E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet takimin me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në punimet e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Elbasanit. Gjatë këtij forumi u shpërndanë kartat e anëtarësimit për shumë të rinj e të reja që u anëtarësuan në Partinë Demokratike, të cilët Kryeministri i falënderoi për zgjedhjen që ata kishin bërë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha përshëndeti edhe procesin e ri të zgjedhjeve që ky forum ka nisur në strukturat e tij.

Në përshëndetjen e tij në Forumin Rinor të PD-së së Elbasanit, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur të reja, të rinj, student e studentë të Elbasanit,

Është kënaqësi shumë e veçantë të jem sot, tek ju, t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për vendimin shumë të rëndësishëm politik që keni marrë për t’u anëtarësuar në Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Forum që përbën forcën kryesore të Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj deri më sot. Ky Forum ka qenë e mbetet faktori më përcaktues në çdo betejë e në çdo fitore të Partisë Demokratike. Ky Forum po përgatit me vendosmëri të madhe fitoren e shkëlqyer të zgjedhjeve të vitit 2013.  Në rast se ka një forcë politikë në Europë e në botë, e cila është tërësisht forcë politike e të rinjve, kjo është Partia Demokratike, e cila 22 vjet më parë u themelua dhe u organizua nga bashkëmoshatarët tuaj dhe arriti të ndryshojë vendin në mënyrën më të madhe. Shqipëria e 22 viteve është Shqipëria e kapërcimit të epokave, është Shqipëria e ecjes me shpejtësitë më të mëdha, është Shqipëria e quantum leap, nëse do të përdornim një term nga fizika kuantike.

Të dashur të reja e të rinj,

Partia Demokratike dhe Forumi i saj u themeluan si Parti Demokratike dhe Forum i lirive dhe të drejtave njerëzore. Ndaj edhe ju keni marrë një vendim historik, për t’u bashkuar me forcën politike që riktheu në Shqipëri, që  riktheu për qytetarët shqiptarë dhe për të rinjtë, liritë e të drejtat e ndaluara me Kushtetutë. Sot, Shqipëria është vend ku respektohen liritë e të drejtat njerëzore. Sot, Shqipëria, nga vendi i besimeve të ndaluara, është vendi i tolerancës fetare më të shkëlqyer në planet. Sot, Shqipëria, nga vendi i qytetarëve të rrethuar me klone dhe tela me gjemba, është vendi i qytetarëve që lëvizin të lirë në mbarë Europën. Sot, Shqipëria, nga vendi i pronës private e të ndaluar, hiperkolektivizmit më të madh, është vendi i iniciativës të lirë, pronës private të respektuar, është vendi, ku 84 përqind e prodhimit të brendshëm vjen nga sektori privat, nga iniciativa e lirë dhe prona private  e qytetarëve shqiptarë.

Duke u anëtarësuar në Forumin Rinor të Partisë Demokratike, ju firmosni zotimin tuaj për të mbrojtur, zhvilluar e respektuar gjithnjë e më shumë liritë e të drejtat e çdo qytetari shqiptar.

Ndër të gjitha qytetet, Elbasani ka një meritë historike, të dashur të reja e të rinj. Në rast se kthehemi 100 vjet mbrapa, stërgjyshërit e gjyshërit tuaj dhanë një kontribut të madh, në betejat e shqiptarëve për pavarësi, në betejat e shqiptarëve për dije. Më duhet t’u them se nga leximet e mia, është deklarata e pavarësisë, e shpallur në këtë qytet, që shqipton për herë të parë liritë njerëzore. Po jua lexoj këtë deklaratë, ku thuhet: Çdo shqiptar ose i huaj do të mund të rrojë lirisht, duke gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore.” Kjo ishte ëndrra e stërgjyshërve dhe e gjyshërve tuaj, të cilët do ta shpallnin këtë dokument të pavdekshëm, në kohën kur ushtritë barbare ishin vërsulur për të pushtuar Elbasanin dhe trojet shqiptare. Gratë e burrat e këtij qyteti zotoheshin se Elbasani e Shqipëria do të ishin vendi, ku do të respektoheshin të gjitha liritë e të drejtat njerëzore për qytetarë të barabartë para ligjit, qofshin ata shqiptarë apo të huaj.

Ne këta jemi! Për ne, rëndësi kryesore ka dinjiteti njerëzor. Ne jemi forca politike që mbështet dinjitetin e njeriut dhe dinjiteti njerëzor është i ndërtuar kryekëput mbi liritë e të drejtat e njeriut.

