E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në analizën vjetore të Policisë së Shtetit

-          Kryeministri shprehu  vlerësimin më të madh për punën, përkushtimin dhe kurajën e efektivave te Policise së Shtetit, si dhe bëri  thirrje për një përpjekje të madhe në zbatimin e ligjit.
 
-          Kryeministri kërkoi nga drejtuesit e Policisë së Shtetit thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në radhët e policisë, për të cilën kryeministri u shpreh se është një sëmundje që shërben si shtrat për të gjitha të këqijat  e tjera.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, gjatë së cilës u analizua puna dhe arritjet e policisë së shtetit, në të gjitha sektorët,  gjatë viti të shkuar, si dhe u përcaktuan objektivat dhe detyrat për vitin 2010. Në këtë aktivitet merrnin pjesë, Ministri i Brendshëm, zoti Lulzim Basha, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit,zoti Hysni Burgaj, Ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Tiranë Robert Bosch, drejtues të institucioneve të zbatimit të ligjit, si dhe punonjës dhe drejtues të policisë së shtetit.
Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha përshëndeti të pranishmit për punën serioze, përkushtimin e madh, si dhe sakrificën në luftën e suksesshme për rendin dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë.
Kryeministri theksoi se viti 2009 ishte një vit, i cili shënoi arritje qenësore në veprimtarinë e policisë së shtetit, veçanërisht në luftën kundër trafiqeve. Duke vënë në dukje faktin se viti 2009 ishte një vit elektoral, kryeministri vlerësoi përkushtimin e madh në zbatimin e ligjit  dhe përmbushjen me nder të të gjitha detyrimeve që ligji i ngarkon policisë së shtetit në procesin elektoral. Gjithashtu, kryeministri e vlerësoi vitin që shkoi si një vit me rezultate të larta në luftën kundër korrupsionit, e cila ka njohur dimensione të reja, si dhe të përmirësimit të kuadrit ligjor në tërësi , për të cilin kryeministri theksoi se do të njohë përmirësime të tjera në vazhdimësi.
Kryeministri evidentoi ndër të tjera edhe  arritjet e mëdha në modernizmin e kontrollit të kufijve dhe në tërësi të verifikimit të identitetit të qytetarëve shqiptarë, të cilat bëjnë  të mundur një kontroll më efikas të kriminalitetit dhe lëvizjes së tij në vend.
Kryeministri kërkoi nga drejtuesit e policisë së shtetit thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në radhët e policisë, për të cilën kryeministri u shpreh se është një sëmundje që shërben si shtrat për të gjitha të këqijat  e tjera. Duke sjellë si shembull krimin ndaj 4 efektivave të policisë gjatë arrestimit të terroristit Dritan Dajti, kryeministri theksoi se kjo luftë duhet të zhvendoset në një nivel edhe më të lartë.
Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:
“Së pari në emër të qeverisë dua tu përshëndes shumë përzemërsisht për punën seriozë, përkushtimin e madh, sakrificën në luftën tuaj të suksesshme për rendin dhe sigurinë  e qytetarëve shqiptarë, luftën tuaj të suksesshme dhe kontributin tuaj për rendin dhe sigurinë dhe në vende të tjera, pasi asgjë sot nuk ka më ndërkombëtare se sa krimi dhe mafia. Në këtë kontekst, përgjegjësia juaj ndaj qytetarëve shqiptarë është jashtëzakonisht e madhe dhe po kaq e madhe është përgjegjësia juaj ndaj qytetarëve të vendeve mike dhe partnere, në  të cilat Shqipëria nuk duhet të eksportojë në asnjë rrethanë kriminalitet por veçse siguri.
