E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Burrave si Azem Hajdari u festohet gjithnjë ditëlindja

“Burrat që shënohen me germa të arta në memorien e në muret e historisë së kohës, nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë gjithnjë, ndaj edhe ditëlindja e tyre festohet gjithnjë”. Me këtë dedikim, Kryeministri Berisha iu drejtua familjarëve, miqve e shokëve të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, në një takim në 50 vjetorin e tij të lindjes. Kryeministri e konsideroi këtë takim si festa e ditëlindjes, ndërsa e cilësoi Azem Hajdarin “tribun i lirisë së shqiptarëve”.   

 

“Ne – u shpreh Kryeministri - festojmë me një ndjenjë krenarie, se idealet e tij sot janë bërë realitet”

 

Një dokumentar “Azem Hajdari – Shpirti i lirë”, i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” risolli Lëvizjen Studentore e dhjetorit të vitit 1990 dhe rolin e kontributin e Azem Hajdarit në ato zhvillime epokale. Në 50 vjetorin e lindjes u zhvilluan homazhe në përmendoren e Azem Hajdarit, të vendosur në Qytetin Studenti, ku 23 vjet më parë nisi Lëvizja Studentore.   

 

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha, duke u kthyer në kujtimet e atyre ditëve të vrullshme të dhjetorit ’90, foli për mbresat e takimeve të parë me Azem Hajdarit dhe rolin e tij në vendosjen e demokracisë në Shqipëri.

 

“Ai u martirizua vetëm e vetëm që Partia Demokratike të mos vdiste, të mos eliminohej, mos asgjësohej. Ai u martirizua duke qëndruar i pamposhtur në çdo përpjekje për të mbrojtur vlerat e demokracisë në këtë vend,” – u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Jemi sot këtu për të festuar 50 vjetorin e lindjes së një prej figurave më të shquara në historinë e lirisë së shqiptarëve, Azem Handarit. Theksoj për të festuar, sepse burrat si ai, që shënohen me germa të arta në memorien e në muret e historisë së kohës, nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë gjithnjë, ndaj edhe ditëlindja e tyre festohet gjithnjë. I tillë ishte Azem Hajdari, një personalitet, një njeri, të cilin që në takimin më të parë nuk  mund të gjeje diçka tjetër për ta cilësuar, veç fjalës tribun.

Kthehem në ato ditë dhjetori të vitit ’90, kur ai me një grup prej qindra të rinjsh nisi demonstratat e studentëve në Tiranë. Pikëpamjet për një Shqipëri tjetër, Shqipëri demokratike nuk ishin vdekur ndonjëherë në Shqipëri. Ato ishin mbrojtur me çmimin më të lartë nga dhjetëra mijëra, qindra mijëra gra e burra, intelektualë, punonjës njerëz të të gjitha fushave që kishin dedikim tek liria. Por rezultati i kësaj përpjekjeje të madhe ishte Spaçi, ishte Burreli, ishin gulagët e panumërta. Më vonë, muri i Berlinit u përmbys, perdja e hekurt ra. Në Shqipëri, intelektualët shprehën haptas pikëpamjet e tyre për një Shqipëri tjetër. Në qytete të ndryshme, në Shkodër, Kavajë, qytetarët nuk u pajtuan kurrë me regjimin dhe u ngritën. Por duhet të jemi realistë, të gjitha këto linin pak shpresa për një ndryshim. Regjimi i kohës, manu militari, mund të vepronte pa vështirësi të madhe në Shqipërinë e zhytur në harresë të tmerrshme. Si diçka qiellore, si diçka jashtëtokësore, erdhi për shqiptarët Lëvizja Studentore.