Ju anëtarësoheni sot, në një forcë politike, e cila u themelua si forca politike e interesit kombëtar të shqiptarëve, mbrojtëse e flaktë dhe e pamposhtur e këtij interesi.

Të dashur të reja e të rinj,

njeriu jeton në një botë, në të cilën, në mënyrë të ligjshme, ka interesat e veta të shumta. Energjinë dhe përkushtimin e tij, njeriu i lirë e angazhon për realizimin e këtyre interesave, apo të projekteve që realizojnë interesat e tij më të mira. Këto interesa janë të shumta, por unë dua t’ju garantoj se midis tyre, një interes, i cili në pamje të parë të duket si diçka më e largët, është interesi i të gjithë interesave, është interesi më personal, më i rëndësishëm dhe që përcakton më shumë se çdo gjë tjetër, realizimin e të gjithë interesave të tjera. Dhe ky është interesi kombëtar. Interes, të cilin anëtarët e qytetëruar të një kombi, të gjithë qytetarët e tij duhet ta mbrojnë me vendosmëri të madhe, në mënyrë që ata të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë. Nuk ndërtojnë të ardhmen, kombet e pushtuara, të cilëve interesin kombëtar ia kanë marrë të tjerët. Shembulli më tipik është Shqipëria, e cila 500 vite mbeti në një gjendje, ku koha kishte ndaluar. Nuk ndërtojnë të ardhmen, njerëzit e privuar nga liritë e të drejtat njerëzore. Aty, ku liritë e të drejtat njerëzore janë privuar, interesi kombëtar është një interes thjesht në letër. Të ardhmen e ndërtojnë qytetarët e lirë, të cilët bëjnë gjithçka, për të mbrojtur interesin e tyre kombëtar.

22 vjet më parë, kjo forcë politike dhe forumi i saj shpallen botërisht, para shqiptarëve dhe mbarë botës, se ylli polar i politikës sonë do të jetë interesi kombëtar, do të jetë çështja shqiptare. Ne, kur shpallën këtë parim, ishim një forcë politike një javore. Ne e dinim se shpallja e këtij parimi kishte koston e vet, por dinim gjithashtu se ose të ekzistonim si forcë e interesit kombëtar, ose të mos ekzistonim fare. Kjo ishte alternative jonë dhe ne vendosëm, pavarësisht se në atë kohë, ta shpallnim Partinë Demokratike dhe forumin e saj rinor, si forca e interesit kombëtar të shqiptarëve. Dhe ne e bëmë këtë, në një kohë, kur gjysma e kombit përjetonte një pushtim të egër pothuaj një shekullor, e bëmë këtë, kur shqiptarët në Kosovë dhe në ish Jugosllavi jetonin një robëri, jetonin si kolonia e fundit në Europë. Që në javët e muajt  e parë, ne u shndërruam në zërin më të fuqishëm në Shqipëri të interesit jetik kombëtar, të çështjes shqiptare.

Të dashur të rinj e të reja,

ne si komb kemi pasur histori shumë të vështirë dhe unë ju ftoj ta lexoni historinë. Për një arsye shumë themelore, njerëzve të qytetëruar, historia ju lipset vetëm për të nxjerrë mësime, për të mos lejuar përsëritjen e gabimeve, për të pasur një vetëdije që i mbron ata nga përsëritja e tyre.

Në këtë shekull, ne shqiptarët kemi përjetuar drama të mëdha, copëtime më të pamerituara të trojeve shqiptare. Ne, kudo ku kemi jetuar, kemi jetuar në trojet tona. Asnjë fshat shqiptar, asnjë komunë shqiptare nuk ndodhet në troje të kombeve të tjera. Të tjerët kanë pushtuar trojet tona. Kudo që jemi, ne jemi shumicë etnike, jemi vazhdimësi gjeografike. Në këtë kontekst nuk duhet të harrojmë kurrë se çdo pëllëmbë e trojeve etnike shqiptare është territor në ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptari. Ne nuk meritonim ndarje e copëtime. Ndarjet e copëtimet përbënin një nga padrejtësitë më të mëdha historike, në tërë historinë e Europës. Sot, vërtet jetojmë në vende të ndryshme, por jemi të lirë, kudo që jetojmë.

