E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, i pranishëm në ceremoninë e fillimit të rikonstruksionit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit

- Durrësi, në të gjithë lashtësinë e tij, ka qenë një qytet ndër më të rëndësishmit e më të spikaturit në Mesdhe. -

- Sot, ne presim mbi tre milionë turistë nga mbarë bota dhe kjo përbën një motiv të jashtëzakonshëm që të bëjmë gjithçka që t’i bëjmë pushimet e tyre më të pasura e më të mira. -

- Është siguruar një buxhet, më i madhi në tërë historinë e vendit, për zbulimin, kujdesin, restaurimin e monumenteve të kulturës, rreth 20 milion dollarë. -

- Pasuritë etnografike në këtë vend janë po kaq të mëdha, sa ato arkeologjike. -

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e fillimit të projektit për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, një ndër Muzetë më të rëndësishëm në fondin shqiptar të trashëgimisë kulturore. Rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik është projektuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe me një investim me vlerë 100 milion lekë parashikohet ndryshimi i konstruksionit të godinës dhe i ekspozimit të objekteve, sipas standardeve më bashkëkohore. Projekti përfshin edhe ngritjen në ambientet e tij të një biblioteke dhe një salle konferencash. Rikonstruksioni i Muzeut parashikohet të përfundojë në vjeshtën e vitit 2012, në prag të 100 vjetorit të pavarësisë.     

Duke përshëndetur fillimin e këtij projekti, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, ne inaugurojmë këtu, fillimin e punimeve të rindërtimit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, të një prej qyteteve më të pasura në Shqipëri dhe në Mesdhe, me një trashëgimi mahnitëse kulturore që shtrihet në tre mijëvjeçarët e fundit. Ky investim është rreth 100 milion lekë, të cilat do të investohen në zbatim të një projekti të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Ky është një hap shumë i mirë dhe i rëndësishëm në drejtim të konservimit, ekspozimit të vlerave të jashtëzakonshme kulturore të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Durrësi, në të gjithë lashtësinë e tij, ka qenë një qytet ndër më të rëndësishmit e më të spikaturit në Mesdhe. Durrësi ishte porti dhe qyteti, ku perandorët dhe perandori vendosën projektet e tyre të mëdha. Jo rastësisht këtu, Adriani ndërtoi amfiteatrin, themeloi bibliotekën, faktikisht, ndërtoi Durrësin e përjetësisë. E vërteta është se Durrësi është një pasuri shumë e madhe kulturore, një trashëgimi jashtëzakonisht e çmuar. Fatmirësisht, Shqipëria ka një seri të tërë të tilla. Nuk ka një vend me sipërfaqe kaq të vogël dhe me një trashëgimi kaq të madhe kulturore, sa Shqipëria, nga jugu në veriun e saj. Në Durrës është bërë një përpjekje e madhe për ta ekspozuar, falë një pune të jashtëzakonshme që ka bërë një burrë mendjendritur i Durrësit, Vangjel Toçi. Unë dua t’ju garantoj se ne jemi vetëm në hapat e parë dhe sigurisht të rëndësishëm të zbulimit të pasurive përrallore që ka kjo tokë dhe ky vend.

Ne, sot, ngjasim me një komb që është zgjuar nga një gjumë i zgjatur dhe flas këtu, në raport me turizmin. Sot, ne presim mbi tre milion turistë nga mbarë bota dhe kjo përbën një motiv të jashtëzakonshëm që të bëjmë gjithçka që t’i bëjmë pushimet e tyre më të pasura e më të mira. Ne kemi dete e liqe të mrekullueshëm, male magjepsëse me bukurinë e tyre, por ne kemi një pasuri përrallore në trashëgiminë kulturore, kemi mikpritjen shqiptare. Në qoftë se ne do t’i riorganizojmë këto, në qoftë se ne do të bëjmë investime më të mëdha, ju garantoj se çdo turist që do të vizitojë këtë vend, duke mos arritur në vizitën e tij të parë, t’i shijojë të gjitha pasuritë e tij, do rikthehet për së dyti e së treti në Shqipëri.

Ministria e Kulturës ka bërë një veprimtari frutdhënëse. Këtë vit, fatmirësisht, është siguruar një buxhet, më i madhi në tërë historinë e vendit, për zbulimin, kujdesin, restaurimin e monumenteve të kulturës, që shkon rreth 20 milion dollarë. Por nevojat janë shumë më të mëdha. Ne do mund të ekspozojmë, të promovojmë pasuritë tona të mëdha, kur në çdo rreth, Ministria e Kulturës së bashku me qeveritarët vendorë do të marrë vendimet për të ngritur muzetë arkeologjikë, arkeologjikë-etnografikë, të cilët duhet t’u dëshmojnë vizitorëve të gjithë udhëtimin tonë në shekuj e mijëvjeçarë. Pasuritë etnografike në këtë vend janë po kaq të mëdha, sa ato arkeologjike. Ata që udhëtojnë nëpër Shqipëri dhe që duhet të ishin shumë më të shumtë, do ta konstatojnë këtë. Një rreth jo i largët, por jo dhe i afërt me Durrësin është edhe Gramshi, por çdo vizitor do të mahnitej me pasurinë e kostumeve të fshatrave dhe komunave të këtij rrethi. Ndaj me guxim, vendosmëri duhet të ngremë muzetë dhe ta bëjmë këtë së pari, në respekt të trashëgimisë sonë, por edhe për t’ju dëshmuar të tjerëve se cilët kemi qenë dhe jemi ne. Neve mund të na mungojnë piktorët e rilindjes në Mesjetë, por nuk na mungojnë artistët, ata që kanë qëndisur kostumet më të bukura, që kanë veshur shqiptarët në mënyrën më të pashme. Kudo, ne kemi gjetje arkeologjike nga më të çmuarat për njerëzimin. Këtu është bukuroshja e Durrësit, e rizbuluar nga Vangjel Toçi, është absolutisht, Xhokonda në mozaik, bukuroshja e Mesdheut. Dhe të tilla mund të ketë prapë të fjetura. Ka një histori të përbashkët me Xhokondën. Të dyja janë mbajtur e gjetur në banjat e zengjinëve. Ju garantoj se qeveria do ta marrë në mënyrën më serioze, do të bëjë gjithçka që të investojë dhe po marr këtu hua një shprehje të Muhamed Ali Pashës, i cili, kur shkoi në Egjipt, u shpreh se duhet të pastrojmë diamantin. Në fakt, ai themeloi Egjiptin modern. Këtu, ne jemi të themeluar në të gjitha kohërat, por edhe ne duhet të pastrojmë diamantin tonë. Një diamant që do të shndërrime si dëshmi e përjetësisë së qytetërimit të këtij vendi e këtij populli. Ju faleminderit.”


19/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›