E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton para sipërmarrjeve të fuqishme gjermane potencialet që ofron Shqipëria për investime

Kryeministri Berisha u prit në Essen të Gjermanisë nga një grup investitorësh të fuqishëm të kësaj zone të rëndësishme për ekonominë gjermane në një aktivitet të organizuar nga Komisioni i Ekonomisë së Gjermanisë për Lindjen.

Me këtë rast u zhvillua një drekë pune në të cilën merrnin pjesë kompani ndër më të rëndësishmet të industrisë gjermane në këtë zonë, e cila është një nga zonat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe industrisë në Gjermani. Në këtë takim merrnin pjesë drejtues dhe përfaqësues të kompanive të mëdha të autotransporteve, infrastrukturës, industrisë agro-ushqimore, industrisë së përpunimit të mineraleve, industrisë metalurgjike, si dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha të organeve të medias. Në këtë takim merrte pjesë edhe kompania që ka kryer punimet për modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Kryeministri Berisha u përshëndet nga z. Bodo Hombah, Anëtar i Kryesisë së Komisionit të Lindjes të Ekonomisë gjermane, Kryetar i Grupit mediatik WAZ.
Z. Hombah falenderoi Kryeministrin Berisha për këtë vizitë dhe shprehu kënaqësinë e tij që përfaqësuesit  e biznesit gjerman takohen me Kryeministrin Berisha, të cilin ai e vlerësoi si “babain e historisë moderne të Shqipërisë”.

Ndër të tjera në fjalën e tij përshëndetëse z. Hombah u shpreh:

Ju falënderoj z. Kryeministër për pjesëmarrjen tuaj këtu. Kemi të bëjmë me një politikan që përfaqëson një histori të jetuar të Shqipërisë. Historia juaj në politikë është një histori e rrallë që nuk e ndesh shpesh veçanërisht duke patur parasysh se çfarë ngjarjesh historike dhe zhvillimesh politike ka lënë pas historia e z. Berisha në Shqipëri. Motivi që ka shtyrë Kryeministrin Berisha në të gjithë këto vite, pra në 18 vite demokraci në Shqipëri ka qenë shumë i fuqishëm; ka qenë ndryshimi rrënjësor i vendit të tij.

Tani kemi të bëjmë me shndërrimin total të vendit më të izoluar të botës, nga një vend ku e vetmja valë e hapur ndaj botës ishte Radio Tirana, në një vend që ka patur veçanërisht në tre vitet e fundit një zhvillim shumë të vrullshëm të ekonomisë dhe modernizim të vendit duke patur parasysh pikën nga ku është nisur.
Është e vështirë të përfytyrosh Shqipërinë e viteve të mëparshme, e cila është shndërruar në një Shqipëri thellësisht ndryshe, me një ekonomi tejet dinamike. Unë në të gjithë këto 18 vite kam ardhur në Shqipëri para 7 vitesh dhe pastaj pata një shkëputje. Ndryshimin impresionues e konstatova kur erdha para 6 muajsh duke filluar që nga aeroporti juaj i mrekullueshëm që i ngjan aeroportit të një vendi modern e duke vazhduar me ato qindra e qindra ndërmarrje të vogla e të mesme që pashë se kishin lulëzuar në katër vitet e fundit.

Unë ju sjell përshëndetjet e Komisionit të Ekonomisë Për Lindjen, i cili ka bashkëpunuar në shumë projekte me Shqipërinë veçanërisht dua t`ju shpreh bindjen se kur investuesit e mëdhenj gjermanë angazhohen në Shqipëri këto angazhime janë afatgjata dhe serioze. Unë siç e thashë ju z. Berisha i keni përgatitur rrugën demokracisë shqiptare dhe demokracia shqiptare do të mbetet përjetësisht e lidhur me emrin tuaj.
Jam shumë i gëzuar që ne jemi investitorë në Shqipëri dhe lajmi i gëzueshëm që dua t`ju jap është se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ka njohur rritje.  Gjithashtu një projekt mjaft i rëndësishëm është projekti i përvitshëm i organizuar nga Komisioni i Ekonomisë për Lindjen që është një program trajnimi në ekonominë gjermane dhe çdo vit mbi 50 persona trajnohen në sipërmarrjet tona. Ky ka qenë në këto vite një burim shumë i mirë ku ne më pas i kemi ofruar ata që të punësohen në sipërmarrjet tona.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha falënderoi z. Hombah dhe përfaqësuesit e biznesit gjerman për këtë pritje të ngrohtë dhe për interesin e veçantë të dëshmuar për Shqipërinë dhe potencialet e saj. “Dua të shpreh mirënjohjen time për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në këto 17 vite. Përgjatë kësaj periudhe vendi dhe kombi juaj e ka ndihmuar Shqipërinë me mbi 860 milionë euro, dhe kjo është ndihma më e madhe për frymë popullsie. Për këtë unë , qeveria ime dhe populli shqiptar ju shprehin mirënjohjen më të madhe”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri garantoi se kjo shumë e konsiderueshme po përdoret me një efikasitet të shkëlqyer, duke u drejtuar dhe shpërndarë në qindra projekte, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë mjaft të rëndësishme për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë.      

