E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita botërore e librit, Kuvendi i Shqipërisë i dhuron Rektoratit botime të legjislaturës parlamentare 1991-2009

Në ditën botërore të librit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i dhuroi sot Rektoratit të Universitetit të Shqipërisë botimet e legjislaturave parlamentare nga viti 1991-2009, si dhe botime të tjera parlamentare nga revista Tribuna. Në ambjentet e Rektoratit, Kryetarja Jozefina Topalli u prit në një takim të veçantë nga Rektori i Universitetit, prof.dr Dhori Kule, ku të pranishëm ishin Dekani i Universitetit Histori-Filologjisë, pedagogë dhe studentë. Prof.dr, Dhori Kule e cilësoi dhuratën e Kryetares Jozefina Topalli si një simbolikë tepër të veçantë me rastin ditës botërore të librit. Duke falenderuar Kryetaren e Kuvendit, edhe si ish-studente e këtij fakulteti dhe si anëtare e jashtme e senatit, zoti Kule i konsideroi botimet parlamentare të dhuruara nga Kuvendi si jashtëzakonisht të rëndësishme për studentët dhe brezat e tjerë që do të arsimohen në universitetin shqiptar. Nga ana e saj, Kryetarja Jozefina Topalli duke vlerësuar këtë ditë të veçantë theksoi se dita botërore e librit vjen si një ftesë për të gjithë të rinjtë për të kujtuar shkrimtarë të shquar si Miguel Servantes, Uilliam Shekspir etj. Duke iu referuar botimeve të legjislaturave të Kuvendit, Kryetarja Jozefina Topalli theksoi se aktualisht po punohet për botimin e kolanës së plotë të bisedimeve parlamentare qysh nga fillimet e veta. Kemi filluar ti skanojmë, ti bëjmë në formën dixhitale dhe do të ketë një portal për tu ndjekur nga të tjerët. Janë bisedime shumë interesante, qoftë për pjesën elitare të përbërjes së parlamentit të asaj periudhe, diskutime në fusha të ndryshme, në përpjekje të ndërtimit të shtetit shqiptar të asaj periudhe, pastaj periudha në mënyrë të veçantë është interesante për studentët për të ardhur të parë në bibliotekën tonë u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Gjithashtu, ajo vuri në dukje angazhimin e Kuvendit për të vijuar më tej bashkëpunimin me Rektoratin duke theksuar se këto botime do të vijnë në ndihmë për studentë të të gjitha fakulteteve, ekonomi, drejtësi, filologji, histori etj. Unë kam kënaqësinë e veçantë që nga Kuvendi i Shqipërisë tu sjellim këto botime që flasin për fushën e ligjbërjes, të veprimtarisë së komisioneve parlamentare, në fushën e diplomacisë, në diskutimet e ndryshme, në reformat që janë të pasqyruara u shpreh ndër të tjera Kryetarja Jozefina Topalli.


Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›