Interesi kombëtar i shqiptarëve është të bëjmë gjithçka, të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka që të kapërcejmë me qindra e qindra pengesa të pamerituara, që i ngritën gjatë një shekulli, për të fragmentuar kombin tonë. Kombi ka një shpirt dhe shpirti i çdo kombi është kultura. Ju jeni të rinj, por dua t’ju them se ne jemi shumë fatlum si shqiptarë, në një aspekt. Në rrafshin biologjik, identiteti ynë kombëtar sigurisht bazohet në gene, të cilat erdhën të pastra në shekuj e mijëvjeçarë, deri në ditët e stome. Në rrafshin tjetër, identiteti ynë bazohet në gjuhën e bukur shqipe. Ne jemi një komb me disa besime fetare, por kur të vijë problemi tek identiteti kombëtar, ne kemi genet, kemi gjuhën, kemi kulturën. Gjuha e kultura janë një e të pandarë, është shtylla kryesore e identitetit kombëtar shqiptar. Natyrisht, është edhe historia. Një komb, i cili pati fatin të ketë burra si Skënderbeu, nuk vdes kurrë. Ai ka përjetësi.   

Ne jemi në një vit të veçantë, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe unë ju uroj që të festoni 200 vjetorin e saj. Por, pavarësisht nga saga e kalvari i vuajtjeve të mëdha, copëtimeve, i diktaturës më të egër, më shpërfytyruese e më antikombëtare që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij, sot, ne jemi të lirë. Sot jemi anëtar të NATO-s. Sot, ne duhet të përulemi me nderimin më të madh se kurrë, para të gjithë grave e burrave, vajzave e djemve që u flijuan gjatë një shekulli, që shqiptarët të jenë të lirë e të pavarur.

Sot, si parti e interesi kombëtar, duhet të nderojmë më shumë se kurrë, themeluesin e pavarësisë së Shqipërisë, burrin mendjendritur, një nga misionarët më të mëdhenj në historinë e kombit, njeriun që sëbashku me atdhetarë të tjerë, në një kohë kur hordhitë, qindra e mijëra, të ushtrive të Lidhjes Ballkanike ishin vërsulur të copëtonin në mënyrë përfundimtare trojet shqiptare, ngriti flamurin e Skënderbeut në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Shqiptarët përjetë do të jenë krenarë e mirënjohës me Ismail Qemalin dhe burrat e tjerë të kombit, për veprën e tyre mendjendritur.

Shqiptarët do ti jenë përjetë mirënjohës të gjithë atyre të cilët bënë të mundur ndërtimin e shtetit shqiptar, vendosjes së integritetit territorial. Burrave si Sulejman Delvina, Ahmet Zogu dhe shumë  e shumë veprimtarëve të tjerë. Shqiptarët do tu jenë mirënjohës të gjithë atyre që organizuar kryengritjet e mëdha , të cilat tronditën Evropën dhe botën, me në krye Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe luftëtarë të tjerë. Shqiptarët do tu jene mirënjohës atyre, qindra e mijëra vajza e djemve që në momentet më të vështira të vendit, kur një pushtim i egër gjatë Luftës së Dytë botërore u vendos në Shqipëri, me guxim, kurajë dhe vetëmohim mbushën malet e Shqipërisë dhe luftuan për lirinë kombëtare. Shqiptarët do tu jenë mirënjohës përjetë studentëve të dhjetorit, të cilët mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës, në një beteje legjendare me diktaturën më të egër në Evropës dhe e gjunjëzuan atë.

Të dashur të reja e të rinj,

Ju sot anëtarësoheni në forumin rinor të Partisë Demokratike, forcën kryesore integruese të vendit. 22 vjet më parë ato net të ftohta dhjetori, bashkëmoshatarët tuaj të asaj kohe do të mbushnin rrugët dhe sheshet e Tiranës nën kushtrimin e “E duam Shqipërinë, si Evropa” Kjo ishte ëndrra e rilindësve tanë, kjo ishte ëndrra e të gjithë shqiptarëve që i besonin lirisë, që i besonin Zotit, që i besonin Shqipërisë. Ata do të lëshonin këtë apel, do të lëshonin këtë kushtrim në një vend të rrethuar me tela me gjemba, në një vend që po atë vit, në ‘90 dhe një vit pas shembjes së murit të Berlinit në kufijtë  e tij vriteshin të rinjtë, zvarriteshin nëpër qytete, vetëm e vetëm sepse kërkonin të dilnin në botën  e lirë. Në ato vite forca politike që ju sot mbështesni, forumi i saj rinor janë dëshmuar lokomotive  e vërtete  e integrimit evropian dhe ata  e kanë bërë këtë në kushte më të vështira, në kushtet kur një forcë tjetër politike kundërshtonte këtë proces si askush tjetër në Evropë. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në institucionin më të vjetër të kontinentit ishte arritja e parë madhore  e qeverisjes së Partisë Demokratike dhe forumit të saj.