Viti 2009 është një vit që shënon arritje qenësore në veprimtarinë tuaj, veçanërisht në luftën kundër trafiqeve. Faktikisht lufta kundër trafiqeve në tërësi dhe drogave në veçanti ka marrë dimensione të reja gjë e cila ka sjellë një rënie të ndjeshme të trafikimit të këtyre drogave në vendet përreth, ka dekurajuar trafikantët që përdornin Shqipërinë si rrugë kryesore. Rënie të ndjeshme dhe të vlerësueshme ka dhe në krimet serioze, vrasjet. Unë dua tu përgëzoj për këto, por dua tu rikujtoj se objektivi i kësaj qeverie është Shqipëria në indeksin e kriminalitetit, jo nën mesatar siç është sot, por në nivelin e ulët të kriminalitetit, të vendeve anëtare të BE. Kjo detyrë bëhet edhe më imperative kur ne kërkojmë nga partnerët tanë heqjen e vizave. Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe unë kam bindjen se ju po dëshmoni çdo ditë se me profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj, me guximin dhe trimërinë tuaj, ju qëndroni dhe duhet të qëndroni në lartësinë e kësaj detyre.
Viti 2009 ishte një vit elektoral. Kemi dëshmuar përkushtim të madh në zbatimin e ligjit, keni përmbushur me nder të gjitha detyrimet që ligji ju ngarkon në procesin elektoral, një proces që mori vlerësime pozitive nga mbarë komuniteti ndërkombëtar, por dua të theksoj se në këto vlerësime një meritë të veçantë keni edhe ju drejtues të policisë së shtetit dhe qindra në mos mijëra anëtarë të këtyre efektivave që me profesionalizëm të lartë, tërësisht të depolitizuar përmbushën çdo detyrë të ligjit elektoral dhe ligjeve të tjera të vendit dhe për këtë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe tu inkurajoj ju në konsolidimin e kësaj tradite dhe të këtij qëndrimi të depolitizuar në interesin më të mirë të vendit.
Ky vit shënon arritje të mëdha në modernizmin e kontrollit të kufijve dhe në tërësi të verifikimit të identitetit të qytetarëve shqiptarë. Sistemet moderne të vendosura në të gjitha qarqet e vendit bëjnë të mundur një kontroll më efikas të kriminalitetit, lëvizjes së tij në vend. Dua tu garantoj ju këtu se qeveria do të mbështesë fuqishëm të gjitha përpjekjet tuaja për modernizim, për kualifikim në mënyrë që ju të përmbushni më mirë detyrimet tuaja.
Përmirësime të mëdha ligjore janë bërë gjatë këtij viti. Të tjera përmirësime do të vazhdojnë. Ju përballeni me forma nga më të larmishmet të krimit, i cili degëzohet diku më shumë, çka do të thotë nevojë e madhe për ekspertizë të gjithanshme. Kërkesat tuaja për të patur ekspertë të kualifikimit më të lartë janë të drejta. Por ajo çka u sugjeroj unë të aplikoni është dhe përdorimi i ekspertëve nga fusha të ndryshme kundrejt kontratave apo mënyrave të caktuara pasi do të jetë shumë  e vështirë që vetëm me ekspertët  e institucioneve tuaja të mund tu jepni përgjigje të sakta problemeve të mëdha të krimit në Shqipëri.
Këtë vit lufta kundër korrupsionit ka njohur dimensione të reja. Muajt  e fundit numri i zyrtarëve që janë përballur me ligjin është rritur. Unë ju përgëzoj për këtë. Nuk ka asgjë më jetike për shoqërinë shqiptare se sa lufta kundër korrupsionit. Ai është një kancer që shërben si shtrat i të gjitha të këqijave të tjera. është korrupsionit ai që shërbeu si kusht kryesor për vrasjen barbare të 4 oficerëve të policisë në ngjarjen e Durrësit. Ishte inspektori i policisë ai që i jepte mbulesë terroristit Dritan Dajti duke u bërë bashkëfajtor apo dhe më shumë kriminel se sa ai. Ja u dhashë këtë shembull për të ilustruar këtu  se sa jetike është lufta kundër korrupsionit. Ju keni meritë sepse gjatë këtyre viteve keni luftuar me vendosmëri në luftën kundër korrupsionit  dhe lidhjet me krimin në radhët tuaja. Rasti në fjalë dëshmon se kjo luftë duhet të zhvendoset në një nivel edhe më të lartë. Këto ditë, këto muaj, falë punës suaj, përkushtimit tuaj janë përballur me ligjin punonjës të të gjitha institucioneve, përfshi gjykatës dhe prokurorë dhe unë ju përgëzoj. Nuk duhet të tërhiqeni para asgjëje, para cilitdo në këtë luftë.
