Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 20 vjetorit të themelimit të gazetës “Rilindja Demokratike”

Kryeministri Berisha ishte sot në mbrëmje i pranishëm në ceremoninë të 20 vjetorit të themelimit të gazetës “Rilindja Demokratike”.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e të gjithë atyre djemve dhe vajzave që 20 vjet më parë patën shansin e madh, guximin dhe kurajën që të bëhen kalorës të fjalës së lirë dhe t’i japin vendit gazetën e parë të mendimit ndryshe.
Duke u shprehur se liria e mendimit është më themelorja ndër të gjitha liritë, Kryeministri vlerësoi faktin që në Shqipëri funksionon dhe zbatohet neni i artë i fjalës së lirë – lajmësi nuk preket. Kjo qeveri, - shpreh Kryeministri, - ka ndaluar çdo lloj procesi civil apo penal ndaj lajmësve; ka ndaluar të gjitha agjencitë që të mos kenë të drejtë t’i kërkojnë lajmësit burimin e lajmit; ka bërë përpjekje të mëdha që raportet të jenë sa më të civilizuara.
Më tej, Kryeministri Berisha nënvizoi se dy janë shtyllat kryesore të lirisë njerëzore: fjala dhe vota. Në rast se vota e lirë e shqiptarëve njohu zhvillimet e veta pozitive dhe arriti standardet, - theksoi Kryeministri, - kjo nuk do të mund të bëhej pa ndihëm dhe reagimin e lirë, spontan dhe në interes të vlerave.
Në përfundim të kësaj ceremonie u dhanë Medalje të Mirënjohjes për drejtues, gazetarë e bashkëpunëtorë të kësaj gazete, si Frok Çupi, Mitro Çela, Astrit Patozi, Vera Isaku, Blendi Fevziu, Edi Paloka, Ben Blushi, Armand Shkullaku e Mentor Shehu.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar zoti Kasmi,
Të nderuar gazetarë të Rilindjes Demokratike,
Zonja kryetare e Parlamentit,
Zotërinj ministra,
Të dashur themeluese dhe themelues të shtypit të lirë në Shqipëri,
Sot, në 20 vjetorin e gazetës së parë opozitare, jemi mbledhur për të nderuar para së gjithash veten tonë, për të nderuar lirinë e të gjitha lirive tona, magjinë e vërtetë të gjenisë krijuese të njeriut, për të nderuar, gjithashtu, atë grup djemsh dhe vajzash që 20 vjet më parë patën shansin e madh, fatin e bardhë, guximin dhe kurajën të bëhen kalorës të fjalës së lirë dhe t’i japin vendit gazetën e parë të mendimit ndryshe, mendimit opozitar.
Liria e mendimit është më themelorja ndër të gjitha liritë. Por ajo, në rast se nuk shprehet, mbetet diçka pa vlera. Në historinë e njerëzimit asgjë nuk ka karakterizuar periudhat e saj sa liria e fjalës dhe liria e shprehjes. Shkëlqeu me të gjithë madhështinë e gjinisë krijuese antikitetin, Greqia, Roma, Persia, Egjipti, sepse e lirë ishte fjala. Dhe ajo konsiderohet një periudhë e lirisë së saj. Mesjeta ishte dhe burgu i vërtetë. Por dua të theksoj se në rast se mesjeta vlerësohet si burgu i fjalës së lirë, diktatura hoxhiste ishte qelia më hermetike, më barbare, më mizore e saj. Si në asnjë vend tjetër, ndoshta në Evropë apo dhe në botë, ne arritëm vitet ’90 në censurën më të thellë, në censurë të atillë në të cilën fjala, të drejtat dhe liritë njerëzore, fjala liri e shprehjes së mendimit nuk ekzistonin dhe sa herë që ato shqipëroheshin paguheshin me litar ose vendosje para skuadrave të ekzekutimit. Në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, në rast se kombi jetonte në një bunker, fjala e lirë ishte e ndryrë në një qeli të errët nga e cila nuk dilte dot.