Ata që sot nuk votojnë ligjet në parlament do tu deklaronin në vitin ‘95, të huajve publikisht, se molla nuk është pjekur, se Shqipëria nuk meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Lokomotiva e integrimit, forca politike do të humbiste pushtetin në vitin 1997, si pasojë e rebelimit komunist. Forca që i beson parimeve të demokracisë, të paqes dhe të tolerancës, ndonëse në pushtet nuk e përdori kurrë forcën, doli në opozitë për ti nxjerrë nga pushteti me votën  e lirë të shqiptarëve, ata që erdhën me dhunë dhe me armë në pushtet.

Serish në vitin 2005 programi i saj s’mund të ishte tjetër veçse integrimi i Shqipërisë në NATO, integrimi i Shqipërisë në BE. Në përpjekje të mëdha, të jashtëzakonshme, meritë në radhë të parë e mbështetjes së madhe të reformave nga të rinjtë shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë, ne ia dolëm të marrim ftesën dhe në vitin 2009 ta bëjmë Shqipërinë anëtare të Aleancës më të fuqishme, më të madhe të të gjitha kohërave, anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ajo ditë, dita e ftesës ishte një ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët.

Të dashur të reja e të rinj,

Në një kohë kur mendja, zemra e tyre ishin të gjithë të ngulur para ekraneve televizive për të përjetuar momentin kur do të vinte mrekullia dhe mrekullia ishte ftesa e Shqipërisë në NATO, nga Bukureshti zëra të porositur u përcillnin lajmet që u dërgonte Edi Rama se ftesa nuk merrej. Shqiptarët morën ftesën, Edi Rama organizoi të nesërmen mitingun më të turpshëm në histori, mitingun anti-NATO me portrete të Enver Hoxhës. Ne sërish do të vazhdonim rrugën tonë të integrimit.

Heqja  e vizave, lëvizje  e lirë ishte objektivi madhor i jetës  sonë. Ne donim që ju nënat, baballarët, vëllezërit tuaj të lëviznin kudo si qytetarë të këtij kontinenti me dinjitet të plotë. Përsëri ndodhi ajo që nuk ndodhte dhe nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër në Evropë, kryetari i PS lëvizte me një kuti nën sqetull nga qyteti në qytet, me thirrjen “Hap kutinë, të liroj vizat”. Më ngjante me një personazh të Gogolit që mblidhte vjetërsira, mendonte se në kutinë e vjetërsirave ka futur vizat e shqiptarëve. A mund të ndodhte kjo? Ne mbajtëm fjalën e dhënë. Ne ia dolëm të plotësojmë 120 kërkesa dhe shqiptarët lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën. Pasi braktisi Parlamentin, pasi bëri përpjekje për të përmbysur qeverinë me dhunë, duke përdorur për një muaj resht thirrjet e aventurierëve dhe puçistëve të vitit ‘24, mendoi se i erdhi koha tani të mbante një fjalim nga ballkoni i zyrës sime. Por fjalimi i mbeti në xhep. Demokracia, parimet e saj, institucionet kushtetuese të një vendi të lirë nuk mund të pushtohen kurrë.

Sot ka tre muaj që mban peng në parlament tre ligje, te cilat KE, në interesin më të mirë dhe më jetik të shqiptarëve kërkon që të votohen. Unë i bëj thirrje zotit Rama, në emër të interesit të të gjithë të rinjve shqiptarë, të atyre që sot masivisht mbështesin dhe anëtarësohen në forumin rinor të PD, por dhe te rinjve të tjerë të FRESH të forcave të tjera politike, të rinjve pa parti, në emër të qytetarëve shqiptare të votojnë tre ligjet, mos të dëshmojnë para Evropës se shqiptarët nuk pranojnë të votojmë ligjet që ju kërkoni për të votuar përfundimisht statusin e vendit anëtar në BE.