Qeveria ka ndërmarrë reformat më thella për të parandaluar korrupsionin dhe ato janë evidente, por pa punën tuaj, pa penalizmin e zyrtarëve të korruptuar, lufta kundër korrupsionit bëhet thjesht një iluzion. Këto ditë hyri në fuqi ligji I luftës kundër krimit të organizuar apo ligji antimafie, i cili është një ligj i shkëlqyer, i cili ka marrë aspektet më bashkëkohore të ligjeve të vendeve anëtarë të BE-së. Beteja kundër krimit është para së gjithash beteja në rrafshin ekonomik. Unë jam i bindur se në zbatim korrekt të këtij ligji, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë  e tjera të zbatimit të ligjit, ne do të mund të ngushtojmë gjithnjë  e më shumë hapësirën për mafien dhe krimin ekonomik.
Pohoj këtu se është një mal i tërë falsifikimesh, përvetësimesh dhe ky krim i tëri apo 90 % të rasteve ka në bazë pushtetarë të të gjitha niveleve që gjatë këtyre 15 viteve , kanë përdorur pushtetin, duke ndarë interesat me mafien dhe që ne me forcën e ligjit duhet tu tregojmë vendin çdo ditë.
Asnjë vend nuk ka emergjencë më të madhe se sa Shqipëria për investitorë të huaj, asnjë vend nuk ka emergjencë më të madhe për garanci të plotë dhe të gjithanshme të investimeve të huaja. Nuk është gjithçka në dorën tuaj, por secili sektor të bëjë detyrën e tij. Unë jam optimist dhe i sigurt se me rezultatet e deritanishme ju do të realizoni me sukses luftën në fushën e krimit ekonomik.
Disa probleme janë shqetësuese sot, si qëndrimi inspektorit të policisë ndaj shkelësit të ligjit cilido qoftë ai zyrtar apo jo i tillë, duhet të marrë faturën imediate nga ju për shkeljen e ligjit. Unë ju garantoj ju se në këtë hallkë ju keni dhe një potencial të madh për parandalimin e krimit.
Qeveria përpiqet dhe do të përpiqet që të bëjë ligje shumë të mira që tu ndihmojë ju, të garantojë qytetarët por tu ndihmojë e dhe ju në përmbushjen  e detyrimeve tuaja, por asgjë nuk mund të zëvendësojë qëndrimin tuaj ndaj shkelësit të ligjit kudo që ndodhte.
Qeveria ka ndaluar me ligj kambizmin në rrugë, por arkivat tuaja kanë disa vrasje kambistësh dhe në këtë rast kur një kambist vritet përgjegjësia është e policisë . Nuk mund të ketë indiferencë. Askush më shumë se qytetarët nuk e paguajnë indiferencën  e policisë ndaj  zbatimit të ligjit, ndaj shkelësit të ligjit. Nuk ju mungon përkushtimi dhe as guximi. Por, zoti Drejtor i përgjithshëm është e domosdoshme që në radhët e policisë të luftohet ky qëndrim.
Dua tu jap një shembull tjetër. Verën që shkoi, unë ju garantoj ju se shumë turistë janë larguar nga marrëzia e zhurmës së tmerrshme akustike, që nuk ndodh askund në botë përveçse në Shqipëri, në  një vend ku ka ligje për këtë. Qytetarë të ardhur nga vende të ndryshme për të pushuar në Shqipëri largoheshin sepse nuk mund të qëndrohej.