Lëvizja Studentore ishte padyshim lëvizja dhe përballja më e egër që regjimi komunist kishte njohur në tërë ekzistencën e tij. Në ditën kur bashku me dy miqtë e mi u nisëm për tek studentët, unë nuk e kisha njohur kurrë Azem Hajdarin. Unë isha një intelektual që kisha shprehur pikëpamjet e mia dhe shihja me keqardhje të madhe indiferencën e studentëve ndaj të gjitha zhvillimeve. Por unë, faktikisht, isha i gabuar. Në një nga lokalet e këtij qyteti të lirisë së shqiptarëve, ne do takonim Azem Hajdarin dhe një grup miqsh, shokësh e bashkëpunëtorësh të tij. Dy gjëra mbeten të  përjetshme në  kujtesën time: Së pari, vendosmëria e tyre e jashtëzakonshme, atdhedashuria e tyre. Djem trima, të vendosur në mënyrë absolute për të bërë sakrifica, të vendosur për përballjen më të pabarabartë, por edhe epike. Së dyti, ata ishin djem e vajza guximtarë, por asnjë prej tyre Azem nuk ishte.

Ajo që bënte përshtypje më të madhe ishte autoriteti i tij mbi të gjithë studentët që e rrethonin. Vendosmëria e tij absolute ishte garancia e gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Para se ta takoj, me dy miqtë e mi u gjendëm përballë demonstratës së tyre. Ai ngrihej si hero mbi supet e studentëve dhe brohoriste: “Liri, demokraci!” “Poshtë dinastia!” Në atë masë studentësh, rreth 700-1000 studentë, ai ishte heroi i tyre, ishte udhëheqësi i tyre. Dhe padiskutim ajo nuk ishte një lëvizje e programuar prej kohësh, nuk ishte një lëvizje e organizuar në fshehtësi prej muajsh a javësh. Jo! Por kohezioni i saj, në një kohë aq të shkurtër, rreth liderit të vet ishte një gjë e jashtëzakonshme, ishte dëshmi se një tribun i vërtetë lirie drejtonte këtë lëvizje, e udhëhiqte vendosmërisht atë.

Vite në vazhdim, tek Azemi do të spikasnin në mënyrën më të shkëlqyer forca e një lideri, vendosmëria e një lideri, guximi i jashtëzakonshëm i një lideri.

Të dashur miq,

sot, pas një 20 vitesh, më mirë shumë gjëra të mos i kujtojmë nga ajo kohë. Ajo ishte kohë terrori të madh. Partia Demokratike u formua, por nuk është se mbrapa nuk pati tërhiqje, nuk është se mbrapa nuk pati dezertime. Të gjitha nga frika e terrorit, nga shpallja e saj armike e Shqipërisë. Azem Hajdari qëndroi si tribun. Cila ishte detyra më imediate, më absolute, atyre javëve? Atë qe ne quanim vrasja e frikës. Sado që mund të duket e çuditshme sot, ai ishte qëllimi ynë kryesor. Në këtë kontekst, Azem Hajdari ishte padiskutim një tribun i jashtëzakonshëm, një lider që do ta kërkonin në të katër anët e Shqipërisë, për të dëgjuar fjalën e tij të zjarrtë që buronte nga shpirti i një njeriu të lirë, i vendosur për çdo sakrifice për idealet që ai besonte.

Ne u themeluam në dhjetor, por çdo ditë, në selitë që i ndryshonim nga njëra rrugë në tjetrën, ne kalonin bri bustit të diktatorit, i cili çdo minutë, çdo orë na thoshte se opozitë nuk jeni, se këtu sundoj unë. Ky ishte problemi ynë madhor: ne dhe diktatori, ne dhe diktatura. Padiskutim që 20 shkurti është dita e përmbysjes së diktaturës, por, të dashur miq, jam dëshmitar i rolit kryesor të Azem Hajdarit në inicimin dhe organizimin e lëvizjes më të fuqishme popullore në historinë tonë kombëtare që përmbysi diktaturën komuniste më 20 shkurt, në Tiranë. Ajo lëvizje nisi në Kamzë dhe jo pa qëllim, jo se universiteti me fakultetet e degët tij, që në atë kohë mbante emrin e diktatorit, nuk kishin vullnetin, por u zgjodh Kamza për të nxitur një lëvizje, e cila do të vazhdonte më pas me një seri lëvizjes së tjera në Qytetin Studenti, me grevën legjendare të urisë. Azem Hajdari është autori i sloganit të famshëm, të cilën e kishte përpunuar shumë kohë përpara: “Tek sheshi”. Ky ishte zotimi dhe motivi i tij. “Tek sheshi” ishte motoja që udhëhoqi qytetarët e Tiranës, të rinjtë, në përballjen më të fuqishme e vendimtare me diktaturën komuniste, më 20 shkurt. “Tek sheshi” kishte kohë që  mbruhej në shpirtin e tij.