Të dashur të reja dhe rinj,

Pasi z Rama braktisi parlamentin, në sensin më tolerant bëmë çdo përpjekje për ti ofruar opozitës, duke shtrirë dorën  e bashkëpunimit bëmë gjithçka për ti ofruar hapësirat më të mëdha, të cilat i refuzoi dy vite resht. I pranoi pikë për pikë ato që kishte refuzuar dy vite rresht, nëntorin e kaluar dhe ne nderuam marrëveshjen. Reforma zgjedhore u votua, ne nderuam marrëveshjen pikë për pikë. Zoti Rama bëri një zotim para shqiptarëve, pasi humbi bashkinë, pasi mori 140 mijë vota më pak, “se unë tani nuk do të bllokoj më reformat për integrimin”. Zoti Rama ka harruar zotimin e tij. Uroj që ti kujtohet, të rikthehet dhe të votojë. Sikundër e siguroj se verdikti i shqiptarëve mbi të, në qoftë se u bllokon rrugën e integrimit do të jetë njëlloj me Vaterlonë  e viteve ’91 që shqiptarët iu treguan etërve te Edi Ramës. Do të ketë një humbje më të thellën se 22 viteve të fundit, se humbjen e ka të sigurt në çdo variant.

Të dashur të reja e të rinj, anëtarët më të rinj të forumit Rinor të PD-së,

Fushata elektorale ka nisur dhe ka nisur në mënyrën më thelbësore. Nuk ka asgjë më thelbësore për forumin dhe PD-në sesa besimi i juaj për këtë forcë e forum politik, sesa firma juaj sot, anëtarësimi juaj në këtë forcë e këtë forum.

Ne së bashku, duke filluar nga unë, trokasim çdo ditë në zemrën e mendjen e qytetarëve shqiptarë. Kërkojmë besimin e tyre, kërkojmë mbështetjen e tyre. Ne shkojmë tek qytetarët shqiptarë si vajza e djem, si burra e gra, të forcës politike në pushtet që ka mbajtur premtimet  e veta. Të mos harrojmë se në vitin 2005, të dashur të reja e të rinj, Shqipëria kishte një nga infrastrukturat më të këqija, jo në Evropë, por edhe në botë. Në 18 mijë km rrugë, ky vend kishte gjithsej 2430 km të asfaltuara. Paraardhësit tanë, 8 vite në pushtet, rrugë e rrugica qytetesh, rrugë kombëtare e rurale, ndërtuan gjithsej 250 km.  Në atë kohë kur shpallëm se do të ndërtojmë 6 mijë km rrugë, një nga ministrat e tyre doli në media dhe deklaroi se kjo që thotë Kryeministri është  e tëra një fantazi, pasi në Shqipëri nuk ekzistojnë kurrë 6 km rrugë. Nuk dinte i gjori ministër të lexonte në Google, të lexonte në të gjitha librat e statistikës se Shqipëria ka një rrjet rrugor në tërësi, prej 18 mijë km.

Ne, në një hark kohor 6 vjeçar ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë. Ne u kemi premtuar shqiptarëve, kudo që ata banojnë, se do të bëjmë gjithçka që aty ju jetojnë të ketë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore njëlloj si në lagjet e qyteteve. Absolutisht ne do ta bëjmë këtë realitet. Ne premtuam rrugën e Kombit dhe ajo është sot korridori më i rëndësishëm rajonal. Ne premtuam autostradën Tiranë-Elbasan. Jam i lumtur se një ëndërr të elbasanasve të të gjitha kohërave, kjo gjeneratë po e shndërron në të vërtetë dhe në pranverën që vjen ne inaugurojmë segmentin më të rëndësishëm të sistemit tonë rrugor brenda vendit, Autostradën Tiranë – Elbasan dhe garantoj qytetarët e këtij qarku të mrekullueshëm, se kudo që ata ndodhen, në 2-3 vitet që vijnë do të finalizojmë tërësisht ndërtimin e rrugëve. Një miku im nga Gramshi më thotë para dy tre, vitesh, kur unë bisedoja me bashkëqytetarët e mi dhe përpiqesha ti siguroja se qeveria do të mbajë fjalën dhe do të  ndërtojë rrugët e premtuara, pra më thotë se ata ishin shumë skeptikë, ndërsa tani që po shohin rrugët që po ndërtohen në rrethin e Gramshit, ata kanë një optimizëm dhe besim shumë më të madh. Unë vazhdimisht komunikoj me qytetarët e këtij vendi, nga Savalina dhe nga fshatra të tjera të thella të Gramshit dhe më bëjnë mesazhe se çfarë do të bëhet me rrugën tonë. Unë të gjithë i garantoj se rrugët do të ndërtohen, se ne konsiderojmë pasuri të jashtëzakonshme çdo vend në këtë territor. Unë ju them se të tilla janë. Ndaj dhe ne kemi ndërtuar, siç thotë edhe Komisioni Evropian,   në katër vitet e fundit rrugë më shumë se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku. Ne nuk kërkojmë votën për rrugët që kemi ndërtuar, ne kërkojmë besimin për rrugët që do të ndërtojmë. Askush nuk ka të drejtë të dyshojë në mbajtjen e fjalës nga kjo forcë politike.

