmerrsisht i hidhur që ditën që hapnim shkollat, policia ndalonte pedagogun sepse merrte 80 euro për provim.

Korrupsioni nuk luftohet ndryshe veçse me procedura. Le të përpunojmë bashkërisht procedurat, sado të kushtueshme të jenë.Çdo mjet që do t'ju duhet për të nxjerrë provimet jashtë sistemit të korrupsionit absolutisht ne do t'ua sjellim. Mjetet më të sigurta ju do t'i përcaktoni vet. Ky është një detyrim madhor i yni. Po të shihni korrupsioni i bën të tjerët të gjykojnë se cfarë është një komb. Po të shihni korrupsioni si shfaqje është e përbotshme, por si sistem ka një gjeografi. Ne i përkasim atij identiteti dhe asaj gjeografie që nuk është e sistemeve të korrupsionit. Ndaj, e kemi bërë gjysmën e rrugës, por duhet ta bëjmë dhe gjysmën tjetër.

Unë ju garantoj se qeveria është shumë e vendosur për të rivlerësuar produktin tuaj intelectual, mendjen tuaj, por ne duhet të dalim jashtë këtij sistemi.

Ligji për arsimin elartë është në hartim. Ligji do të diskutohet gjerësisht me ju. Ai nuk kalon në qeveri pa patur mendimin tuaj, debatin tuaj, ekspertizën tuaj. Nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse të përcaktojmë qartësisht raportet tuaja me studentët, të garantojmë autonominë tuaj, të përcaktojmë raportin e transparencës në universitete. Asgjë më të rëndësishme se transparenca nuk ka. Kjo është njësoj për katedrën, rektoratin, për Këshillin e Ministrave e këdo. Të miratojmë një ligj i cili t'u rezistojë disa viteve dhe të bëjë të mundur që të ndjekë plotësisht kohën. Të miratojmë një ligj ku drejtimi juaj të mos mund të ketë ndikime në rekrutimin e personelit për efekte zgjedhjeje, sepse kështu ne dalim jashtë misionit. Nuk ka diskutim që drejtuesit janë absolutisht të një rëndësie të dorës së parë . Edhe në ato vende që i emërojnë është thjeshtë një atavizëm, sepse nuk ka gjë më absurde se një qeveri që kërkon të kontrollojë botën akademike. Ky është veprimi më absurd që një qeveri mund të bëjë. Por kjo nuk do të thotë që bota akademike të mos përcaktojë vet kritere të atilla të cilat zgjedhjen dhe përzgjedhjen e shndërrojnë në funksion të mirëdrejtimit të universitetit dhe jo në një bosht rreth të cilit vërtiten një pjesë e madhe e veprimtarive të katedrave dhe fakulteteve.

Edhe njëherë dua t'ju përshëndes dhe t'ju ftoj të ndërmarrim një debat të gjerë në universitete për reformën në arsimin e lartë. Ju keni një shanc që me mendimet tuaja të kontribuoni në këtë reformë, pa të cilën arsimi s'ka të ardhme"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›