E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e dërgimit të ekspertëve të policisë së shtetit me mision trajnues në Afganistan

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në ceremoninë e zhvilluar me rastin e dërgimit të 5 ekspertëve të policisë së shtetit, në misionin trajnues, nën komandën e NATO-s në Afganistan.

Kjo është hera  e parë që policia e shtetit merr pjesë në një mision trajnues jashtë shtetit. Misioni dhe detyra e ekspertëve të policisë shqiptare do të jetë këshillimi dhe trajnimi i punonjësve të policisë afgane në drejtim të zhvillimit të koncepteve të drejtimit dhe menaxhimit të personelit, si dhe të komunikimit në mënyrë që të zhvillohet një forcë policore kombëtare sa më profesionale.

Duke përshëndetur ceremoninë, kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për efektivin e policisë së shtetit për punën dhe kontributin e tyre madhor në shndërrimin e këtij vendi, në  një vend të sigurtë, si dhe  për kontributin e tyre të madh për jetën, sigurinë, pronën  e qytetarëve shqiptarë, funksionimin e ligjit dhe zbatimin e tij.

Kryeministri e cilësoi misionin e parë paqeruajtës të policisë së shtetit shqiptar si  një arritje madhore, e cila vjen si rezultat i një performance të shkëlqyer në rritje, të efektivit të policisë së shtetit në zbatim të ligjit, në mbrojtje të jetës, veprimtarisë dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri shprehu falënderimet për policinë franceze e cila kontribuoi në stërvitjen  e efektivëve shqiptarë, si dhe qeverinë e SHBA-ve dhe forcat amerikane në Afganistan,  nën komandën e të cilave do të kryejnë veprimtarinë oficerët shqiptarë.

Në përfundim të ceremonisë, kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin kombëtar drejtuesit të njësisë së ekspertëve.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë ministri i brendshëm, zoti Bujar Nishani, zv/ministri i Brendshëm zoti Avenir Peka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Hysni Burgaj, zëvendës ambasadorja amerikane, zonja Deborah A. Jones, drejtues të policisë së shtetit, oficerë, si dhe familjarë të oficerëve që do të nisen në mision.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari unë dua të përshëndes të gjithë efektivin e policisë së shtetit, për punën, kontributin e tyre madhor në shndërrimin e këtij vendi në  një vend të sigurtë për kontributin e tyre të madh për jetën, sigurinë, pronën  e qytetarëve shqiptarë, funksionimin e ligjit, zbatimin e tij.

Sot, ne mblidhemi në një moment shumë të veçantë. Shpesh jemi takuar, kemi bërë analiza, kemi shprehur vlerësime, por sot është një moment i ri cilësor në historinë  e policisë së shtetit shqiptar.

Sot ne përcjellim një grup prej 5 oficerësh në një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, detyrën e trajnimit të policisë afgane. Ky është misioni i parë paqeruajtës i policisë së shtetit shqiptar dhe kjo përbën një arritje madhore. Kjo vjen si rezultat i një performance të shkëlqyer në rritje të efektivit të policisë së shtetit në zbatim të ligjit, në mbrojtje të jetës, veprimtarisë dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë. Vjen si rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer me policitë e vendeve partnere dhe mike, shkëmbimit të eksperiencave më të mira, vendosjes në themel të veprimtarisë tuaj, të standardeve më të mira të punës së përditshme. Kjo vjen si rezultat në tërësi i një shkalle të re të përgjegjësive dhe të kualifikimit të policisë shqiptare.

Të dashur oficerë,

Ju  niseni sot për në Kabul. Duke ju shprehur ju, mirënjohjen time dhe vlerësimin më të madh për misionin që merrini, duke falënderuar shumë përzemërsisht familjet tuaj për mbështetjen dhe solidaritetin që ju kanë dhënë ju në këtë detyre shumë të rëndësishme , dua ti garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin e plotë të veprimtarisë suaj në Kabul si dhe për mbështetjen në rritje gjithnjë e më të madh te efektivit të policisë të shtetit, në përmbushjen e detyrimeve te veta ligjore, përmbushje  e cila ka bërë të mundur që Shqipëria, jo vetëm të jetë një vend i sigurte, por ne themel të lëvizjes së lirë të shqiptarëve qëndron puna e përgjegjshme  efektivave të policisë, besimi i palëkundur që ato kanë ngjallur tek policitë dhe institucionet koresponduese të vendeve partnere.

Ju garantoj ju, se familjarët tuaj, sigurisht që ju do ju mungoni, por do të kenë të gjithë mbështetjen e merituar, në mënyrë që mungesa juaj në këtë shërbim të ndjehet ose të përjetohet sa më mirë në kuptimin që të plotësohen ato kushte dhe kërkesa që boshllëku i prindit, bashkëshortit, familjarit krijon dhe çdo lloj problemi që do të kenë familjet tuaja do të kenë mbështetjen e plotë të policisë së shtetit dhe të qeverisë.

Është  një rast të falënderoj policinë franceze, e cila kontribuoi në stërvitjen tuaj, qeverinë  e SHBA-ve, dhe forcat amerikane në Afganistan nën ombrellën e të cilave ju shkoni dhe ushtroni veprimtarinë tuaj.

Unë kam besim të madh se ju do të përmbushni me faqe të bardhë dhe do të vini të suksesshëm në familjet tuaja, në vendin tuaj.

Edhe njëherë suksese!


19/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›