Të dashur studente e studentë,

Në vitin 2005, universitetet ishin molla e ndalur për shumicën e të rinjve shqiptarë dhe në universitete hynin më pak se 1/3 e të rinjve që përfundonin maturën në Shqipëri. Shqipëria kishte studentë për 1000 banorë, 4 herë më pak se mesatarja evropiane. Ne premtuam se do të hapnim dyert e  universiteteve dhe do të vendosnim sistemin e pikëve dhe të meritës në hyrjet në universitete. Unë dje isha në një konvikt dhe në sallën e studimit ishin 5-6 vajza studente  të degëve të ndryshme, matematikë, financë, ekonomi, inxhinieri ekonomike. E pyeta secilën prej tyre nëse e kishin zgjedhur vetë degën dhe ato m’u përgjigjën  se e kishin zgjedhur vetë. Mu kujtua vetja ime. Unë kam qenë nxënës i apasionuar që në fillore, tetëvjeçare, edhe në të mesme, shumë i lidhur me librat, por problemi është se unë kurrë nuk arrita të zgjidhja degën që doja. Më vonë unë u dashurova me mjekësinë, por e vërteta është se në fillim nuk e doja atë.

 Në fillim unë doja letrat shqipe sepse kisha një pasion të madh për letërsinë. Jo vetëm unë kam përjetuar këtë, por shumica jonë, që sërish ishim fatlumë në një aspekt, sepse patëm mundësinë të vazhdonim universitetin, por nuk patëm mundësinë të zgjidhnim degën që donim. Sot të rinjtë shqiptarë zgjedhin degën që duan, fakultetin që duan.

Të dashur studentë,

Rikthehem edhe njëherë te ëndrra universitare. Çdo i ri, ose 95 % e të gjithë atyre që mbarojnë shkollën e mesme, kanë ëndërr universitetin, mbarimin në universitete dhe diplomimin aty, kanë ëndërr të futen në shtëpinë e dijes, në shtëpinë e inteligjencës së kombit tonë. Imagjinoni ju se çfarë krimi i shëmtuar do ë ishte ti rrënoje këto ëndrra, duke mbyllur dyert e shkollave tona të larta. Do të thoshte të rrënoje mijëra e mijëra ëndrra. Ato ëndrra janë për një diplomë, janë projekte, por nesër ato janë bazë për projekte të madha, të Elbasanit, të Shqipërisë, të kombit në tërësi.

Por zoti Rama qëndron në armiqësi të egër me këtë politikë. Mendova njëherë se ai ka pasur vështirësi në shkollë. Si ka mundësi të ngrihet kundër një politike që i jep mundësinë të rinjve shqiptarë të kthejnë në realitet ëndrrën e rinisë së tyre, ëndrrën universitare. Të tjerë më thanë se inatin e madh me të rinjtë e ka në vitet 90 sepse ata përmbysën pushtetin e etërve të tij. Unë këtë nuk e di, por di se ne sot kemi 162 mijë studentë nga 52 mijë që kishim në vitin 2005.

Sot do të bëjmë gjithçka për rritjen e cilësisë në universitetet tona, do të bëjmë gjithçka që shoqëria, ekonomia e saj, kombi në tërësi të shndërrohet në shoqërinë e dijes, në kombin e dijes, në ekonominë e dijes. Pasi sulmoi egërsisht, për muaj të tërë universitetet private, mbrëmë u rikthye në një sulm të egër kundër universiteteve publike. E këshilloj, për t’i njohur më mirë ato, të regjistrohet në ndonjërin prej tyre me korrespodencë dhe nuk do të shpreh këtë alergji ndaj shkollimit, ndaj shndërrimit në të vërtetët të ëndrrës më të bukur të të rinjve shqiptarë ëndrrës universitare.

