E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e panairit të biznesit gjerman- austriak-zviceran

- Kryeministri u shpreh se çelja e këtij panairi përbën një ngjarje të madhe për biznesin, ekonominë dhe Shqipërinë në tërësi.

- Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare, do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje, të ndërmarrë çdo iniciativë dhe vendim që të lehtësojë veprimtarinë e investitorëve në Shqipëri.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në celjen e panairit të biznesit gjerman- austriak-zviceran, i cili është panairi i tretë që organizon Bashkimi i Dhomave të tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ambasadorët austriak, gjerman dhe zëvendësambasadori zviceran, përfaqsues dhe drejtues të bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, biznesmenë shqiptarë dhe të huaj, etj.

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha përshëndeti organizatorët dhe sponsorizuesit e këtij aktiviteti të rëndësishëm, si dhe të gjithë kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri dhe stafet e tyre.

Kryeministri u shpreh se çelja e këtij panairi përbën një ngjarje të madhe për biznesin, ekonominë dhe Shqipërinë në tërësi. Duke vlerësuar vendin e rëndësishëm që zënë investimet e huaja në tërësi, në ekonominë shqiptare, Kryeministri veçoi kompanitë dhe investimet nga Gjermania, Austria dhe Zvicra për suksesin dhe performancën e tyre. “Kompanitë dhe investimet nga Gjermania, Austria, Zvicra operojnë në të gjithë sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, duke sjellë një frymë të madhe ndryshimi, një frymë të madhe besimi, një perfomancë të shkëlqyer.”

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij, për ndihmesën e jashtëzakonshme dhe mbështetjen që qeveritë e këtyre tre vendeve i kanë dhënë Shqipërisë në vite, në shumë e shumë projekte të rëndësishme. “Gjej rastin të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të sinqertë qeverisë së Republikës Federale gjermane, kombit gjerman për ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve në qindra e qindra projekte, qeverisë austriake dhe kombit austriak për ndihmën e çmuar dhe mbështetjen e madhe që u kanë dhënë përpjekjeve të shqiptarëve për ndërtimin e ekonomisë së tregut, shtetit ligjor, qeverisë së konfederatës helvetike, e cila ka ndihmuar në mënyrë eficente Shqipërinë, shqiptarët, qeverinë shqiptare, në dhjetëra projekte. E gjithë kjo ndihmë dhe solidaritet i madh kanë patur ndikim thelbësor në ndryshimin e jetës së qytetarëve shqiptarë. Shpreh kënaqësinë time që sot janë jo të pakta kompanitë nga këto vende që marrin pjesë aktive në punë publike dhe vepra të tjera në Shqipëri.”

Më tej, kryeministri u shpreh se ndonëse ekonomia botërore kaloi një periudhë të vështirë krize, ekonomia shqiptare ia doli më së mirë të evitojë këtë krizë, duke shënuar rritje.

“Ekonomia në tërësi kaloi dhe po kalon akoma një periudhë, por ajo që është e vërtetë inkurajuese, ekonomia shqiptare ia doli të evitojë më mirë se ekonomitë e tjera krizën ekonomike dhe financiare botërore. Ajo e mbylli vitin e kaluar me një rritje ekonomike rreth 4 %. Ajo ka një fillim shumë premtues tre muajt e parë të këtij viti, eksportet “Made in Albania” janë dyfishuar në vlerë, depozitat bankare po rriten dhe raporti i tyre me kreditin bankar është pothuajse dy me një. Pra sistemi financiar i vendet është plotësisht likid, por edhe të gjithë treguesit e tjerë të ekonomisë po ecin me një kahje të shpejtë pozitive. Ky realitet nuk vjen nga qe ekonomia shqiptare nuk ndjek orën globale të ekonomisë botërore. E kundërta është e vërtetë, që ekonomitë e vendeve të vogla, si rregull detyrohen të jenë mjaft më globale se ekonomitë e vendeve të mëdha, pranë janë të destinuara të jenë hiperglobale, por ekonomia shqiptare rezistoi dhe performoi mjaft mirë në këtë periudhë krize sepse është e vendosur në binarë të shëndoshë, në parime të shëndosha. Ajo rëndon më pak se çdo ekonomi tjetër me taksa dhe tarifa bizneset e vendit. Shqipëria ka një program superambicioz investimesh publike. Fakti, sic theksoi ambasadori i Republikës federale gjermane, qe prania e pjesëmarrësve në këtë panair krahasuar me një vit më parë është dy herë më e madhe, është dëshmi e një rritje të madhe të besimit të ekonomisë shqiptare. “

Në përfundim, kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare, do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje, të ndërmarrë çdo iniciativë dhe vendim që të lehtësojë veprimtarinë e investitorëve në Shqipëri. “Do të bëjmë çdo përpjekje që të konsolidojmë më tej suksesin tuaj, do të bëjmë çdo përpjekje për tu bërë nëpërmjet reformave dhe funksionimit të shtetit ligjor gjithnjë e më tërheqës për ju dhe investitorët nga vendet tuaja.”


22/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›