Duke prezantuar potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investime, Kryeministri Berisha u ndal veçanërisht në mundësitë që ofrohen në turizëm dhe në shfrytëzimin e pasurive minerare.  Shqipëria, tha Kryeministri, ka një bregdet rreth 400 km pjesa më e madhe e të cilit e pashfrytëzuar që ofron si plazhin ranor ashtu edhe atë shkëmbor dhe po shndërrohet në një vend tërheqës për turistët. Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se vitin që kaloi Shqipërinë e vizituan mbi 2 milionë e 700 mijë turistë dhe nuk u shënua asnjë incident.  Tashmë, u shpreh Kryeministri, Shqipëria ka hyrë dhe do të hyjë në treg si një vend turistik me kosto të ulët, ku turistët do të gjejnë jo vetëm kushte e siguri por edhe mikpritjen e shqiptarëve.       
Kryeministri theksoi se një fushë tjetër që ofron mundësi të mëdha investimi është prodhimi i energjisë, ku ekzistojnë kapacitetet për ndërtimin e mbi 400 HEC-eve dhe TEC-eve të dimensioneve të ndryshme. Kryeministri theksoi se Shqipëria ka një pasuri të madhe të burimeve hidrike dhe investimi në këtë fushë do të jetë një histori suksesi, pasi ka një interesim shumë të madh nga investitorët e huaj.

“Qeveria ime e ka shpallur që kur erdhi në pushtet në 2005 prioritet shfrytëzimin e ujërave dhe ne kemi nënshkruar në këto katër vite ndërtimin e 50 hidrocentraleve dhe për 70 hidrocentrale të tjera kontratat do të përfundojnë brenda 2009. Kompani nga mbarë bota janë afruar me Shqipërinë për të investuar në sektorin e prodhimit të energjisë. Qeveria shqiptare garanton transparencë të plotë në procedurat e tenderimit”, u shpreh më tej Kryeministri.
Gjithashtu kryeministri shprehu kënaqësinë e tij që në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e kompanisë që kanë kryer punimet për modernizimin e Aeroportit të Tiranës, i cili është një histori suksesi. Kryeministri vlerësoi se aeroporti funksionon në mënyrë të shkëlqyer.
Duke u ndalur në zhvillimin e medias në Shqipëri, Kryeministri Berisha shprehu garancinë se mediat, si ato audio-vizive dhe ato të shkruara kanë dhe do të kenë lirinë e plotë për të shkruar, për të shprehur dhe për të shpallur çdo gjë që ata dëshirojnë.

Qëllimi i betejës time, tha Kryeministri, ka qenë një beteje për dinjitetin njerëzor jashtë çdo lloj vendimi timin se unë do të kisha më tej një karrierë politike. Po të vështrosh tek identiteti njerëzor ka disa elementë të rëndësishëm siç janë Liria dhe të Drejtat e Njeriut,liria e shprehjes, prandaj ju siguroj që ne që kemi punuar dhe folur kaq shumë për të jemi njerëz më të prirur për ta respektuar lirinë e të shprehurit.
“Jemi të vetëdijshëm se vendosja e standardeve të një medie europiane dhe vërtetë të lirë kërkojnë njëfarë kohe në Shqipëri, kërkon ende konsolidimin e traditës së mendimit të lirë. Në rast se do të vështrosh mediat në Shqipëri vihet re se një pjesë e atyre janë akoma më militante se militantët e partive, por kjo është 100 herë më mirë se sa të mos ishin media të lira”, theksoi Kryeministri.

