Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës së Informimit të BE-së

- Kryeministri u shpreh se kjo qendër do ti ndihmojë qytetarët shqiptarë të kuptojnë projektin e tyre ëndërr, anëtarësimin e vendit në BE dhe do ti mundësojë secilit prej tyre të kontribuojë në këtë proces.
- Kryeministri theksoi se pa ndihmën, pa solidaritetin e Komisionit Evropian, në vite, vendimi për miratimin e kërkesës së Shqipërisë si vend anëtar i BE, do të ishte i pamundur.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së Informimit të BE-së. Në këtë ceremoni e cila u hap nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, merrnin pjesë kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli , Ministri i Jashtëm zoti Ilir meta, Ministrja e Integrimit, zonja Majlinda Bregu, ambasadori Lohan, përfaqësues të trupit diplomatik, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Tiranë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh se hapja e kësaj qendre është një ngjarje shumë e veçantë dhe e rëndësishme për një vend, populli i të cilit mbështet 96 % anëtarësimin e vendit në BE. Duke falënderuar zotin Pierre Mirel dhe ambasadorin Lohan për vendimin për hapjen e kësaj qendre, kryeministri tha se kjo qendër do ti ndihmojë qytetarët shqiptarë të kuptojnë projektin e tyre ëndërr, anëtarësimin e vendit në BE dhe do ti mundësojë secilit prej tyre të kontribuojë në këtë proces.
Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmesën ekonomike dhe financiare që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë ndër vite. Pa këtë ndihmë, pa këtë solidaritet, theksoi kryeministri Berisha vendimi për miratimin e kërkesës së Shqipërisë si vend anëtar i BE, do të ishte i pamundur.
Ndërsa Zoti Pierre Mirel, në fjalën e tij u shpreh se me vendimin e datës 16 nëntor për miratimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit per vend anetar, marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në ka hyrë në një fazë krejtësisht të re. Shqipëria, vijoi zoti Mirel, nuk është vendi që ka thjesht një marrëdhënie dypalëshe, por ajo ka hyrë në një proces qëllimi i të cilit është anëtarësimi në BE. Në këtë kontekst, theksoi zoti Mirel kjo qendër do të luajë një rol të rëndësishëm.
Qendra e Informimit e cila nuk do të kufizohet vetëm në Tiranë, do të ofrojë një sërë shërbimesh falas, duke përfshirë botime të ndryshme, akses në internet, salla leximi etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh:
“është një ngjarje shumë e veçantë dhe rëndësishme për vendin tonë hapja e qendrës s informacionit të BE-së dhe unë me këtë rast dua tu falënderoj ju zoti Mirel, ambasadorin Lohan për përkujdesjen dhe vendimin për hapjen e kësaj qendre jashtëzakonisht të rëndësishme. Ju po hapni një qendër informimi në një nvedn populli i të cilit mbështet 96 % anëtarësimin e vendit në BE. Kam patur rastin të gjendem shumë herë në samite dhe takime, ku ka patur diskutime dhe skepticizëm për zgjerimin dhe unë për të ruajtur dimensionin që kisha në ato samite përdorja vetëm një frazë sepse nuk doja të abuzoja me kohën e të pranishmëve. I njoftoja se në Shqipëri 96 % e qytetarëve mbështesnin anëtarësimin në BE. Kjo përqindje vjen si rrjedhojë enjë projekti ëndërr e një ëndrre të shqiptarëve për tu bashkuar me Evropën, ëndërr e formësuar në kohën e tyre më të vështirë ku qëndronin pas perdes së hekurt. Por kjo qendër, jam shumë i sigurtë se do ti ndihmojë ata të kuptojnë projektin ëndërr të tyre dhe të mundësojë secilin të kontribuojë në procesin e anëtarësimit në BE.
Zoti Mirel më 16 nëntor Këshilli i Ministrave të BE mori vendimin më të rëndësishëm në historinë e Marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, miratimin e kërkesës e Shqipërisë për tu pranuar në BE. Unë, dua tu garantoj ju se ne e marrim këtë si përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj BE-së, si detyrimin më madhor për të proceduar me një univers të tërë reformash, në mënyrë që standardet, praktikat, aqui comunitare, demokracia, rregullat e saj, ekonomia e tregut, rregullat e saj të bëhen gjithnjë e më të prekshme për qytetarët shqiptarë dhe më konkrete. Kështu që ne nuk do të lemë përpjekje pa bërë që ky proces të jetë tërësisht një proces i bazuar në meritë, si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.
Ne u jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që kemi gjetur nga ju për liberalizmin e vizave dhe u garantoj ju se do të përmbushim çdo detyrim që vjen nga ky proces.
Dua ta mbyll fjalën time me një mirënjohje shumë të veçantë ndaj Komisionit evropian. Vetëm tre muaj pasi unë jam zgjedhur president i republikës së këtij vendi, i cili ishte i zhytur në mjerim dhe varfëri në ekstrem dhe papunësinë më të lartë, ishte Komisioni Evropian, i cili mori iniciativën e nje takimi të grupit 24 në Shqipëri të kryesuar nga Zëvendëspresidenti i Komisionit dhe që nga ajo ditë e deri më sot KE i ka dhënë Shqipërisë ndihmën më të madhe financiare dhe ekonomike në tërë historinë e saj , miliarda euro të cilat u shndërruan në një levë të fuqishme të shndërrimit të këtij vendi.
Pa këtë ndihmë, pa këtë solidaritet vendimi i datës 16 nëntor do të ishte i pamundur ndaj dhe unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj Jush, Komisionit evropian, delegacionit, taksapaguesve të vendeve anëtare për bujarinë e madhe që kanë treguar."24/11/2009