E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave

- Kryeministri Berisha: Procesi i heqjes së vizave përbën një tërësi detyrimesh për qeverinë dhe autoritetet shqiptare, të cilat po përmbushen me vendosmërinë më të lartë
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh sot Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, ku u shqyrtua përmbushja e detyrimeve të mbetura nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se procesi i heqjes së vizave përbën një tërësi detyrimesh për qeverinë dhe autoritetet shqiptare, detyrime këto që po përmbushen me vendosmërinë më të lartë.
Kryeministri theksoi hyrjen së shpejti në fuqi të Moratoriumit për skafet, heqja e të cilit është e pashpresë për sa kohë kjo mazhorancë të jetë në pushtet, si dhe për hyrjen e shpejtë në fuqi  të ligjit kundër krimit të organizuar, i cili shënon një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.  “Me këtë ligj,-  u shpreh Kryeministri, - mafia, e cila gjatë këtyre viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik”.
Më tej, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Brendshme të shohë mundësitë, të hyjë në tratativa me kompaninë e prodhimit të pasaportave që në disa zona, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh, të mund të hapen zyra të reja.
Kryeministri njoftoi se gjatë javëve që vijnë do të ketë dy inspektime nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e detyrimeve dhe se duhet që të avancohet çdo detyrim që rrjedh nga udhërrëfyesi. Në këtë aspekt, u shpreh Kryeministri, - i tërë kuadri ligjor i domosdoshëm,  çfarë ka mbetur pa kompletuar, duhet të kompletohet brenda muajit shkurt.
Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e vizave:
“Përshëndetje!
Kjo mbledhje është thirrur për të shqyrtuar përmbushjen e detyrimeve të mbetura nga udhërrëfyesi për heqjen e vizave. Procesi i heqjes së vizave përbën, se pari, një tërësi detyrimesh për qeverinë dhe autoritetet shqiptare, të cilat po përmbushen me vendosmërinë më të lartë. Në këtë kontekst ka një progres thelbësor në kontrollin e kufijve. Sistemet më moderne të kontrollit të kufijve, por edhe të kontrollit të kriminalitetit, janë në funksionim të plotë në pikat kufitare dhe në qarqet e vendit.
Moratoriumi për skafet hyn në fuqi se shpejti, dëshmi kjo e një vullneti të kësaj mazhorance që industria e mafies, pasi skafet janë industri e mafies, të mos mund të zhvillohet më në brigjet tona. Këtu dua të theksoj se heqja e këtij Moratoriumi është e pashpresë për sa kohë kjo mazhorancë të jetë në pushtet. Nuk do të ketë skafe në ujërat tona. Ky është qëndrim politik. Ne e shpallim para çdo fushate dhe shqiptarët le ta vlerësojnë. Kjo nuk lidhet me heqjen apo mos heqjen e vizave, kjo është një politikë konstante e qeverisë.
Ligji kundër krimit të organizuar hyn në fuqi këto ditë. Ky është një ligj i shkëlqyer dhe shënon një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti, si forma më e rrezikshme për vendin e krimit. Ky ligj kërkon një shkallë të lartë bashkëpunimi midis të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit, bashkëpunim që po konsolidohet çdo ditë e më shumë. Ky ligj, i standardeve më të mira, u mundëson një veprim ligjor më të fuqishëm të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit. Disa ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit  shkojnë në këtë drejtim. Agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit janë të ftuara të bëjnë propozimet ligjore për vendime apo mendime në ligjin, në mënyrë që zbatimi i këtij ligji të njohë nivelet më të mira. Me këtë ligj, mafia, e cila gjatë këtyre viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik. Ka një vakum që u krijua me Komitetin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Qeveria po shqyrton ngritjen e një Bordi Këshillimor apo të një Komiteti, i cili të mund të mbikëqyrë problematikën e zbatimit të ligjit.
Gjatë javëve që vijnë do të ketë dy inspektime nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e detyrimeve tona. Ne duhet që t’a avancojmë çdo detyrim që rrjedh. Në këtë aspekt, i tërë kuadri ligjor i domosdoshëm, çfarë ka mbetur pa kompletuar, duhet të kompletohet brenda muajit shkurt. Dhe, shpreh kënaqësi dhe vlerësim që procesi i lëshimit të pasaportave biometrike po ecën me shpejtësi. Faktikisht, për frymë popullate, Shqipëria po arrin në nivelet më të larta të posedimit të këtyre pasaportave, të cilat janë dhe të standardeve më të mira.
Zoti ministër,
Jashtë kësaj, por gjithnjë brenda strategjisë së kësaj qeverie, qytetarët po kanë vështirësi në marrjen e tyre. Mundësisht të shihet mënyra për të zbutur marrjen e pasaportave për të gjithë ata që kanë aplikuar. Të hyhet në tratativa serioze më firmën në mënyrë që në disa vende, ku është numri më i lartë i popullsisë, mund të hapen zyra. Tratativat të jenë mbi bazën komerciale dhe është plotësisht e plotësisht e mundur që të mos krijohet kjo vështirësi e tyre për t’u pajisur me dokumentet e domosdoshme.
Pra, misionet e ardhshme duhet të gjejnë të përmbushura të gjitha detyrimet tona që rrjedhin nga udhërrëfyesi, në mënyrë që vendimi, i cili është shumë i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë, të merret sa më shpejtë, ashtu sikurse ka përcaktuar në rezolutën e vetë Parlamenti Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë.
Faleminderit!” 25/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›