Të dashur miq,

Në vitin 2005 ne kishim shkallën e përdorimit të internetit më të ulët në botë, 4.8 përqind. Kur ne shpallëm se Shqipëria dixhitale është projekti ynë për rininë shqiptare, për Shqipërinë, pati skepticizëm, pati përqeshje, por sot një nga realitete më të bukura shqiptare është Shqipëria dixhitale, një nga kënaqësitë më të mëdha është sot se shqiptarët komunikojnë në facebook më shumë se rreth 17 kombe të tjera të Bashkimit Evropian. Unë ju garantoj ju se shumë shpejt këto që kemi arritur do të jenë e shkuara. Në ditët që vijnë ne inaugurojmë kurrizoren kombëtare të internetit, në të cilën do të sjellim internet, sipas përdorimit, deri në 100 MB/s dhe do të bëjmë që çmimet e përdorimit të tij të jenë më të ulëta se çdo vend tjetër të Evropës.

Të dashur të reja dhe të rinj,

Ju shkoni e trokisnin në çdo derë, mendje dhe zemër të shqiptarëve, sepse forca politike që ju mbështesni ka shndërruar në realitet programin e saj. Në vitin 2004 Shqipëria mori gjithsej 300 mijë vizitorë dhe turistë, 4 milionë e 1 mijë mori vitin e kaluar. Bukuritë e saj mahnitëse, mikpritja shembullore e shqiptarëve, shërbimi dhe gatimet ndër më të shijshmet, po bëhen gjithnjë e më të kërkuara, më të njohura në Evropë dhe në botë.

Të dashur të reja dhe të rinj,

Këto kanë qenë vitet më të vështira në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore për vendet e zhvilluara dhe, në rrafshin ekonomik, kriza që ka pllakosur është më e madhja që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar. Kjo krizë ka shënuar rënie të thellë të rritjes ekonomike, ka shënuar rënie dramatike të të ardhurave kombëtare, ka shkaktuar mbylljen e miliona vendeve të punës, ka shkaktuar përgjysmimin e rrogave dhe pensioneve. Por cili është realiteti në Shqipëri? E vërteta e afirmuar, e certifikuar nga institucionet më serioze ndërkombëtare, është se reformat e qeverisë mbrojtën ekonominë shqiptare nga kriza. E vërteta është se në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, rrogat dhe pensionet jo që nuk u ulën, por u rritën në mënyrën më të vazhdueshme. Dhe do të vazhdojnë të rriten për sa kohë shqiptarët do të votojnë Partinë Demokratike, qeverisjen e saj. Kjo krizë ka shkatërruar miliona vende pune. Vende ndër më të zhvilluarat kanë sot një papunësi prej 25 – 30 përqind. Shqipëria, sipas Komisionit Evropian, është vendi i vetëm në të cilin papunësia jo vetëm nuk u rrit, por ul në mënyrë progresive. Shqipëria me modelin e saj ekonomik, sipas deklaratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë, vitin e kaluar u ngjit në çatinë e botës për thithjen e investimeve të huaja për frymë. Investimet e huaja, në katër vitet e fundit, u rritën me 316 përqind. Sigurisht që pasoja ka pasur, por këto pasoja nuk e kanë gjunjëzuar ekonominë shqiptare.