Zoti drejtor i përgjithshëm, këto janë disa shembuj. Nuk janë të pakta rastet kur kryeministri informohet se policia heziton të mbështesë përmbaruesin në ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Kjo është e papranueshme për ne. Gjykatësi i ka dhënë vendimit përmbaruesit. Duhet të dini një gjë që si Agjenci e zbatimit të ligjit, çdo mosfunksionim në përputhje me ligjin i veprimtarisë suaj dëmton në thelb shtetin ligjor në Shqipëri. Nuk mund të pranohet situate në trafikun rrugor. Për të gjitha aksidentet me shpejtësi të madhe, një përqindje  e lartë e përgjegjësisë është e policisë së shtetit e skuadrave të saj të monitori mit të rrugëve. Shkaku numër 1 është qëndrimi I papërshtatshëm I policisë ndaj ligjit. Ato janë jetë njerëzish. Zoti Drejtor I përgjigjëm ju referuat 65 aksidente më shumë se vitin e kaluar. Ky është një numër shumë I madh, ndaj dhe unë kërkoj nga ju një shqyrtim shumë serioz një plan të artë3 masash sepse historia provon se numri I aksidenteve mund të ulet dhe se ka një seri ndërhyrjesh një impact direkt pozitiv në uljen  e aksidente rrugore. Ky është një qëndrim indiferent ndaj ligjit, I policisë rrugore. Unë kam një vlerësim të madh për sakrificën tuaj dhe një admirim të madh për punën tuaj. Askush nuk sakrifikohet më shumë se ju në një shoqëri të lirë, por asgjë nuk ka më të rëndësishme se sa qëndrimi juaj ndaj zbatimi8t të ligjit. Në rrugë jeni ju. Trafikun mbi baza ligjore  e menaxhoni ju. Sic është arritur të ulet progresivisht numri I vrasjeve , ne kërkojmë një kthesë rrënjësore në uljen e numrit të aksidenteve në këtë vend. Nuk mund të pranoj unë situatën e krijuar në verë, kur aksidentet kalonin si top futbolli nga nbjë komisariat në tjetrin, me pretekstin se e ka ky apo ai komisariat. Situata të tilla nuk mund të përsëriten më . Drejtoria e policisë së Durrësit mban të gjitha përgjegjësitë, për një numër katastrofal aksidentesh që ndodhën në verë , në një autostradë 30 km gjithsej.
Ndaj dhe duke shprehur vlerësimin më të madh për punën , përkushtimin dhe kurajën tuaj, duke shprehur mbështetjen  e plotë të qeverisë për të gjitha problemet tuaja unë ju bëj thirrje për një përpjekje të madhe në zbatimin e ligjit. Vera po vjen. Dihet që popullata  e Shqipërisë dyfishohet, automjetet dyfishohen. Do të bëhen të famshme rrugët  e Shqipërisë, do të kenë frikë të vijnë ndaj dhe kërkoj një qëndrim tërësisht tjetër nga policia e shtetit në trafikun e qarkullimit rrugor , pasi vërtet është bërë një problem shqetësues.
Ngrita disa çështje për të cilat ju keni të gjitha mundësitë për ti ndryshuar me shpejtësi , Ju keni dhënë gjatë këtyre viteve një kontribut të jashtëzakonshëm. Pa këtë kontribut Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s. pa këtë kontribut Shqipëria nuk do të kishte vitin  e kaluar rreth 3 milion turistë, pa këtë kontribut Shqipëria nuk do t5ë merrte pyetësorin për statusin e kandidatit, pa këtë kontribut Shqipëria nuk do të konsiderohej për heqjen e vizave, por presioni I krimit, internacionalizimi I krimit, diversifikimi I tij kërkon një dinamizëm të madh të rrisë të gjitha potencialet tuaj në luftën kundër tij dhe zbatimit të ligjit. Edhe njëherë ju përgëzoj dhe ju përshëndes për të gjitha arritjet e mëdha që keni realizuar gjatë vitit 2009. 
 25/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›