E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

22 janar 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Në këtë takim dy personalitetet e larta vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Sllovakisë dhe shprehën besimin për thellimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha nivelet. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Topi dhe Ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak nënvizuan rëndësinë e forcimit dhe të thellimit të bashkëpunimit ekonomik, në fushën e turizmit, kulturës, shkencës, etj.

Në vijim, Kryetari i Shtetit bëri një pasqyrë e shkurtër të arritjeve të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, duke u ndalur tek angazhimi ynë serioz në NATO, si dhe bashkëpunimi me BE-në, sidomos sa u përket hapave të ndërmarrë për liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, Presidenti Topi vlerësoi hapjen zyrtare sot të përfaqësisë diplomatike sllovake në Tiranë, si një kontribut i drejtëpërdrejtë e konkret për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në Sllovaki dhe në mbarë Evropën e Bashkuar, si dhe për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, turistike e kulturore.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm, Lajçak i shprehu mirënjohjen Presidentit Topi për pritjen dhe vuri në dukje se vizita e takime të këtij niveli i shërbejnë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë në të gjitha fushat. Zoti Lajçak shprehu bindjen që shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta do të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen e afërt. Në kuadrin e përmbushjes së aspiratave integruese të vendit tonë, Ministri Lajçak theksoi se Sllovakia jo vetëm që i mbështet plotësisht këto ambicje, por është e gatshme të ofrojë edhe përvojën e saj integruese, e cila “është e re, pozitive dhe e rrallë” si dhe ekspertizën dhe shkëmbimet mes ekspertëve. Në këtë drejtim Ministri sllovak vuri në dukje përshtypjet e mira të vizitës së tij në qendrën e lëshimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike duke e cilësuar këtë si një certifikatë shumë e mirë për mundësimin sa më të shpejtë të liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

Presidenti Topi dhe Ministri i Jashtëm sllovak diskutuan edhe për situatën në rajon, ku kryediplomati sllovak vlerësoi “rolin konstruktiv të Shqipërisë përsa u përket paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan” duke ndarë të njëjtën pikëpamje për perspektivën integruese të të gjitha vendeve të rajonit në gjirin e familjes evropiane. Në këtë pikë, Kreu i shtetit shqiptar vuri në pah se pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të ri, demokratik e shumëetnik të Kosovës, rajoni ka fituar më tepër qëndrueshmëri dhe paqe dhe është projektuar qartë drejt rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe integrimit në strukturat euro-atlantike dhe ato evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›