Ju trokisni në çdo derë, në çdo mendje dhe zemër të shqiptarëve, sepse premtimi ynë solemn ‘Shqipëria vend i zhvilluar’ po bëhet çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit realitet më i madh. Shqipëria vend i zhvilluar do të thotë që Shqipëria të ketë treguesit e vendeve të zhvilluara. Dhe nuk ka projekt më të vështirë e më ambicioz për Shqipërinë e shqiptarët se ky projekt. Ne nuk jemi ende një vend i zhvilluar. Ne kërkojmë mandatin e ardhshëm për të shndërruar Shqipërinë në vend të zhvilluar. Ne kemi vullnet të hekurt, kemi projektin e shkëlqyer për të realizuar këtë objektiv madhor historik të shqiptarëve. Ne, në një hark të shkurtër kohor, kemi kapur disa nga treguesit më kryesorë të vendeve të zhvilluara. Është në kënaqësinë tonë dhe të çdo shqiptari që sot vdekshmëria foshnjore, një nga më të dhimbshmet për një shoqëri, është një shifrore, është 7- 8 për 1000, e njëjtë me vendet e zhvilluara, ndërkohë që në vitin 2005 ishte rreth 40 për 1000. Vdekshmëria amtare, e nënave gjatë lindjes, në Shqipëri vitin e kaluar ishte 8 për 100 000 lindje. Shqipëria tejkalon shumicën e vendeve të zhvilluara në këtë tregues. Vdekshmëria në tërësi, që ka të bëjë me jetëgjatësinë. Ku qëndron Shqipëria? Një studim 40 vjeçar, i bërë në mbarë planetin, i botuar vjet, tregon se shqiptarët kanë vdekshmëri të përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet e tjera ish komuniste, se ata janë ngjitur me portugezët e finlandezët për sa i përket këtij treguesi shumë të rëndësishëm. Për cilindo që shëtit në këtë vend, çdo të huaj që vjen në Shqipëri, por edhe vendas, gjëja më mbresëlënëse dhe e menjëhershme që konstaton janë shtëpitë e reja. Kudo sheh shtëpi të reja. Statistikat tregojnë se shqiptarët në vitin 2001, për 1000 banorë, kishin banesa më pak se çdo komb tjetër evropian në vitin 1980. Nga viti 2001 në vitin 2011 shqiptarët kanë ndërtuar vila, apartamente dhe banesa për veten e tyre. Sot 340 mijë familje shqiptare kanë më shumë se 1 banesë, sot shqiptarët lënë pas, për banesa për 1000 banorë, tetë kombe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, vendeve të zhvilluara.

Pra mekanizmi i shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar qëndron në programin e forcës sonë politike, në përkushtimin e forcës sonë politike, në vendosmërinë e forcës sonë politike. Është në detyrimin tonë të bëjmë një dialog me qytetarët shqiptarë, larg idesë se ne nuk kemi bërë gabime, larg idesë se ne nuk kemi të meta, larg idesë se ne nuk kemi gjera për të korrigjuar. Jo dhe jo! Ndaj dhe ne e duam dialogun. Ndaj dhe ne e duam debatin. Ndaj dhe ne duam të dëgjojmë zërin e qytetarëve. Por nihilizmi i ka rrënjët kryekëput në totalitarizëm dhe ajo është qëndrim kryekëput fondamentalist. Këta zotërinj që flasin çdo ditë dhe bërtasin për krizë ekonomike, këta nuk njohin a,b,c, e ekonomisë dhe zhvillimit të saj. Sepse rritja ekonomike është, para së gjithash, vepër e grave dhe burrave, vajzave dhe djemve të Shqipërisë, të cilët djersinë çdo ditë dhe me iniciativën e tyre të lirë krijojnë shërbime, krijojnë të mira materiale. Të mohosh këto do të thotë të shkelmosh mbi arritjet e çdo qytetari shqiptar. Çfarë premton zoti Rama? Premton platformën e dajës së tij, Spiro Koleka. Më duhet t’ju them se në histori janë dy Spiro Koleka. Njëri, një burrë i shkëlqyer, i cili ka kontribute në qeverinë e Sulejman Delvinës, me një rol shumë të veçantë dhe tjetri është dajua, një mizor, persekutor, njeriu që sapo vuri këmbën në pushtet, eureka, gjeti taksën progresive për të shkatërruar të gjithë biznesmenët e Elbasanit dhe të Shqipërisë. Shoku Edi Rama, me “Rilindje”  e tij nënkupton kryekëput rilindjen e bllokut. Por, në qofte se rilindja vjen me taksën progresive të Spiro Kolekës, në qoftë se rilindja vjen me mbylljen e dyerve të universiteteve, vjen me punësimin e Partisë Socialiste apo 99-ve dhe injorimin e Shqipërisë, në qoftë rilindja vjen me gjithçka në funksion të ëndrrës së tij që nuk do të realizohet kurrë, të kryeministrit të ardhshëm, pasi do të jetë kryeministër në bankinë, ajo është rilindja e bllokut, i cili në vitin 1990 u hodh në koshin e plehrave të historisë kombëtare. Nuk kthehet më kurrë!

Le të vazhdojmë ne me këtë betejë çdo orë, çdo ditë, çdo javë, për të fituar çdo orë, çdo ditë e çdo javë besimin më të madh që kemi pasur ndonjëherë të shqiptarëve dhe për të shndërruar në realitet programin tonë “Shqipëria vend i zhvilluar”, “Shqipëria Evropiane”. Ky është premtimi ynë madhor.

Ju uroj suksese!

I uroj qytetarëve të Elbasanit, gëzuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë!


16/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›