Më tej Kryeministri Berisha u ndal në një nga qëllimet kryesore të qeverisë së kryesuar prej tij; lehtësimin sa më të madh të klimës së biznesit në Shqipëri.    
“Unë kam një karrierë të gjatë politike, por në këtë mandat të dytë i kam vënë vetes qëllim të bëj çdo gjë për politikën e tregut dhe mbi këtë bazë një pjesë të madhe të punës time e kaloj duke pritur përfaqësues të ndryshëm të biznesit nga e gjithë bota, të cilët i siguroj dhe dua t`i siguroj se qeveria i mbështet plotësisht për investimet e tyre në vendin tim”, u shpreh Kryeministri.
Duke iu referuar pengesave për mungesën e investimeve të huaja deri katër vite më parë në Shqipëri, Kryeministri theksoi se dy mure të mëdha pengonin sipërmarrjet ndërkombëtare të interesoheshin për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha në Shqipëri.

“Ka patur dy mure të rëndësishme që pengonin investimet; krimi i organizuar ndaj të cilit qeveria ime ka aplikuar zero tolerancë duke shkatërruar 206 grupe kriminale dhe kemi vënë përpara ligjit në 18 muaj 1 mijë drejtues dhe anëtarë të bandave kriminale. Indeksi i kriminalitetit në Shqipëri është nën mesataren e vendeve europiane. Dhe kjo ka bërë që Shqipëria të jetë një vend i sigurtë. Muri i dytë ishte korrupsioni, i cili ishte kthyer në sistem, ndaj të cilit është bërë një luftë e vendosur me konsekuencë”, vlerësoi Kryeministri Berisha.

Në këtë kontekst Kryeministri tha se lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultatet e saj duke veçuar  nxjerrjen e administratës publike nga konflikti i interesit, uljen e shpenzimeve operative nga 3 % në 2% të GDP-së, mbledhjen e 3.2 miliardë dollarëve më shumë se qeveria e mëparshme dhe kursimin e gjysmë miliardë euro nga prokurimet si dhe rritjen e përvitshme të të ardhurave me 22 % pavarësisht uljes drastike të taksave. “Në rast se para katër vitesh ishim në 24 vendet më të korruptuara të globit këtë vit sipas Transparency International kemi lënë 95 vende të botës pas në luftën ndaj korrupsionit. Kriteri i parë për mua dhe për qeverinë time në çdo praktikë pune është anti-korrupsioni”, u shpreh Kryeministri.

Më tej Kryeministri theksoi se rritja e të ardhurave i ka dhënë mundësi qeverisë që të përqendrohet në investimet në infrastrukturën e vendit, e cila po ndërtohet nga e para dhe brenda katër viteve Shqipëria do të ketë një rrjet rrugor tërësisht të  ri.
Gjithashtu Kryeministri e vuri theksin në modernizimin e sistemit të taksave me futjen e shërbimeve on-line, ndërkohë që theksoi se nuk ka më prokurime manuale. Gjithashtu, vijoi Kryeministri kemi hequr 2/3 e lejeve dhe licencave dhe të tjerat do të kalojnë në sistemin One-Stop-Shop. 

“Kemi bërë një revolucion fiskal që është shumë i volitshëm për investimet e huaja, kemi sistemin e taksave më të ulëta në Europë, kemi vendosur taksën e sheshtë 10 % dhe më 1 maj sigurimet shoqërore ulen në masën 15 %”, u shpreh Kryeministri gjatë takimit me sipërmarrësit gjermanë.   
Më tej Kryeministri Berisha theksoi se ka një interes të madh edhe për ndërtimin e parqeve për prodhimin e energjisë nga era, duke nënvizuar se është dhënë licenca për ndërtimin e një parku me kapacitet 1500 megavat.

Gjithashtu shumë interes, tha Kryeministri, ka dhe për përpunimin e mineraleve, pasi sipas studimit të fundit të ekspertëve më të mirë botërorë, Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e tretë në botë për kromin, por është akoma më e pasur me hekur nikel dhe bakër. Në këtë kontekst Kryeministri tha se përpunimi i mineraleve është një tjetër fushë shumë e volitshme për shfrytëzimin nga ana e biznesit.

Më tej Kryeministri vlerësoi se investimet në Shqipëri janë me interes të madh pasi përfundimi i rrugës Durrës-Kukës do të ndryshojë tërësisht tregun rajonal duke bërë që prodhimet në Shqipëri të hyjnë në një treg akoma dhe më të gjerë.
 Në përfundim të fjalës së tij kryeministri Berisha ftoi biznesin gjerman të investojë në Shqipëri, duke i garantuar ata për transparencë të plotë dhe duke nënvizuar se çdo investim i tyre në Shqipëri do të shndërrohet në një histori suksesi.


20/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›