Kombi shqiptar në të gjithë zhvillimin e tij ka njohur vështirësi të jashtëzakonshme. Këtij kombi i takoi që të vij në Shekullin e XX më një larmi trashëgimie nga më modernet, te mesjetaret dhe para-mesjetaret. Por këtij kombi i takon dhe nderi i madh që me ligjet e tij më të hekurta të ketë shkruar nenin e artë të fjalës së lirë – lajmësi nuk preket. Dy kombe janë në botë që kanë në kodet e tyre një nen të tillë dhe një prej tyre është kombi shqiptar. Ndaj dhe këto 20 vjet fjala e lirë ka rrënjë në këtë vend të gjithë ato çka mund të japë liria. Ajo u shndërrua në instrumentin më themelor të ndërtimit të idealit të lirisë të një kombi të shtypur. Ajo është dhe mbetet gjithnjë themel i dinjitetit njerëzor, i dinjitetit qytetar. Ajo është dhe mbetet leva e Arkimedit për të gjetur të vërtetën në univers. Ndaj dhe ne sot, në këto 20 vite, duhet të përulemi me nderim të madh para atyre djemve dhe vajzave që themeluan gazetën e parë opozitare.
Ne, gjithashtu, festojmë me krenari sepse sërish sot ‘de facto’ ligji se ‘lajmësi nuk preket’ i pashkruar funksionon në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër. Kjo qeveri, që nga viti 2005, ka ndaluar çdo lloj procesi civil apo penal ndaj lajmësve; ka ndaluar të gjitha agjencitë që të mos kenë të drejtë t’i kërkojnë lajmësit burimin e lajmit; ka bërë përpjekje të mëdha që raportet të jenë sa më të civilizuara. Natyrisht, fjala e lirë në kuptimin e lirisë së shprehjes së saj dhe konsolidimi i kësaj lirie është një proces që shpreh në mënyrën më sintetike maturinë dhe qëndrimin demokratik. Pavarësisht se në këtë liri edhe mund të abuzohet, ajo që kemi vendosur ne është më e drejta, më e ndershmja. Ndaj saj asnjë kufizimi. Ka dhe do të ketë evolucionin e vetë, por e lirë ajo mund të kapë nivelet më të larta të maturisë. Dhe në sensin e asaj që thotë Klemensoi se ‘liria është aftësia e vetëdisiplinimit’ jam i bindur se kjo rrugë, kjo praktikë e Shqipërisë, e ndalimit të të gjitha proceseve ndaj shtypit, është një rrugë që duhet të konsolidohet dhe të ndiqet.
Fjalën time do ta mbyll duke përshëndetur edhe një herë sot të gjithë gazetaret dhe gazetarët e këtij vendi, të gjithë punonjësit e medias, si dhe duke shprehur një mirënjohje të thellë ndaj tyre dhe rolit të tyre. Këta kanë merita të jashtëzakonshme. Meritat e tyre janë sepse në momente kritike, pavarësisht nga orientimet, kanë ditur të qëndrojnë në anën e lirisë.
Dy janë shtyllat kryesore të lirisë njerëzore: fjala dhe vota. Në rast se vota e lirë e shqiptarëve njohu zhvillimet e veta pozitive dhe arriti standardet, kjo nuk do të mund të bëhej pa ndihëm dhe reagimin tuaj të lirë, spontan dhe në interes të vlerave.
Ndaj në këtë bashkëudhëtim, ku natyrisht e fundit që vlen është dashuria me pushtetin, unë ju uroj ju shumë suksese dhe ju garantoj se unë kam vlerësim të palëkundur, se qeveria ka vlerësim të palëkundur, për rolin jetik e vendimtar që ju keni në konsolidimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe të shoqërisë së lirë në tërësi.
Edhe një herë dua të përgëzoj ata djem dhe vajza, sot janë burra dhe gra, si dhe të gjithë gazetarët e ‘Rilindjes Demokratike’ nga të parët e deri tek ekipi që organizoi këtë takim, për punën e shkëlqyer që kanë bërë, për sakrificat e mëdha që kanë njohur, të vërtetat e rëndësishme që kanë mbrojtur.
Shumë suksese dhe faleminderit!”
06/01/2011