E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e ekspozitës së piktorit Agim Ramadani, hero i Kosovës, i rënë në luftën e Koshares, në 1999

-         Kryeministri Berisha: Të frymëzuar nga ata të cilët për idealin e bashkimit kombëtar flijuan jetën dhe rininë e tyre, duhet të punojmë çdo ditë nën moton; “të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën”.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mori pjesë sot pasdite në çeljen e ekspozitës së piktorit Agim Ramadani, hero i Kosovës, i rënë në luftën e Koshares, në vitin 1999. Kjo ekspozitë, e hapur në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, në Galerinë e Arteve Pamore në Akademinë e Arteve, sjell punime në pikturë të Agim Ramadanit, si dhe shumë materiale historike rreth kontributit dhe vepres së kësaj figure shumë dimensionale, intelektual, poet, piktor, ushtarak e strateg në Luftën e Kosovës, legjendë e shqiptarizmit. 

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin bashkëshortja e heroit Agim Ramadani dhe familjarë të tij, Ministri Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Islam Lauka dhe personalitete të tjerë të shquar të fushës së artit nga Shqipëria e Kosova.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu nderimin më të thellë për njërin prej bijve më të shquar të kombit shqiptar, njërit prej personaliteteve dhe atdhetarëve më të flaktë, Agim Ramadani. Kryeministri nënvizoi se, Agim Ramadani ishte një piktor i talentuar, poet i shkëlqyer, atdhetar i flaktë, por mbi të gjitha, ai ishte nga ata intelektual që kishte burrërinë, kurajën, atdhetarinë dhe konceptin se, në momente të caktuara, kur pena, peneli dhe fjala nuk mjaftojnë, është e domosdoshme pushka, gjuha e saj, për të folur dhe shkruar për lirinë, për të mbrojtur dinjitetin kombëtar.

Kryeministri theksoi se të gjitha jetët e flijuara për lirinë e dinjitetin tonë kombëtar, flenë në një ëndërr dhe ajo është; ëndrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. “Ideali i bashkimit kombëtar është ideali më fisnik, ideali i ndërtimit të së ardhmes së shqiptarëve, është ideali i shërimit të plagëve dhe vuajtjeve të tmerrshme njëshekullore që kombi përjetoi” u shpreh Kryeministri Berisha. Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi se, edhe ne, të frymëzuar nga ata të cilët për këtë ideal flijuan jetën dhe rininë e tyre, duhet të punojmë çdo ditë nën moton; “të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën”.

Kjo, vuri në dukje Kryeministri Berisha, është rruga me të cilën shqiptarët do të mund të kapërcejnë një trashëgimi të imponuar nga e shkuara, është rruga në të cilën shqiptarët, energjinë e kombit do të mund ta përdorin si një forcë të fuqishme pozitive për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dua të falënderoj me shumë mirënjohje zonjën Ramadani dhe të gjithë ata që organizuan hapjen e kësaj ekspozite, në nderim të njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar, në nderim të njërit prej personaliteteve dhe atdhetarëve më të flaktë, Agim Ramadani.  

Agim Ramadani ishte një piktor i talentuar, poet i shkëlqyer, atdhetar i flaktë, por mbi të gjitha, Agim Ramadani ishte nga ata intelektual, shkrimtar, piktor që kishte burrërinë, kurajën, atdhetarinë, kishte konceptin se, në momente të caktuara, kur pena, peneli, kur fjala nuk mjaftojnë, është e domosdoshme pushka, është e domosdoshme gjuha e saj, për të folur për lirinë, për të shkruar për lirinë, për të mbrojtur lirinë e dinjitetin. Pikërisht, ky motiv i thellë i këtij biri të shquar të kombit, bëri që ai të lërë Zvicrën, të lerë Evropën dhe të zgjedhë fushëbetejat e Kosovës për lirinë e saj, të bashkohet me vajza e djem të tjerë, në një betejë ndër më legjendaret që shqiptarët kanë zhvilluar, që nga kohërat e Skënderbeut, deri në ditët e sotme. Lufta për çlirimin e Kosovës është lufta më vigane që shqiptarët kanë bërë që nga Kruja e Skënderbeut deri në ditët e sotme. Ajo ishte lufta më e pa barabartë, ndër më të vështirat, por ishte lufta me të cilën qytetarët e Kosovës pushtuan mendjen dhe zemrën e kombeve të lira të botës perëndimore. Ishte lufta që bëri që kombi shqiptar të vijë në këtë 100 vjetor komb i lirë, i pavarur, me dinjitet të plotë.

Agim Ramadani, në këtë luftë, në fushëbetejë, zgjodhi të luftojë aty ku padrejtësia e kohërave ishte më e madhe, kufiri, ai zgjodhi të thyejë, të thërrmojë një kufi të padrejtë që ishte vendosur mbi trupin e një kombi. Ndaj dhe udhëhoqi një brigadë, luftoi me heroizëm të madh. Beteja e Koshares dhe lufta në Kosharë patën një jehonë të madhe evropian e botërore. Qindra djem e vajza u martirizuan. Aty ra, për t’u bërë i pavdekshëm, në prill të vitit 1999, komandanti Agim Ramadani. E them edhe njëherë, ai ra për të jetuar përgjithmonë, përderisa do të jetojë i gjallë ideali i bashkimit kombëtar.

 Të dashur të pranishëm,

 Në qoftë se ne marrim, një nga një, jetët e flijuara për lirinë e dinjitetin tonë, në qoftë se marrim, një nga një, rinitë e këputura për lirinë dhe dinjitetin e këtij kombi, Që të gjitha janë të mbështjella, që të gjitha flenë në një ëndërr dhe ajo është; ëndrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Ideali i bashkimit kombëtar është ideali më fisnik, është ideali i ndërtimit të së ardhmes së shqiptarëve, është ideali i shërimit të plagëve dhe vuajtjeve të tmerrshme njëshekullore që kombi përjetoi, është ideali për të cilin kanë flijuar jetën, nga 1870-ta deri në 2001, në malet e Sharrit, jo vetëm dhjetëra por qindra e mijëra shqiptarë. Çdo lloj qëndrimi tjetër bie ndesh me sakrificën e tyre, bie ndesh me idealin e tyre dhe, në të vërtetë, nuk i bën nder asnjë shqiptari. Ndaj edhe ne, të frymëzuar nga ata të cilët për këtë ideal flijuan jetën e tyre, rininë e tyre, të frymëzuar nga e ardhmja që meritojmë, duhet të punojmë çdo ditë nën moton; “të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën”. Kjo është rruga me të cilën ne shqiptarët do të mund të kapërcejmë një trashëgimi të imponuar nga e shkuara, kjo është rruga në të cilën ne shqiptarët, energjinë e kombit do të mund ta përdorim si një forcë të fuqishme pozitive për të ndërtuar të ardhmen tonë.

Ndaj edhe njëherë, le të shprehim nderimin më të madh para Agim Ramadanit dhe atyre mijëra e mijëra luftëtarëve të lirisë në Kosovë, por edhe në Maqedoni, të cilët bënë luftën e fundit çlirimtare në Evropë dhe, me këtë luftë, bënë që shqiptarët të jenë të lirë, kudo që jetojnë sot.

Edhe njëherë, faleminderit zonjë dhe familjarë të Agim Ramadanit, për veprën e pavdekshme të bashkëshortit tuaj. Unë kam lexuar libra të tij, kam parë disa nga pikturat e tij dhe, për mua, ai është një nga personalitetet më të shquar të këtij kombi të lirë, të kombit shqiptar. Faleminderit”.


14/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›