Historia e tij është histori e një tribuni të vërtetë lirie. E gjitha jeta e tij politike është dëshmi e një përballjeje të madhe në Shqipëri midis lirisë dhe shtypjes së egër, midis diktaturës dhe forcave demokratike. Ai luajti një rol të jashtëzakonshëm në fitoren e 22 marsit. Njëri i një instinkti politik të paimagjinueshëm, i një shpirti të lirë, ai mbeti gjithë jetën vetja e tij. Skena politike shqiptare nuk ka pasur e nuk do të ketë politikan më të pavarur dhe më të vendosur në mbrojtje të idealeve që besonte, sesa Azem Hajdari. Roli i  tij pas kalimit në opozitë të Partisë Demokratike do të ishte i jashtëzakonshëm. Ai u martirizua vetëm e vetëm që Partia Demokratike të mos vdiste, të mos eliminohej, mos asgjësohej. Ai u martirizua duke qëndruar i pamposhtur në çdo përpjekje për të mbrojtur vlerat e demokracisë në këtë vend.

Ai ra një atentat shumë të rrezikshëm në Tropojë, ku shkoi për të ndihmuar e mbështetur qytetarët e Kosovës. Në Tropojë ai shkoi për të mbështetur me të gjitha mundësitë lëvizjen çlirimtare të Kosovës. Idhulli i tij ishte Presidenti Rugova, tek i vili kishte një besim të jashtëzakonshëm, për të cilin kishte një adhurim të jashtëzakonshëm. E vërteta është se çdo ditë, ai  do të jetonte me preokupimin më të madh si ne të ndihmonim Kosovën. Një mik i imi do t’i thoshte në opozitë, pse mbështet Sali Berishën. Përgjigja e tij ishte e thjeshtë: Millosheviçi nuk kërkon asgjë tjetër, është gati ministër të më bëjë, në rast se unë i kthej shpinën atij. Sigurisht që është figurative, por ai bëri gjithçka të mbështeste lëvizjen çlirimtare të Kosovës. Ai u ndje tërësisht pjesë e saj. Në mënyrë të përsëritur kërkonte të merrte pjesë direkt, por aq sa ishte shpërthyes, energjik, aq ishte edhe i disiplinuar. Të punoje më te ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, sepse nuk vinte asgjë më shumë përpara, sesa interesin e qëllimit që duhet të realizonte.

Zonja e zotërinj,

në një shekull janë me qindra, me mijëra shqiptarët që kanë bërë sakrificat më të mëdha, më sublime, për lirinë e kombit. Unë kam bindjen se asnjë individ nuk ka kontribuar personalisht sa Azem Hajdari për lirinë tonë, lirinë e shqiptarëve që përjetonin shtypjen më të egër të kohërave.

Ndaj thashë se sot ne nuk kujtojmë, por sot festojmë ditëlindjen e këtij tribuni të madh të lirisë së shqiptarëve. Festojmë me një ndjenjë krenarie, se idealet e tij sot janë bërë realitet; festojmë se Shqipëria sot është anëtare e NATO-s; festojmë se shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Europën; festojmë se shqiptarët bëjnë përpjekjen më të madhe për t’u bashkuar me familjen europiane; festojmë se sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, shqiptarët janë sot të lirë e të pavarur; festojmë se sot në Shqipëri e kudo ku jetojnë shqiptarët ndërtojnë demokracinë e bazuar në vlerat e tregut; festojmë më të sigurt se kurrë në të ardhmen që Azem Hajdari projektonte për veten, fëmijët e tij dhe shqiptarët.”


11/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›