Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001) të Qendrës Kombëtarë të Licencimit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001), të Qendrës Kombëtarë të Licencimit, nga kompania prestigjioze Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA), e njohur në fushën e menaxhimit të riskut, sigurisë, garantimit të cilësisë dhe klasifikimit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Menaxheri i Biznesit të kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance, z. Davis Ives, drejtues të tjerë të kësaj kompanie, Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, Ministri i Ekonomisë dhe njëkohësisht Zëvendëskryeministër, Edmond Haxhinasto, Drejtori i QKL-së Edmond Palushaj, etj.
Kryeministri Berisha falënderoi Menaxherin e Biznesit te kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance, z. Davis Ives, për këtë vlerësim të drejtë, duke theksuar se Qendra Kombëtare e Licencimit është shndërruar në një model frymëzimi për mënyrën se si kjo qendër iu shërben bizneseve të vendit dhe atyre të huaja.
Kryeministri vlerësoi se çdo certifikim përbën një arritje të madhe për ekonominë e vendit, çdo produkt i certifikuar ka një pasaportë për të lëvizur pa viza në tregun e vet. Në këtë kontekst, Kryeministri garantoi drejtuesit e kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance se qeveria shqiptare mbetet shumë e angazhuar të bashkëpunojë me këtë kompani, në mënyrë që të bëhen njohura cilësitë e produkteve dhe shërbimeve të Shqipërisë. Qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur edhe më tej garën e cilësisë, vijoi Kryeministri.
Përmes dhënies së kësaj certifikate, Shqipëria hyn në hartën e një prej kompanive më prestigjioze dhe ikonike në botë që vepron në fushën e standardeve dhe sigurimit të cilësisë, fakt ky i cili luan një rol të madh në garantimin dhe tërheqjen e investitorëve të ndryshëm që duan të investojnë në Shqipëri. Certifikata vërteton se sistemi i menaxhimit dhe proceset e punës të Qendrës Kombëtare të Licencimit, janë në përputhje me standardin kryesor ndërkombëtar të cilësisë. Ky certifikim konfirmon edhe njëherë nivelin dhe cilësinë e lartë të shërbimeve, korrektësinë dhe profesionalizmin e ofruar për subjektet që kërkojnë të licencohen dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë.
Certifikimi i QKL-së është një tregues edhe i përparimit të vendit tonë në përqafimin e standardeve më të avancuara ndërkombëtare në fushën e cilësisë, është një arritje për të gjithë komunitetin e biznesit shqiptar, si dhe është një garanci më shumë për investitorët e huaj, të cilët tashmë kanë jo vetëm fjalën tonë mbi mundësitë dhe kushtet që ata do të gjejnë në Shqipëri, por edhe garancinë e një prej institucioneve më seriozë në botë.
Në përshëndetjen e tij, në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot, për Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, për punonjësit e saj të përkushtuar, është një ditë e veçantë pasi, në një hark kohor të shkurtër, ata ia dolën të ngjiten në një stacion shumë të rëndësishëm të punës së tyre, me të cilin merituan sot certifikatën e njërës prej kompanive me traditat më të mëdha në botë, me një histori 250 vjeçare në menaxhimin e riskut, sigurisë dhe vlerësimit të cilësisë. Kompania ka veprimtarinë e vet në 186 vende të planetit.
Qendra Kombëtare e Licencimit mund të themi se është shndërruar në një model frymëzimi për mënyrën se si kjo qendër iu shërben bizneseve të vendit dhe ato të huaja. Një studim i para një viti faktonte se 97 për qind e të gjithë aplikantëve, ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me ekipin e kësaj qendre. E vërteta është se në qendër funksionon një nga sistemet më të avancuar që ekziston në dhënien e lejeve dhe licencave, por njëkohësisht edhe një nga sistemet më transparente, sistem i cili i bë të mundur biznesit të ndjekë nga portali i kësaj qendre të gjithë rrugët e dokumenteve në kanalet apo labirintet e burokracisë së vendit.
QKL, me veprimtarinë e saj ka reduktuar në mënyrë të ndjeshme kohën, ka reduktuar kostot dhe ka krijuar një besim të madh në botën e biznesit. Në këtë kontekst, ky moment i sotëm, ky vendim i Kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA) për t’i akorduar certifikatën kësaj qendre, është një arritje e madhe. Ai do të ketë impakt pozitiv, frymëzues, së pari, për punonjësit e kësaj qendre që shohin vlerësimin e merituar të punës së tyre, por do të ketë impakt në biznesin shqiptar e ndërkombëtar, të cilët kanë në këtë qendër një partner, një ndihmës të shkëlqyer, të certifikuar.
Jam dakord se certifikimi është vetëm fillimi i një procesi dhe jam i bindur se punonjësit kësaj qendre, të tillë e konsiderojnë këtë akt sot. Unë kam besim të madh se progresin e deritanishëm, kjo qendër do e shfrytëzojë për nivele të reja cilësie.
Shqipëria ndodhet sot në një moment shumë të rëndësishëm. Ajo është një nga të paktat vende në Evropë që nuk njohu recension. Natyrisht, pasojat e krizës së eurozonës, e krizës evropiane, janë pasqyruar dhe kanë ndikuar në ekonominë tonë. Por, për Shqipërinë është jetike dhe vendimtare ruajtja e ritmeve të rritjes ekonomike. Ne besojmë se rruga e vetme është mbështetja dhe inkurajimi i biznesit, ne besojmë se do të mund të ruajmë rritjen ekonomike, do të mund të qëndrojmë në krye të rajonit e më gjerë për tërheqjen e investimeve të huaja, do të mund të ndjekim projektet tona ambicioze për transformimin e vendit, vetëm e vetëm duke përmirësuar gjithnjë e më shumë klimën për biznesin, investimet dhe investitorët.
Në këtë kontekst, çdo certifikim përbën një arritje të madhe për ekonominë e vendit, çdo produkt i certifikuar ka një pasaportë për të lëvizur pa viza në tregun e vet. Ndaj dhe dua të garantoj kompaninë se vendi im, qeveria, mbeten shumë të angazhuar të bashkëpunojnë me ju, në mënyrë që të bëjmë të njohura, me të gjithë cilësitë e tyre, produktet e këtij vendit dhe do të bëjmë gjithçka për të nxitur edhe më tej garën e cilësisë.
Edhe njëherë, përgëzoj gjithë ekipin e qendrës për këtë arritje shumë të rëndësishme, jo vetëm për ju, por për administratën në tërësi dhe biznesin në veçanti dhe dua të falënderoj kompaninë Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA) për këtë vendim të drejtë që ka marrë”.
02/10/2012