Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin e Partive Popullore Evropiane, në Bruksel

- Kryeministri Berisha në Samitin me drejtuesit e PPE-ve, kërkoi mbështetjen për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në BE, për dërgimin e sa më shumë vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, si dhe për çështje të tjera të rëndësishme për vendin
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e Samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), që u zhvillua në Bruksel. Në këtë Samit, Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, për dërgimin e një numri sa më të lartë vëzhguesish për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, si dhe për çështje të tjera të rëndësishme për vendin.
Në vijim, edhe në interes të gazetarëve, Kryeministri u përgjigj sa vijon;
“Gjatë Samitit pata kontakte shumë të gjera me pjesëmarrësit. Gjatë fjalës time paraqita problematikën me interes për Shqipërinë. Unë mund t’ju them se për disa çështje të diskutuara, të cilat mbuluan një spektër të gjerë, që nga kandidimi i Shqipërisë deri tek fushata zgjedhore. Po në disa aspekte të tjera të diskutuara gjatë muajve të fundit në Shqipëri, unë gjeta mirëkuptim të plotë. Natyrisht, në problematiken e diskutuar me kolegët, ishte dhe çështja e krizës ekonomike globale. Sot e keni parë lajmin në “Financian Times”, që rendiste Shqipërinë dhe Azerbajxhanin si dy vendet më të mbrojtura nga kriza në Kontinentin Evropian.
I pyetur nga gazetarët, nëse ka gjetur mirëkuptimin e pjesëmarrësve në këtë Samit për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE, Kryeministri u shpreh: “Unë mund t’ju them se gjeta mirëkuptim të plotë, sepse unë e kam deklaruar dhe më parë dhe qeveria ime nuk ndërmerr hapa të pa menduar. Por, unë kam qenë dhe mbetem për përballje me negociata. Në shtëpinë e tjetrit nuk mund të hysh pa trokitur. Ky është një rregull dhe unë them se e kam zhvilluar shumë mirëkuptimin, duke e kompletuar procesin si një proces dhe jo si një moment të menjëhershëm”.
Lidhur me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, Kryeministri tha: “Shqipëria do të testojë vullnetin e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ka mbetur vetëm me zgjedhje të diskutueshme. Kjo do të thotë se zgjedhjet do të përmbushin standardet dhe do të vëzhgohen nga qindra e qindra vëzhgues. Unë kërkova që të gjitha vendet të sjellin sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme. I garantova miqtë e mi që zhvillimi më kryesor është të nderoj votën e qytetarëve të mi.
Këto zgjedhje do të zhvillohen me infrastrukturën më moderne. Katër muaj përpara janë ndarë listat elektronike. Së bashku me një kompani austriake, është bërë pastrimi i të gjitha dublikimeve. Po hiqen certifikatat dhe në këtë mënyrë del zoti Rama nga çertifikatofobia. E çlirova dhe nga kjo fobi atë. Tani ka vetëm pasaporta, me të cilat qytetarët shqiptarë udhëtojnë jashtë shtetit dhe me letërnjoftimin elektronike.
I pyetur për çështjen e Kartave të Identitetit, Kryeministri Berisha theksoi: “Në mënyrën më optimale, unë nuk gjykoj se politizimi i këtij procesi ndihmon. Unë mendoj se inkurajimi i qytetarëve për të marrë kartat është detyra e çdo politikani. Synimet e përcaktuara janë qëllimet realisht më të ulëta të imagjinueshme dhe nuk mund të shkohet me zhvlerësimin e tyre. Juve ju kujtohen kartat që morët për të votuar vite më parë dhe u hodhën të gjitha rrugëve, sepse ishin pa asnjë vlerë. Ndërsa ky dokument është një dokument jashtëzakonisht i vlefshëm për qytetarët shqiptarë dhe i barazon ata me qytetarët evropianë. Në të ardhmen do t’u duhet atyre për udhëtime në të katër anët. Pra, nuk është në një dokument dosido, siç duan ta bëjnë. Megjithatë, ajo që unë dua të them është se çdo ditë po aplikojnë rreth 13 mijë qytetarë. Unë ju siguroj se nuk do të ketë qytetar shqiptar që dëshiron të votojë dhe nuk do të mund të marrë kartën e identitetit”.
19/03/2009