E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Panairin e Librit 2012: Monumenti më madhështor i shqiptarëve në 100 vjetorin e tyre është monumenti i letërsisë së tyre

-          Në 100 vjetorin e pavarësisë, në kurorën e tij, shkëlqejnë librat e historisë së kombit të cilat vendosin në piedestal të vërtetat historike 100 vjeçare të shqiptarëve

Kryeministri Berisha vizitoi sot, Panairin e Librit “Tirana 2012” të çelur në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Edicioni i 15-të i këtij panairi, organizuar në kuadër të festimit të 100 vjetorit të pavarësisë, sjell për lexuesin shqiptar 60 mijë botime të ndryshme, nga të cilat 1500 janë tituj të rinj, në pjesën më të madhe të tyre me subjekte nga ngjarje të rëndësishme  historike të këtyre 100 viteve.

Ky panair, më i madhi në llojin e vet, në traditën 15 vjeçare të organizimit të tij nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, sjell këtë vit botime të mbi 100 shtëpive botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi.

Kryeministri Berisha vizitoi stendat e hapura në të tre katet e Pallatit të Kongreseve dhe u takua e bisedoi me botues, shkrimtarë e përkthyes shqiptarë, si dhe vizitorë të shumtë që ndodheshin aty. Kryeministri bleu disa botime të ndryshme, midis të cilëve edhe shumë libra për fëmijë për nipërit dhe mbesat  e tij.

Kryeministri vlerësoi kolanën e çmuar të librave historikë, të cilët sjellin për lexuesin ngjarje dhe fakte të pasqyruara me vërtetësi dhe korrektësi, ashtu siç kanë ndodhur në realitet. “Këto botime nxorën të vërtetat historike nga bunkeri hoxhist dhe falsifikimi primitiv i historisë. Natyrisht janë plotësisht të merituara, janë emancipuese, sepse paraqesin historinë e shqiptarëve e personaliteteve, e udhëheqësve të tyre ashtu sikundër ajo ka qenë.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri përgëzoi të gjithë organizatorët dhe autorët pjesëmarrës, duke e vlerësuar çeljen e panairit si ngjarjen më kulmore në jetën kulturore të kombit shqiptar , në vitin e 100 të pavarësisë së vendit, ku nderohet dhe vlerësohet tradita e botimit, e gjuhës dhe e kulturës së shkruar shqipe.

Në opinionin e tij për edicionin e 15-të të panairit të librit, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht organizatorët e shtëpisë botuese, autorët pjesëmarrës, të këtij panair që përben ngjarjen më kulmore ne jetën kulturore të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Ky panair, më i madhi i këtij lloji në historinë e Shqipërisë, ju jep lexuesve shqiptarë kryevepra të letërsisë botërore dhe të letërsisë shqiptare. Por duhet të pranoj se në 100 vjetorin e pavarësisë, në kurorën e tij, shkëlqejnë librat e historisë së kombit shqiptar gjatë këtyre 100 viteve, libra të cilat vendosin në piedestal të vërtetat historike 100 vjeçare të shqiptarëve, libra të cilat shënojnë një kapitull të ri në të vërteten historike shqiptare, libra që iu japin mundësi të rinjve, të rejave, grave dhe burrave, të moshuarve dhe qytetarëve të të gjitha moshave të njihen me historinë 100 vjeçare të këtij kombi dhe të këtij vendi. Këto botime realizuan një nga objektivat më madhorë të shqiptarëve për 100 vjetorin. Këto botime nxorën të vërtetat historike nga bunkeri hoxhist dhe falsifikimi primitiv i historisë. Këto botime erdhën në një vit më të rëndësishëm, në vitin e 100 vjetorit. Natyrisht janë plotësisht të merituara, janë emancipuese, sepse paraqesin historinë e shqiptarëve e personaliteteve, e udhëheqësve të tyre ashtu sikundër ajo ka qenë. Momenti i vetëm dhe i rëndësishëm në vlerësimin e tyre është që të kthehemi pas dhe të vlerësojmë ngjarjet dhe zhvillimet në dritën  e kohës kur kanë ndodhur sepse kjo do të bëjë që ne të kuptojmë më mirë historinë tonë.

Për çdo njeri të qytetëruar, për çdo komb të qytetëruar, të vërtetat historike janë të  një rëndësie të dorës së parë. Por letrat shqiptare vijnë në këtë panair me një krenari të veçantë, sepse ju paraqesin lexuesve kryevepra shqiptare, jo vetëm të letërsisë shqiptare dhe të rajonit, por të letërsisë botërore, vepra të Ismail Kadaresë, të cilat mbeten sot ndër librat më të vlerësuar dhe më të kërkuar të kohës në mbarë botën; vepra të Fatos Kongolit; vepra të poetëve, të shkrimtarëve të shquar shqiptare. Dhe dua të theksoj se në këto 100 vjet, monumenti më madhështor i shqiptarëve në 100 vjetorin e tyre është monumenti i letrave të tyre, i letërsisë së tyre, që me autorë si Ismail Kadareja ka kapur nivelet më të larta botërore. Veprat e shkruara për historinë e 100 viteve janë  monumentet më të bukura për themeluesin e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalin dhe burrat e tjerë të shtetit shqiptar të cilët me luftën, përpjekjen, mençurinë dhe vizionin bënë që një vend i parashikuar që të mos ekziston si shtet, te në hartën e Evropës, të jetë sot anëtar i NATO-s.

Edhe njëherë urimet më të përzemërta autorëve, botueseve, organizatorëve të këtij panairi të shkëlqyer, një ngjarje kulmore në jetën kulturore të kombit shqiptar , në vitin e 100 të pavarësisë së vendit.


15/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›