E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u urojnë Vitin e Ri 2011 fëmijëve të porsalindur dhe prindërve të tyre në Maternitetin “Koço Gliozheni” &

1 janar 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vizituan sot paradite fëmijët e porsalindur pas mesnate dhe nënat e tyre në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” duke u uruar atyre Vitin e Ri 2011.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, të shoqëruar nga Drejtorja e Maternitetit, Rubena Moisiu, e nisën Vitin e Ri 2011 me një vizitë në dhomën e nënës, ku vizituan fëmijën e lindur në ditën e parë të vitit, - një djalë të quajtur Enes dhe uruan nënën e tij, Almën që i dhanë jetë në orët e parë të mëngjesit duke i dhuruar një buqetë me lule e duke përgëzuar edhe babain krenar, Mahmut Bekmezi.

Më pas çifti presidencial vizitoi edhe Repartin e Terapisë Intensive, ku u u takua dhe zhvilloi një bisedë të ngrohtë e miqësore edhe me personelin mjekësor të Spitalit, të cilëve u shprehën vlerësimin dhe mirënjohjen që përkujdesen me përkushtim dhe dashuri për të porsalindurit dhe urimet më të mira.

Kreu i Shtetit përcolli edhe një urim tjetër para mediave të pranishme, atë për një vit të mbarë e të begatë për gjithë shqiptarët: “Përshëndetje! Së pari një urim ‘Gëzuar për ju, që jeni në terren, jeni në punë’! Erdhëm këtu në këtë institucion mjaft të rëndësishëm për një vizitë simbolike, për të parë ata që kanë ardhur në jetë pikërisht në momentet kur trokitit Viti i Ri. U urojmë jetë të gjatë! Padyshim është rasti për të përshëndetur të gjithë personelin mjekësor kudo ku ai ka shërbyer gjatë natës së kaluar për të siguruar asistencë mjekësore që është shumë e domosdoshme për njeriun dhe për të gjithë.

Së dyti dëshiroj të përshëndes Forcat e Ruajtjes së Rendit, ato të Ushtrisë dhe të gjithë ata që kanë shërbyer nëpër institucione për të garantuar një festë të qetë, të gëzuar, sikurse kaloi realisht! Ka qenë një natë shumë e gëzuar, shumë e qetë për të gjithë shqiptarët.

Kështu që nga ky institucion në këto orë të para të Vitit të Ri dëshiroj edhe njëherë të përshëndes të gjithë shqiptarët, t’ju uroj një Vit të Ri të lumtur, me shëndet, harmoni, paqe dhe begati! Ky është urimi më i mirë që mund të jipet. Edhe juve dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë punë kaq dinjitoze që bëni, për këtë Qendër ka të specializuar dhe të pajisur shumë mire! Juve, besoj demonstroni pikërisht atë që njerëzit kanë shumë nevojë – bluzat e bardha. Urime dhe gëzuar!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›